Ndërsa prej vitesh ishte në arrati dhe i dënuar me 10 vite burg për kultivim të lëndëve narkotike, Violand Braçellari rezulton se ka përfituar indirekt nga fondet publike të akorduara nga qeveria për bujqësinë përmes familjarëve të tij.
Skandali vërtetohet në dokumentet e siguruara nga News24 që tregojnë se babai, nëna dhe vëllai i 43-vjeçarit kanë qenë përfitues të skemave mbështetëse të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), për shtimin e krerëve të gjedhit. Të dhënat dalin në dritë pas ngjarjes së rëndë të 4 qershorit në fshatin Lozhan të Maliqit, ku gjatë një operacioni për kapjen e tij mbeti i vrarë efektivi i policisë Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij Edison Adri.
Ndërkohë, Prokuroria e Korçës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po hetojnë mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të operacionit për kapjen e Bracellarit. Sipas burimeve pranë hetimit, deri më tani nuk janë konstatuar shkelje proceduriale apo të protokollit nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë.
Sa i përket debatit mbi mungesën e forcave RENEA apo të Forcës Operacionale në aksion, grupi hetimor vlerëson se Policia e Korçës ka bërë një analizë korrekte të rrezikshmërisë së Braçellarit. Ai ishte në kërkim dhe i dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, por nuk rezultonte i proceduar për krime kundër jetës. Sipas burimeve, angazhimi i forcave speciale vlerësohet rast pas rasti dhe nuk është një detyrim që zbatohet në çdo operacion policor.
Por sir a policia në gjurmët e të shumëkërkuarit, që më herët i kishte shpëtuar dhjetëra operacioneve ku kishte marrë pjesë edhe RENEA?
Një ditë para ngjarjes, më 3 qershor, ai ishte kallëzuar në polici nga një çoban që kishte vetëm 15 ditë që punonte në stallën e tij. Sipas denoncimit, Braçellari e kishte kërcënuar me jetë dhe kishte refuzuar t’i jepte pagesën për punën e kryer.
Ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes që i mori jetën efektivit Enea Mekolli dhe u plagos Edison Adri. Ky i fundit po merr mjekim në Spitali e Traumës. Mjekim në spital po merr edhe autori i cili mbeti po ashtu i plagosur nga shkëmbimi i zjarrit.
