Një vatër zjarri u shfaq në orët e vona të pasdites së sotme në fshatin Kusarth, në Bashkinë e Elbasanit, duke rrezikuar një objekt me sipërfaqe të madhe.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje mbërritën punonjësit e shërbimit zjarrfikës me mjetet e tyre, të cilët ndërhynë me shpejtësi për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Falë reagimit në kohë dhe punës së koordinuar të efektivëve zjarrfikës, u bë e mundur vënia nën kontroll e zjarrit dhe shuarja e tij, duke shmangur përhapjen e flakëve dhe dëme edhe më të mëdha në objektin e përfshirë.
Shkaqet e rënies së zjarrit nuk dihen ende, ndërsa pritet që autoritetet përkatëse të kryejnë verifikimet për të përcaktuar shkakun e incidentit.
