Nga: ANDON ANDONI*
Që nga momenti i disa ditëve më parë, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndau “në formën e ndihmës financiare vjetore për vitin 2015” plot 190 milionë lekë nga buxheti i shtetit për partitë politike, për t’i përdorur në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, në një koncept pak më të gjerë, ky moment shënon edhe financimin e pritshëm të tyre, ose thënë më ndryshe, përdorimin e fondeve nga politika garuese në to, në shtrirje dhe sasi. Sipas Nenit 87, të Kodit Zgjedhor, ky fond nuk ka qenë “më pak se totali i shumave të shpërndara partive politike në zgjedhjet pararendëse” dhe po sipas pikës 2 të këtij neni, “për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, llogaritja e ndarjes së fondeve bëhet mbi bazën e votave të marra për këshillat vendor në shkallë vendi”.
Ky është një nga hapat e para të startimit të zgjedhjeve dhe përgjithësisht, gjatë këtyre 24 viteve ka ndjekur këtë rregullsi; janë shpërndarë sipas ligjit dhe po sipas ligjit, fare në raste të rralla ka ndodhur që keqpërdorimi i tyre apo detyrimi për kthimin në buxhetin e shtetit të fondeve të partive politike që nuk kalonin dot pragun elektoral, të këtë shënuar lajm?!
Nga ana tjetër, kjo pjesë e parave që përfitojnë partitë politike rakordohet në mënyrë tejet perfekte me përdorimin e tyre të post-zgjedhjeve dhe që përfshihet në nenin 91 “Auditimi i fondeve dhe shpenzimeve të fushatave zgjedhore” prej KQZ-së.
Kësisoj, llogaritë për fushatën zgjedhore të radhës, partitë i mbyllin brenda pesë ditëve pasi KQZ-ja shpall rezultatin përfundimtar të tyre dhe i mbyllin në mënyrë të tillë, sa që zor se gjen diku lajthitje dhe të çara në dokumentacionin e faturave dhe shkresave. Nga ana tjetër, ato bëjnë kujdes të jashtëzakonshëm, që pikërisht sasia e fondeve që kanë përfituar nga buxheti i shtetit, me vendim të KQZ, të kopsitet cep më cep! Kjo gjë asnjëherë nuk ka lënë hije dyshimi. Madje, duke studiuar raportet e ekspertëve kontabël që janë marrë me përmbylljen e fushatës zgjedhore të shkuar, vemi re se gjithçka është realizuar “sipas ligjit”. Përveç sasisë së fondeve të akorduara nga buxheti, tek-tuk dalin edhe disa “bishta”, sidomos te partitë e vogla, të cilat ia u kanë dhuruar, po sipas ligjit, nenit 89, deri në masën 1 milion lekë, disa “miq” fare të pa njohur në biznes dhe politikë… Kaq “pa rrëndësi” dhe periferike duket se janë këto fonde të dhuruara, saqë shtrenjtësia e fushatave zgjedhore shqiptare, që kanë përdorur kandidatët zgjedhorë dhe partitë politike, katandisin kokoshi një thelë. Përballë qyteteve, komunave dhe bashkive të vendit të veshura dhe stërveshura me propagandë milionëshe në postera, banderola, flamuj, strice, fletë palosje, fletë volante dhe transmetime televizive, qëndrojnë disa emra dhuruesish, deri në njëmilionëshe. Sipas ekspertes Stoli Laze, tek LSI-ja, Rexhep Bllami dhe Aldit Tabaku respektivisht 200 000 dhe 750 000 lekësh dhe ndonjë tjetër, kanë mbajtur zërin e “dhurimeve” te kjo parti. Ndërsa kontributet e anëtarëve të saj janë vetëm 147 000 lekë?! Te PS-ja nuk ka ndonjë emër konkret, por zëri “Donacione private” kap shifrën 45 308 650 lekë. Kurse të ardhurat nga anëtarësia zënë vetëm 1 724 325 lekë ose 2.15 % të të ardhurave! Ndërsa PD-ja në pushtet, më 2013-ën, ka një donacion nga individë 63 338 130 lekë pa dhënë emra, të cilët janë depozituar në regjistrin e posaçëm sipas modelit që KQZ-ja ka kërkuar nga subjektet politike. Kurse të ardhurat nga anëtarësia janë 3 469 730 lekë.
Sipas tabelës së të dhënave të ndarjes së fondeve buxhetore nga KQZ për partitë politike, për vendoret e këtij viti dhe krahasuar më ato të zgjedhjeve të shkuara, bie në sy se janë favorizuar disa parti të vogla dhe më të vogla, pa bërë ndonjë diferencim të madh tek tri partitë kryesore parlamentare të sotme, gjithmonë në raport me zgjedhjet e shkuara. Dhe kjo gjë, jo vetëm që është një sjellje e demokracive më të zhvilluara, por sepse mundësia për përfitime nga financimi publik është një dimension i rëndësishëm i konkurrencës së barabartë, e cila do t’i mundësojë partitë e vogla dhe të dobëta të jenë pjesëmarrëse serioze dhe sfiduese efektive të konkurrentëve në pushtet, ndarë kësisoj edhe në përfitime financiare në dy blloqe, nga njëra anë tri partitë e mëdha, PS, PD, LSI dhe nga ana tjetër, i gjithë blloku i partive të tjera.
Të gjitha partitë kanë nevojë për mundësi të barabarta për të rritur mbështetjen e tyre tek elektorati. Dihet tashmë se krahas burimeve financiare buxhetore, publike, në praktikën e njohur të vendeve të ndryshme të botës janë të njohura edhe tri forma të tjera financimi të partive dhe fushatave të tyre zgjedhore; mbështetje nga baza, anëtarësia dhe simpatizantët, para me interes dhe financimet e huaja. Secila nga këto tri burime të mundshme financimi është e lidhur me risqe jo vetëm për partinë politike përfituese, por edhe për vete funksionimin e suksesshëm të demokracisë.
Le t’i marrim secilën mundësi dhe të shohim pastaj edhe nevojën e investigimeve të mëdha që ka shoqëria jonë për përdorimin dhe mënyrën e përfitimit të tyre gjatë fushatave zgjedhore.
Nëse financimi publik, buxhetor është burimi dominues i një partie dhe fushatës së saj zgjedhore, kjo gjë e dobëson lidhjen financiare midis partisë dhe mbështetësve të saj, udhëheqjes dhe bazës, sado që duket se ky buxhet i “nxjerr nga dimri” partitë shqiptare. Sepse, sipas ekspertëve ndërkombëtarë, – nga njëra ana partia politike ndjehet e shkëputur prej elektoratit të saj, pasi burimi financiar është i të gjithë shoqërisë përmes mekanizmave shtetërorë dhe nga ana tjetër, baza anëtarësia, ndjehet e pamotivuar ndaj këtij kontributi. Nga ana tjetër, nëse partia mbështetet vetëm tek kontributet e vogla individuale, kur dihet që klientela e saj dhe anëtarësia janë përgjithësisht të varfër, fondet për aktivitetet partiake mund të jenë kaq të pamjaftueshme, saqë me to mund të jesh krejtësisht i paaftë të organizosh dhe të publikosh propagandë elektorale. Në të dy këto raste, fushatat elektorale dalin të zbehta. Mënyra e tretë e financimit, ajo përmes “parave me interes” është më e suksesshmja dhe njëkohësisht me risqe edhe më të mëdha, sidomos te demokracitë në zhvillim dhe ende të pakonsoliduara mirë. Partitë, duke besuar se edhe tek ne ka ndodhur rëndom një gjë e tillë, përmes kësaj rruge kanë mundur të grumbullojnë fonde pa hesap.
“Ashtu siç ekzistojnë politikanë në nevojë dhe dhurues fondesh të pangopur, ekzistojnë edhe politikanë të pangopur që kërkojnë dhurues në nevojë”, – konstaton studiuesi i çështjeve politike dhe financimit të saj, Aleksandër Herbert nga Universiteti i Kembrixhit, 1989-të.
Paratë me interes mund të jepen sepse komuniteti i biznesit mbështet një gamë të gjerë politikash, mbi të cilat një parti dhe një grup dhuruesish kanë rënë dakord mes palëve. Të tilla kanë qenë, për shembull, ndërvarësia e lidhjeve që LSI-ja vendosi para zgjedhjeve të 2013-ës me biznesin fason, duke e mbrojtur atë edhe përmes lehtësimeve fiskale pas zgjedhjeve. Deri këtu s’ka as gjë të keqe. Por në një shoqëri informale siç është kjo e jona, biznesmenë që ofrojnë “ndihmën e tyre” mund të nisen shpesh nga interesa përfitimi të pandershëm në treg dhe për më shumë, kërkojnë krijim favoresh prej politikës zgjedhëse.
Ai biznesmen kërkon të “blejë” përmes këtyre dhurimeve, mundësi hyrjeje në partinë që synon pushtetin ose të influencojë vendimet mbi politikën e veçantë. “Politikanët mund të kërkojnë një kontribut në arkën e partisë në shkëmbim të favoreve, dhënies së koncesioneve, kontratave qeveritare etj.”, – thotë Paltiel Khayyam Z. te “Financimi i partive politike në Kanada” Toronto 1970. Shumica e rasteve të biznesmenëve që nuk regjistrohen fare në librin e dhurimeve të politikës, pra të 1-milionshit, dhurojnë shumë më shumë se kaq dhe gati në mënyrë të barabartë te të dyja partitë kryesore që do përbëjnë nesër pozitë-opozitën e vendit dhe bëjnë kujdes, që identiteti mundësisht të mos iu figurojë gjëkund në formularët e auditimit të KQZ-së. Arsyeja është e thjeshtë, shmanget plotësisht investigimi që mund të ndodhë pas zgjedhjeve në rast të përfitimit prej tij të favoreve ekonomike dhe dhuruesi mbetet anonim për publikun, por jo për partinë politike a kandidatin fitues!
Për fondet e mbledhura me këtë rrugë “të cilësuar “dhurim me interes” në demokracitë e zhvilluara ka kanale të tilla që i bëjnë të dukshme dhe transparente si dhuruesit, në sasinë e tyre ashtu dhe përfituesit e fondeve “me interes”. Edhe në Kodin tonë Zgjedhor ekziston mundësia që pranë KQZ-së të grumbullohet informacion “që i paraqiten nga të tretët mbi objektin e auditimit”, por në të gjitha procesverbalet e auditimeve, ekspertët shprehen me superlativa “për rregullsinë e dokumentacioneve në përputhje me kërkesat e raportimit… duke dhënë një pamje të vërtetët dhe të sinqertë” siç shkruan eksperti N. Maze!
Transparenca do ishte guri i themelit për të dyja palët, politikën dhe “dhuruesit”, të cilët këta të fundit, shpesh e ndjenë veten të përdorur, nën trysninë e madhe të kërkesës dhe ofertës së të nesërmes paszgjedhore. Ata janë shpesh si në rastin e një bostanxhiu, tek i cili ke besim të patundur se të ka ofruar shalqirin më të pjekur, edhe pse as ai vetë nuk sheh dot brenda shalqirit, ti i beson verbërisht. Kështu ndodh edhe me propagandën e krahut fitues hipotetik, shto këtu edhe dozën subjektive të simpative apo antipative elektorale. Kështu që vjelja e fondeve është një çështje tejet e sofistikuar.
Kërkesa për transparencën e fondeve publike nuk ka lidhje me kërkesën për privatësinë e dhuruesit, politikës dhe shoqatat. Në çdo shoqëri paraja është një burim i rëndësishëm dhe kyç në konkurrencën për pushtet politik. Kjo konkurrencë, sidomos në fushatë zgjedhore, duhet të jetë e lirë, e drejtë dhe e barabartë. Por a kërkon kjo një transparencë të plotë të të gjitha fondeve të përdorura për qëllime politike? Sidomos rrjedha e parave me interes në procesin politik duhet të monitorohet. Jo rrallë “dhuruesit” vendosen përpara presionit për të bërë “dhurime të tilla” pa kurrfarë qejfi e dëshire. Madje, me frikën se këtë gjest, mund ta marrin vesh kundërshtarët politikë të subjektit që po ndihmon me donacion, kthehen dhe bëjnë të njëjtën gjë edhe për kundërshtarin e tyre.
Fondet e grumbulluara nga anëtarësia, edhe pse nuk zënë ndonjë peshë kushedi sa të madhe në buxhetin e fushatave zgjedhore në Shqipëri, në vendet e perëndimit ato janë më të sigurtat dhe kjo mbështetje e bazës merr një përparësi nga më të mëdhatë dhe konkurron çdo burim tjetër financimi. Që prej vitit 1974, zona e “parave të buta” të grumbulluara nga elektorati mbështetës është zgjeruar dukshëm në SHBA, që kurse gjykata vendosi t’u njohë votuesve, përveç formës mbështetëse paraelektorale me anë të tubimit, zërit mbështetës ndaj kandidatit, edhe formën e dhurimit në të holla, ky mekanizëm u bë mbizotërues në financimin e fushatave zgjedhore. Ato janë më të sigurta dhe me të pastra duke sjellë kështu forcimin e demokracisë së një vendi. Porse te ne, ai është një mekanizëm i përmbysur. “Paratë e buta” nuk i ofron publiku, por politika. Dihet që partitë politike, kush më shumë e kush më pak, e hapin thesin e ndihmës ekonomike, që nga thasët me miell, oriz e makarona për shtresat votuese në nevojë, e deri te para të thata në vlerën e 100 apo më shumë dollarëve për votues. Ky po bëhet një nga fenomenet më të mëdha në rrezikimin e demokracisë. Blerja e votës. Shto këtu edhe rrezikun e financimeve të huaja, siç u përfol gjatë fushatës së shkuar për burime nga vendet e Azisë së Vogël, rreziku është edhe më i madh. Ky burim i fundit i financimit është i rrezikshëm, sipas ekspertëve, nëse një parti në qeverisje varet shumë nga burime financiare të ofruara nga qeveri të huaja ose nga korporata ndërkombëtare, ku influenca e tyre mund të nënvlerësojë pavarësinë kombëtare dhe parimet demokratike të vetëvendosjes.
Së fundi, mund të themi se fushata zgjedhore sapo ka filluar në aspektin e mbledhjes dhe grumbullimit të fondeve të partive politike për vendoret e qershorit 2015. Në çdo demokraci paraja është një burim i rëndësishëm dhe kyç në konkurrencën për pushtet politik. Kjo konkurrencë, sidomos në kohën e zgjedhjeve duhet të jetë e lirë, e drejtë dhe e barabartë. Por a kërkon kjo një transparencë të plotë të të gjitha fondeve të përdorura për qëllime politike? Jo domosdoshmërish, sepse shumat e vogla të kontributeve në para nuk mund ta kamuflojnë influencën e dhuruesve të tyre në vlerën si mbështetës aktivë të partisë politike a kandidatit. Është e vështirë të vihet një vijë ndarëse midis punës vullnetare që bëjnë mbështetësit e partisë dhe kontributeve në vlera monetare “të buta” që bëjnë të njëjtët njerëz. Nga ana tjetër, rrjedha e parave me interes në procesin politik duhet të monitorohet dhe transparenca është një mënyrë e rëndësishme për këtë qëllim. Çdo demokraci duhet të punojë për masat e veta të transparencës së duhur. Transparenca duhet të sigurojë informacion për publikun që voton.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: