NGA MOIKOM ZEQO

Në 1844 Schopenhauer-i në veprën e tij “Bota si vullnet dhe paraqitje” kapitulli 41 shkruan “Le ta pyesim veten me sinqeritet nëse dallëndyshja e kësaj vere është tjetër nga ajo e verës së kaluar dhe nëse realisht mes të dyjave mrekullia për të përftuar diçka prej hiçit ka ndodhur njëmijë herë për t’u përgënjeshtruar po aq herë nga asgjësimi absolut”. Më 1934, 92 vite më vonë, shkrimtari shqiptar Migjeni, 23 vjeç, e ka lexuar me ngulm dhe kërshëri rinore Schopenhauerin. Metaforën e dallëndyshes e ndjen si alegori shpotitëse e mbase të rrezikshme. S’e vret mendjen me atë që quhet arketipi i dallëndyshes, modeli platonian i saj.

Bën të kundërtën: e identifikon jo me dallëndyshet e tjera, por me gjësendet e botës. Migjeni shkruan: “Me habi sytë më ndjekin një dallëndyshe, e cila, për të zanë sa më shumë miza, stërhollonte gjithfarë lëvizjesh, akrobatike, tue rrëshqitë nëpër ajër, e mue më shkoi mendja se Shkodra, Ballkani, Europa, bota mbarë asht sëmurë prej këtij akrobacioni dallandyshuer. Besova se edhe kjo dallëndyshe do të thejë qafën në këto akrobacione, por atë e kishte falë Perëndia ma të shkathtë për jetë: pa pësue asnjë dhimbje kreje, u ngop me miza”. Pasazhi është një imazh në lëvizje plot dramacitet, baleti i egër i mbijetesës. Kështu, dallëndyshja, abstraguar e Migjenit dhe dallëndyshja po e abstraguar e Schopenhauer- it, s’janë zogu natyror.

Të dy luejnë me nocionin e dallëndyshes. Schopenhauer-i e bën simbol metaforik, Migjeni e rëndon, e zmadhon me identitete gjeografike, e satirizon përvujtësisht, duke theksuar padukshmërisht idenë e fillimit të një katastrofe, dmth., të Luftës së Dytë Botërore. Dallëndyshja e Migjenit ka brenda vetes miniaturën e një shpërthimi të madh, ku dallëndyshja abstrakte e Schopenhauerit humbet në hapësirë dhe në kohë.

FOTOGRAFI ME CERBERIN
E shoh një fotografi të Migjenit në moshën 24 vjeç. Ai është i ulur në një fron druri. Mban kapele republike e përballë tij është një qen race i zi. Profili i Migjenit dhe profili i qenit sikur janë fiksuar në një poster të një dialogu të shekujve. Ajo që e bën më intriguese dhe gati çmeritëse këtë fotografi është se poshtë të dyve duket e vendosur edhe një kapele republike tjetër, e njëllojtë si ajo që mban në kokë Migjeni. Fotografi me një qen dhe dy kapele.

Migjeni duket i qeshur. Qeni i zotëruar nga besnikëria proverbiale. Gjithçka duket si e rregulluar me kujdes nga një rregjizurë misteri. E vetmja që duket jashtë çdo gjeje të paramenduar është kapela poshtë, kapela pa kokë, kapela që duket sikur i përket (ose i përkiste) një tjetri, kapela e një kipci, që duhej të ishte por s’është. Kapela-gracka e një meditimi metafizik, që ngërthen imagjinatën pamëshirshëm dhe plot endje. Mbase kapela e një magjistari prej të cilës mund të nxirren ylbere, shamia fatale e Desdemonës, Lepuri i Marrë i Lizës në Botën e Çudirave, bilbili kitsian i Mjedës, lejleku melankolik i Filip Shirokës, muzgjet e liqenit të Shkodrës. Duke e parë këtë fotografi kupton një qëndrim filozofik hokatar të Migjenit më tepër me qenin se sa me kapelën bosh, apo kapelën që mban vetë.

Ç’është ky qen? Migjeni e kishte lexuar filozofin e pesimizmit universal Schopenhauer- in. Ky mendimtar gjerman bëri jetën e beqarit të vjetër (i urrente gratë) në Drezden. Mbante një qen, gjithashtu të zi të quajtur Atma (Shpirti i Botës), shëtiste me të rregullisht (në mënyrën e tij të jetuarit Schopenhauer-i imitoi Kantin) duke thithur një llullë të gjatë mes tymit fosforeshent të nikotinës. Schopenhauer-i e çmonte budizmin, besonte se Nirvana është ndriçimi i madh ku fragmentet e pafundme të botës, përtej identiteteve, janë e njëjta gjë. Por, mbase qeni i tij Atma dhe qeni (pa emër) i Migjenit as në Nirvanë nuk janë e njëjta gjë. Kjo kundërshti është e lejueshme dhe pak gazmore. Mund të përfytyrojmë (të imagjinuarit është një ves intelektual) se kapela e dytë në fotografinë e Migjenit me qenin është kapela hipotetike e Schopenhauer-it, i cili kishte vdekur në 1860, mes një fame bezdisëse dhe urrejtjeve të zilepsura. Po qeni?

Në tërë Biblën e Shenjtë përmendet vetëm një qen, qeni i njeriut të shenjtë Tobit, që bën udhëtime marramendëse profetike dhe në këtë apoteozë të tij qeni nuk e braktis asnjëherë. Edhe ky qen s’ka emër. Po e bëjmë një shtjellim in absurdus, pa u ndruajtur nga përballjet e rrepta përbuzëse. Në fotografinë me qenin, Migjeni duket (spikata) i qeshur. Fotografi memoriale e jetës. 3 vite më vonë Migjeni vdes. Ka gjasa që qeni përballë tij është një shëmbëlltyrë metaforike paraprijëse e qenit Cerber të Hadit. Po ky Cerber i motshmërisë pagane kishte tri kokë. Çdo tendosje (pak e sforcuar) e përfytyrimit e plotëson shëmbëlltyrën mitike. Është me të vërtetë Cerberi dhe i ka tri kokë: kokën e qenit, kokën e vetë Migjenit dhe kokën e munguar (të Shopenhauer-it?) të kapelës bosh. Ikonografikisht është një blasfemi e Trinitetit rutinor biblik, por njëkohësisht edhe një tjetërsim bizar dhe surrealist i vetë Cerberit totemistik të Hadit.

NJERIU DHE MBINJERIU
Dialog i imagjinuar
Bertrant Russell: – Le ta bëjmë një bisedë me personazhe që nuk janë takuar kurrë me njëritjetrin. Problemi etik, në kundërshtim me atë politik, ka të bëjë me simpatinë. Simpatia, në kuptimin e të bërit të palumtur prej vuajtjeve të të tjerëve, është deri në një farë mase e natyrshme për qeniet njerëzore; fëmijët e vegjël shqetësohen kur dëgjojnë fëmijë të tjerë që qajnë. Por, zhvillimi i kësaj ndjenje është shumë i ndryshëm në njerëz të ndryshëm. Disa gjejnë kënaqësi kur ushtrojnë tortura; të tjerë, si Buda, ndjejnë që nuk mund të jenë plotësisht të lumtur për aq kohë sa ndonjë gjë e gjallë vuan. Shumica e njerëzve e ndajnë njerëzimin emocionalisht në miq dhe armiq, duke ndjerë simpati për të parët, por jo për të dytët. Një etikë e tillë si ajo e kristianizmit apo e budizmit ka bazën e vet emocionale në simpatinë universale; ajo e Niçes në mungesën e plotë të simpatisë. (Ai predikon shpesh kundër simpatisë dhe në këtë aspekt ndjehet se ai nuk ka vështirësi për t’iu bindur aksiomave të veta).

Çështja është: Nëse Buda dhe Niçja do të përballeshin, a do të jepnin të dy ndonjë argument që do t’i apelonte një dëgjuesi të paanshëm? Nuk e kam fjalën për argumente politike. Ne mund t’i marrim ata me mend para të Plotfuqishmit, si në kapitullin e parë të librit të Jobit, e që i ofrojnë këshillë se ç’lloj bote duhet të krijojë Ai. Çdo të thoshte secili?

Guantamu Siddartu Buddha: – Unë, jam Buda, që po flas. Njeriu është trashëgimtar i veprës së tij. Qëllimi përfundimtar i njohjes është të qetësuarit e dhimbjes me anën e çlirimit nga prangat e të ndodhurit (të qenët). Mua më dhimbset njeriu. Kujtoni lebrosët, të flakurit në mjerim, të mjerët, të varfrit që rropaten me gjymtyrët plot plagë, që mezi e mbajnë shpirtin me fare pak ushqim, të copëtuarit në beteja, që vdesin në agoni të ngadaltë, jetimët e keqtrajtuar nga kujdestarët e pashpirt, e bile më të suksesshmit të ndjekur prej mendimit të dështimit dhe të vdekjes. Shpëtimi mund të vijë prej dashurisë ndaj tyre.

Friedrich Nietzsche: – Çfarë thua kështu o plak? Përmendu! Për atë qiell, o njeri, ti duhet të mësosh të jesh prej një materiali më të fortë. Pse vështron tërë frikë përreth ngaqë vuajnë njerëz të pavlerë? Apo, lidhur me këtë, ngaqë vuajnë njerëz të mëdhenj? Njerëzit e vegjël vuajnë në mënyrë të vogël, njerëzit e mëdhenj vuajnë në mënyrë të madhe dhe për vuajtjet e mëdha nuk duhet ardhur keq, sepse ato janë fisnike. Ideali juaj është një ideal thjeshtësisht negativ, mungesa e vuajtjes, që mund të sigurohet plotësisht prej mosekzistencës. Unë, nga ana tjetër, kam ideale pozitivë: unë admiroj Alkibiadesin dhe Perandorin Frederik II, dhe Napoleonin. Për hir të të tillë njerëzve, ia vlen çdo lloj vuajtje. Unë të apeloj Ty, o Zot, si më të madhit prej artistëve krijues, mos i lër impulset e Tua artistike të deformohen prej llomotitjesh të degjeneruara dhe të frikësuara të këtij psikopati të keq.

Guantamu Siddhartu Buddha: – Sa i pashpirt! Ju jeni gabim, profesor Niçe, kur mendoni se ideali im është një ideal thjesht negativ. Është e vërtetë që në ‘të përmbahet një element negativ, mungesa e vuajtjes; po ai ka si shtesë po aq që është pozitive sa ç’gjendet në doktrinën tuaj. Ndonëse unë nuk kam ndonjë admirim të veçantë për Alkibiadesin dhe Napoleonin, unë gjithashtu kam heronjtë e mi: pasardhësin tim Jezu, sepse ai u tha njerëzve të donin armiqtë e tyre; njerëzit që zbuluan si të zotërojnë forcat e natyrës dhe të sigurojnë ushqim me më pak punë; njerëzit e mjekësisë që kanë treguar si pakësohen sëmundjet; poetët, artistët dhe muzikantët që kanë kapur impresione momentalë të Bukurisë Hyjnore. Dashuria, dija dhe kënaqësia nga e bukura nuk janë mohime; ato janë mjaft për të mbushur jetët e njerëzve më të mëdhenj që kanë jetuar ndonjëherë.

Friedrich Nietzsche: – Përralla sentimentale o plak. Nuk më sugjestionon dot. Sidoqoftë, bota juaj do të jetë boshe. Duhet të stu diosh Heralitin, veprat e të cilit janë ruajtur të plota në librarinë e qiellit. Dashuria juaj është keqardhje, që përftohet nga dhembja; e vërteta juaj, po të jeni të ndershëm, është e pakëndshme dhe mund të njihet vetëm nëpërmjet vuajtjes dhe sa për bukurinë, a ka gjë më të bukur se tigri që ia detyron madhështinë dhe shkëlqimin e vet egërsisë së tij? Jo, nëse Zoti do të vendosë për botën tënde, kam frikë se ne të gjithë do të vdesim nga mërzia.

Guantamu Siddhartu Buddha: – Sa i nxituar jeni! Ju ndoshta, nga që doni dhembjen, dhe dashuria që keni për jetën është një mashtrim. Po ata që e duan jetën realisht, do të jenë të lumtur, meqë askush nuk mund të jetë i lumtur në botë ashtu si është ajo.

Bertrand Russell: I dëgjova që të dy. Ja logjika ime. Sa për vete, unë jam dakord me Budën që kam imagjinuar. Po nuk di si ta provoj që ai ka të drejtë nëpërmjet ndonjë argumenti të tillë, që mund të përdoret në matematikë apo në një problem shkencor. Nuk e pëlqej Niçen, sepse atij i pëlqen vrojtimi i dhembjes, sepse ai e ngre egoizmin e madh deri në një detyrë, sepse njerëzit që admiron më shumë janë pushtuesit, lavdia e të cilëve është zgjuarsia për t’i bërë njerëzit të vdesin. Por, unë mendoj se argumenti përfundimtar kundër filozofisë së tij, si edhe kundër çdo etike të pakëndshme, por logjikisht të qëndrueshme, konsiston jo në një apel ndaj fakteve, por në një apel ndaj emocioneve. Niçja e urren dashurinë universale; unë e ndjej atë si forcën motivuese për gjithçka që dua në këtë botë. Pasuesit e tij kanë pasur fitoret e veta, por mund të shpresojmë se atyre po u vjen fundi me të shpejtë.

Migjeni: – U ndodha dhe unë në këtë bisedë. Unë e kam adhuruar Niçen. I kam kushtuar një poezi “Trajtat e Mbinjeriut” (Dithyramb Nietzsche-an). Kam shkruar vargun “jeta e re lindet me vdekjen e njeriut”. Po si do të vdesë ky njeri? Njeriu si njerëzim? “Mendimet e mia nuk janë mendimet e njeriu që asht i kënaqun me jetën, por janë mendimet e një njeriu që vuan. Vuaj bashkë me fëminë, të cilit prindi nuk ia bleu lojnën, vuaj bashkë me të riun që digjet n’erotizëm, vuaj me pesëdhetvjeçarin që mbytet n’apatinë e jetës, vuaj me plakun që dridhet nga friga e vdekjes, vuaj me bujkun që lufton me tokë, vuej me punëtorin të cilin hekuri e ndrydh, vuej me të sëmundët e të gjithë sëmundjeve të krejt botës, por nuk vuej me ketë mizë, së cilës dallëndysha i kërcënohet e për motrën e së cilës tha një plakë: Gjynah, asht kenës i Zotit. Vuej me njeriun”!

Bertrand Russell: – Interesant Migjen. Ti vuan si Buda. A je budist?

Migjeni: – S’jam budist. Guantamu Siddhartu Buda: Mund të jesh edhe duke mohuar se je, biri im. Ti je i ndjeshëm. Shumë i ndjeshëm. Ndjeshmëria më bëri mua të heq dorë nga titulli i princit mbretëror. Pashë lypësin, lebrozin dhe të vdekurin, kuptova vdekjen e pashmangshme.

Migjeni: Filozofia tënde poetike o Buda është pasiviteti. Unë flas për shkatërrimin si ndërtim. Më dhimbsen të varfrit. S’dua të jenë përjetësisht të varfër. Raca njerëzore ka degraduar, por prej saj do të lindë “njeriu tjetër”.

Friedrich Nietzsche: – Do të lindë Mbinjeriu i pamëshirshëm. E kundërta e turmave. Turmat janë degradimi. Mund të mos jesh niçean dhe kur pohon se je i tillë. S’mund të jesh edhe i Budës, edhe i Niçes. S’je i prerë. Je i luhatur. Dy gjysma s’e bëjnë një të tërë. Ke vrullin e ashpërsisë sime dhe butësinë që s’më pëlqen të Budës. Qartësohu!

Bertrand Russell: Është si unë. Unë jam i treti mes të dyve. Ti Migjen je si unë. E dëgjova që shqiptove një varg “jeta e re lindet me vdekjen e njeriut”. Kjo më kujton tekstin e Apokalipsit, ku flitet për “një tokë të re dhe një qiell të ri”. Nëse beson tek Mbinjeriu, kjo nuk është rruga e ringjalljes së njerëzimit. Thyerja e arketipit të krishterë tek ty e ka lënë si jehonë metaforike një shpresë utopike. Gëzohem që u njoha me ty Migjen.

Migjeni: – Ah!

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb