Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, është shprehur kritik ndaj përçarjeve brenda opozitës, duke deklaruar se kandidatët përballë Sali Berishës duhet të kishin dalë me një qëndrim të përbashkët.
Sipas Dukës, sa herë që grupimet opozitare arrijnë të harmonizohen, kjo shihet pozitivisht nga mbështetësit e tyre, ndërsa konfliktet dhe përplasjet vetëm sa shtojnë ndarjet politike. Duka paralajmëroi se përplasjet e forta mund të çojnë në krijimin e forcave të reja politike ose në afrimin e individëve me partitë ekzistuese, gjë që sipas tij do të thellonte edhe më tej përçarjen në opozitë.
Ai shtoi në ‘Programin e drekës’ në News24 me Ola Brukon se gara politike humbet kuptimin kur në fund mbetet vetëm një kandidat në garë.
“Kandidatët e tjerë përballë Berishës, duhet të ishin bashkuar. Sa herë që shohim kur këta harmonizohen, kënaqemi. Por kur kanë përplasje nuk na vjen mirë. Këto që kanë dalë ashpër, mund të krijojnë forca politike. Ndoshta do preferojnë dhe t’i bashkohen partive ekzistuese, do thellonte përçarjen. Janë bërë shumë. Se di se pse krijohen këto probleme, se Berisha kur ulesh në tryezë duket sikur e pranon bashkimin. Se di pse ndodh kjo gjë! Gara ka mbaruar, deri sa del me një kandidat, nuk ka garë!”, tha ai.
