NGA: MENTOR KIKIA
Pas alarmit që dha një media britanike dhe angazhimit të aktivistëve për të drejtat e kafshëve, arinjtë në Shqipëri po shpëtojnë nga skllavëria. Arinj të mbyllur nëpër kafaze restorantesh për të tërhequr klientë, të cilët eglendiseshin duke i ngacmuar e duke bërë foto kur ata hungërinin nga pamundësia për të qenë ata që janë. Arinj që japin shfaqje para njerëzve, të cilët impresionohen nga bindja dhe nënshtrimi i kafshës krenare, lidhur me zinxhir në hundë, dhe para pronarit me dajre e thupër në dorë. Besoj se jemi një vend ku primitivizmi i mentalitetit dhe psikologjisë kolektive, dhe modernizimi i teknologjisë jetojnë në harmoni të plotë. Një foto publikuar në një media britanike tregonte se si një ari gjigant në kafaz, shqiptarët e dendnin me birrë për të bërë gallatë.

Në vendin e këtij gazetari, edhe në kopshte zoologjike apo parqe, kafshët nuk lejohet as t’i ushqesh, e jo më t’i ngacmosh për t’u argëtuar. Megjithatë, falë këtij alar mi, arinjtë po shpëtojnë. Arinjtë po çlirohen nga skllavëria. Më i fundit “i këputi” zinxhirët tre-katër ditë më parë. Ata po u drejtohen kopshteve zoologjike e më pas habitateve të tjera jashtë vendit. Arinjtë po shpëtojnë! Po shpëtojnë nga Shqipëria dhe shqiptarët, nga ata që i skllavërojnë, i dhunojnë dhe terrorizojnë. Po shpëtojnë nga “skllavopronarët”, nga lukunia e atyre që argëtoheshin, por edhe nga ata që e kishin për detyrë t’i mbronin dhe nuk e perceptonin se kjo ishte dhunë. Arinjtë po shpëtojnë! Po shqiptarët a do të shpëtojnë vallë nga skllavëria e tyre? A do të shpëtojnë dot, së pari, nga ndjesia e të argëtuarit duke i bërë keq tjetrit, qoftë ky edhe një ariu? A do të shpëtojnë nga mentaliteti dhe ligësia që na bën të vuajmë suksesin e tjetrit dhe të gëzojmë dështimin e tjetrit? Por duket se skllavërimi unë është më i gjerë.

Ne menduam se me heqjen e telave me gjemba në kufi në 1991, e me heqjen e vizave në 2010, kishim fituar të gjitha liritë e mundshme. Por duket se ne të gjithë jemi në një kafaz të madh, tashmë edhe pa derë, ku në një farë mënyrë kemi skllavëruar njëritjetrin. Jemi skllavëruar, sepse na mbajnë peng për një vend pune. Na mbajnë peng me bukën e gojës, sepse për t’i siguruar apo mbajtur këto, ne duhet të sillemi, mu bash si ariu që kërcen me zinxhir në hundë para pronarit që ka në dorë edhe dajren edhe thuprën. Ne duhet të duartrokasim, brohorasim, festojmë, protestojmë, gëzojmë, qajmë e mbajmë zi, kur e si të na e kërkojnë “pronarët”. Jemi të skllavëruar, sepse ne votojmë jo të lirë, kur një herë në katër vjet vijnë e na hedhin në kafaz mashtrimin e radhës, se do ua bëjmë kafazin më të bukur e më të begatë, na japin një pako me ushqime, apo ca para të ndyra që na i kanë vjedhur po neve. Jemi ta skllavëruar nga pamundësia për t’u orientuar se çfarë duhet të bëjmë për të dalë nga kafazi, pasi edhe pasi na e hapën derën, ne nuk po dalim dot. Jemi mësuar mesa duket me jetën e kafazit, brenda të cilit bashkohen të gjitha, mashtrimi, vjedhja, tallja, dhuna, skllavëria, mungesa e lirisë…. Shpesh zgjedhim apo mendojmë si zgjidhje arratisjen nga habitati ynë, ikim, por marrim me vete edhe kafazin edhe zinxhirin në hundë. Dhe që nga parqet e lira të Britanisë, Francës apo Europës Nordike, sërish flasim po për kafazin, sërish grindemi me njëri-tjetrin për “pronarët”, sërish bëjmë tifozëri dhe krenohemi se kush e ka thuprën më të gjatë me të cilën nga godasin kur nuk kërcejmë mirë, sepse sërish nuk jemi të lirë, të lirë në shpirt e në mendje. Dhe këtë liri nuk na e jep askush, nëse nuk duam apo nuk dimë ne.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: