Nga: TEKI KOKA*
Pavarësisht se moralisht e ligjërisht, edhe politika shqiptare e tranzicionit i vlerësoi ushtarakët e FA-ve si kategori specifike e shoqërisë njëlloj si aleatët, shteti shqiptar mundet të veçohet përsëri si shteti i vetëm në glob që nuk i respektoi fare ushtarakët e saj, sidomos pas 1990-ës, ashtu si ata e meritojnë. Aspak për ndonjë privilegj, por për misionin e rëndësishëm e të vështirë dhe betimin solemn që kryejnë për mbrojtjen e atdheut dhe në shërbim të popullit të tij, duke sakrifikuar dhe jetën e tyre si asnjë shtetar tjetër. Në fakt, politika e tranzicionit, me arrogancë ekstreme jo vetëm i ka diskredituar e diskriminuar gjithmonë uniformat, duke mos zbatuar as statusin e ushtarakut (mars 2004) dhe regjimi berishist i dënoi dhe me gjobë me gjyqe speciale (me Gjykatë Kushtetuese) njëlloj si hajdutë, pa asnjë provë e pa asnjë faj, por vetëm për hakmarrje politike për gjithë jetën e tyre. Askush nuk e mohon se politika e tranzicionit është kujtuar për uniformat e FA-ve vetëm për t’i dërguar me alarm direkt në front (luftë) dhe fatkeqësi natyrore, në beteja me zjarrin, tërmetin, ujin, e gjithmonë me rrezik serioz për jetën e tyre, duke e përdorur gjithmonë pushtetin (politikisht), njëlloj si “kali” për të mbuluar lumin e pistë dhe korrupsionin e politikës kriminale, dhe pas kalimit të rrezikut uniformat kthehen në kazermë, përsëri në gatishmëri dhe gjithmonë me pajime te krevati, por përsëri me “xhepa” të ftohtë, me rroga qesharake, më të vogla se çdo nëpunës tjetër i shtetit e më shumë pa shtëpi, familjen pa punë e fëmijë pa shkollë, e gjithmonë gojëmbyllur, pse rregullorja i ndalon ata të ankohen. Politika shqiptare e tranzicionit, pa dallim me uniformat e FA-ve, ka qenë shumë djallëzore, e pabesë dhe kriminale, duke i përdorur uniformat vetëm politikisht, njëlloj si kriminelë, jo si mbrojtës të atdheut e popullit, që rrezikojnë gjithmonë jetën e tyre, por njëlloj si të përndjekurit e regjimit në demokraci. Politika e djathtë, me gjoja reformë i flaku ushtarakët në rrugë si leckë më 1992-shin, pa asnjë mbrojtje ligjore, dhe, në prag të dorëzimit të pushtetit (më 2013-ën), përsëri i dënoi për hakmarrje me gjobë dhe si debitorë, njëlloj si hajdutë, pa asnjë provë dhe me gjyqe speciale përmes gjykatës, duke shfuqizuar me arrogancë edhe statusin e ushtarakut deri në vdekje. Kurse politika e majtë gjithmonë i ka përdorur uniformat e FA-ve me një pension qesharak si lëmoshë, vetëm për vota elektorale, dhe pas rotacionit pushtetit në qershor 2013, përsëri nuk po e mbajnë premtimin për zbatimin e statusit dhe heqjen e gjobës berishiste vetëm për hakmarrje politike, dhe përsëri qeveria u premtoi uniformave shpërblime-lëmoshë, duke i mashtruar uniformat, për t’u rrëmbyer votën përsëri në zgjedhjet vendore. Pa dyshim, për moszbatimin e statusit të ushtarakut, të pensionit mujor qesharak dhe diskriminimin e tyre gjatë tranzicionit, përgjegjësi kanë edhe vetë uniformat e ushtrisë, sidomos pas ndarjes në disa shoqata, prej politikës djallëzore, por dhe mungesës së reagimit për shumë kohë, as me protesta e demonstrata për të kërkuar të drejtat e tyre të mohuara me arrogancë prej pushtetit në gjithë vitet e tranzicionit. Sidomos pas zbatimit të aktit normativ të qeverisë Nr.5, dt.10.11.2011 dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të shkurtit 2013 të “formës së prerë e përfundimtar” që i shpalli ish-ushtarakët fajtorë, duke i dënuar me gjobë pa asnjë provë përveç servilëve të oborrit dhe si debitorë ndaj shtetit, pa asnjë faj qysh prej vitit 2009, vetëm për hakmarrje politike. Por reagimi i uniformave, me protesta e demonstrata nën drejtimin e Shqup (shoqatës) duhet të vazhdojë gjithmonë, edhe ndaj qeverisë aktuale, që premtoi zbatimin e statusit të ushtarakut menjëherë pas rotacionit të pushtetit, por i mashtroi përsëri ish-ushtarakët. Por uniformat duhet të reagojnë edhe me padi tjetër civile në gjykatë, për mosprekjen e pensionit të tyre për vjetërsi shërbimi dhe parimit të sigurisë juridike, si të drejta të pacenueshme, të garantuara në Kushtetutën e Shqipërisë. Megjithëse ka kaluar një vit e gjysmë, akoma nuk ka ndodhur asgjë konkrete pozitive për uniformat e FA-ve, përkundrazi, vuajtjet janë shtuar më shumë, sidomos me zbatimin e vendimit arbitrar të Gjykatës Kushtetuese nr.2, të shkurtit 2013, kur pensioni i tyre u zvogëlua deri në 40%, prej gjobës berishiste për hakmarrje politike prej korrikut 2009. Megjithatë, ushtarakët po presin çdo ditë, përsëri me padurim, nga qeveria aktuale për anulimin e ligjit antikushtetues berishist Nr.10367, dhjetor 2012, dhe gjobës berishiste si debitorë në fund të mandatit të tij. Pa dyshim, uniformat nuk e pranojnë kurrë heshtjen dhe sidomos mashtrimin dhe mungesën e vullnetit të mazhorancës së majtë (qeverisë) për mosrealizimin e premtimit ndaj uniformave, kur mundësitë kanë qenë të plota dhe votat për të miratuar një ligj tjetër dhe financat për një shpërblim dinjitoz për sakrificat e vazhdueshme të tyre për mbrojtjen e Shqipërisë e në shërbim të popullit, pasi janë sakrificat e tyre që Shqipëria nuk u sulmua asnjëherë për pesë dekada, prandaj ata duhet të vlerësohen përgjithmonë, se e meritojnë. Por uniformat duhet të reagojnë fuqishëm edhe në zgjedhjet vendore të radhës, direkt me votën e tyre, duke votuar kundër diskriminimit e hakmarrjes politike permanente, sidomos kundër gjobës berishiste, por edhe ndaj gënjeshtrës e mashtrimit të qeverisë “Rama”, për mosrealizimin e premtimit ndaj ushtarakëve të FA-ve për të fituar të drejtat e tyre për shumë kohë e të mohuara padrejtësisht. Sigurisht, ushtarakët (ish) e FA-ve nuk kërkojnë kurrë lëmoshë, por vetëm dinjitetin e tyre, të nëpërkëmbur gjithmonë prej politikës djallëzore të tranzicionit dhe hakmarrëse, sidomos prej regjimit berishist. Pa dyshim, ishte vetëm vota masive e shqiptarëve që e rrëzoi regjimin berishist në qershor 2013, prandaj i ftoj shqiptarët që përsëri të votojnë masivisht edhe në zgjedhjet vendore të qershorit, për të rrëzuar dhe sundimin e tij, për të çliruar e fituar institucionet e qeverisjes vendore të kapura prej berishizmit. Qeveria e Rilindjes duhet të korrigjojë shënjestrën, sidomos ndaj uniformave të FA-ve, jo vetëm për mbajtjen e premtimit të saj pas rotacionit të pushtetit, por dhe si detyrim kushtetues ndaj tyre, si kategori specifike e shoqërisë e misionarë të shtetit dhe popullit të tij, dhe për t’i respektuar si ushtarakë të NATO-s, njëlloj si homologët e tyre.
(d.d/GSH/BalkanWeb)
