TIRANË-Një mbrëmje e këndshme u shtrua të martën për Iftar nga kryeministri Edi Rama me rastin e muajit të Ramazani. Kjo mbrëmje zgjoi dhe një pikëpyetje të madhe, që mori vetëm sot përgjigje.

Në tryeza morën pjesë përfaqësues të besimeve fetare si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, artistë dhe gazetarë. Në fjalën e tij Rama tha se tryeza e iftarit është një tryezë ku mund të mblidhen së bashku njerëz të besimeve të ndryshme fetare, por edhe ata që nuk besojnë. Pikërisht këtu përmendi një ftesë të anuluar momentin e fundit për të cilën duket se kryeministri është ndjerë keq. Kjo u la të kuptohej nga këto fjalë që tha më pas.

“Më bëri përshtypje refuzimi i ftesës nga një njeri i ditur i cili me mirësjellje i tha protokollit të kryeministrisë se ishte ateist dhe si i tillë nuk mund të ulej në një sofër si kjo e kësaj mbrëmje, absolutisht asnjë arsye për tu ndjerë të lënduar me refuzimin e mikut në fjalë, po sigurisht, një mundësi për të reflektuar nëse ka apo nuk ka vend për ateistët në sofrën e iftarit”, u shpreh Rama.

Dhe mënjehërë nisën pyetjet mes të pranishmëve, për kë ta ketë vallë Rama? Kush ishte ateisti që nuk mbërriti në festë? Dhe misterin e zbardh vetë uebi online ‘Respublika’, i analistit Mustafa Nano.
“Burime nga brenda të ftuarve të Ramës konfirmuan për ‘Respublica’ identitetin e ateistit të Ramës. Bëhet fjalë për analistin dhe gazetarin e njohur Much Nano, njëherazi dhe themelues i Respublica”.

Mustafa Nano
Mustafa Nano

Më tej ky sajt shkruan se ‘Respublica provoi të kontaktonte me Much Nanon për të konfirmuar këtë version mbrëmjen e së martës por nuk arriti dot…”.

Mandej po ky ueb e përshkruan dhe tiparin ateist të Nanos.
“Kohët e fundit Much Nano ka qenë goxha aktiv ne temat fetare. Mund të kujtojmë që vitin e kaluar ai botoi librin Pax Albania ku trajtohej tema e harmonisë fetare në Shqipëri si dhe kohët e fundit ka realizuar edhe një shoë në të cilin ka ligjëruar mbi temat fetare me një fokus të veçantë mbi ateizmin”.

Ironia me Filip Cakulin

Përtej ateizmit të personazhit si Mustafa Nano, mister që e zbuloi po vetë uebi i personazhit, një tjetër personazh që ra në sy ishte dhe gazetari Filip Çakuli, drejtorin e emisionit “Fiks Fare”, i cili ishte i ftuar në këtë darkë.

Rama e etiketoi Çakulin si personazh që për Zot njeh vetëm vetveten.
“Disa nga ne kanë ardhur këtu, pas një dite të gjatë të mungesës së bukës dhe të ujit. Disa të tjerë kanë ardhur normalisht për darkën e ditës që mbaron. Ndonjë tjetër mund të jetë kujtuar në momentin e fundit që kishte një ftesë për këtë darkë dhe ka mbërritur me ngut, që të jetë në orar. Për disa, me mbarimin e darkës vazhdon rituali i agjërimit me oraret e veta të pazakonshme, deri në ditën e Bajramit. Për disa të tjerë këtu, mes këtyre mureve fillon dhe mbaron historia e Ramazanit të këtij viti.

Por këto dallime nuk e bëjnë aspak të panatyrshme, përkundrazi, e bëjnë më të bukur sofrën e iftarit, sepse tek e fundit, çdokush ushqehet jo thjesht me çfarë shtrohet në tryezë , por dhe çfarë qarkullon në ajrin e këtij mjedisi, që vetiu përçon diçka ndryshe dhe jo vetëm përmes fjalëve të këmbyera. Për shembull dhe këtë e them pa frikë se gaboj, edhe një ateist i thekur si Filip Çakuli, që si gjithmonë dhe me gjithçka mund të argëtohet dhe të argëtojë tryezën ku është ulur, duke u tallur zemërgjerësisht edhe me këtë ritual, nuk do të mbetet i paprekur, edhe pse sado pa vetëdije, nga energjia pozitive e sofrës së një mbrëmje si kjo.

Në të vërtetë, më e bukura e iftarit të hapur, edhe për Filipin apo edhe për të tjerë, që njësoj si ai për Zot njohin vetëm vetveten, është fakt se iftari ka vend për të gjithë, ashtu siç ka diçka për t’i dhënë të gjithëve, përveç vendit ku janë ulur dhe pjatave që kanë përpara”, u shpreh Rama.

Menjëherë në atë çast kamerat e fokusuan Filip Çakulin, i cili u duk paksa i bezdisur të thoshte “çfarë thotë ky mo vlla…”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb