Organizata më e madhe e futbollit, FIFA ka dënuar portierin e kombëtares shqiptare Etrit Berisha me dy ndeshje pezullim.

Në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e kampionatit botëror Rusi 2018 përballë Izraelit, portieri kuqezi u ndëshkua me karton të kuq pasi goditi me kokë kapitenin e skuadrës kundërshtare Eran Zahavi.


Pikërisht për sjelljen antisportive, Berisha do të humbë jo vetëm 1 por 2 ndeshje. Ndeshjet të cilat portieri do të mungojë janë ajo përballë Italisë, dhe ndeshja e kthimit me Izraelin.

Portieri i Atalantas përveç penalizimit me ndeshje do të ndëshkohet edhe me gjobë 5 mijë franga zvicerane.

Humbja 0-3 me Izraelin, veç paraqitjes së dobët në fushë të Kombëtares dhe gafave të De Biazit, u ndikua veçanërisht edhe nga një grindje e shkurtër që i kushtoi mjaft rëndë Shqipërisë dhe
portierit kuqezi, Etrit Berisha. Gjatë momentit të sherrit me Zahavin, portieri i kombëtares kuqezi, para goditjes me kokë, shihet nga pamjet filmike teksa i thotë në gjuhën angleze kapitenit të Izraelit: “Copë m..i”. Kjo fyerje si dhe përplasja me kokë e nxorën atë jashtë lojë me karton të kuq, duke e detyruar Shqipërinë të luante në fushë me 9 lojtarë.

(e.f/ BalkanWeb)