Nga: ISIDOR KOTI*

Ka ikur koha e aksioneve të përbashkëta e vullnetare për pastrim e gjelbërim, as pushteti lokal (bashkia) nuk e përballon dot mirëmbajtjen e pallateve. Edhe individët (administratorët) apo kompanitë private të mirëmbajtjes nuk ia dalin dot nëse nuk mbështeten nga ligji për të arkëtuar tarifat nga të gjitha familjet e një pallati apo kompleksi banimi. Atëherë, çfarë duhet bërë? Kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe deri tani duket se vetëm detyrimi (ndëshkimi) ligjor mund të rregullojë bashkëjetesën në komunitet.
Për shumëkënd që banon në pallat, administrimi i hapësirave të përbashkëta është makth ditor. Në të shumtën e rasteve verën mungesë gjelbërimi, oborre të tejmbushura me makina, trotuare copë, hyrje shkallësh si “shpella”, pisllëk kronik, depozita uji kuturu, etj. Kultura e mirëmbajtjes dhe e riparimit e së përbashkëtës mbetet ende alarmante. Ndërtohen godina të bukura e më pas harrohen. Qytetari blen shtëpi me mijëra euro dhe kur vjen puna të paguajë një mijë lekëshin mujor, të sheh si taksidar ose hajdut me pagesë. Ama gjithandej sheh trotuare me gropa, puseta-pusi, pemë të thyera, fasada të shpëlara. Rregullimi i tyre kërkon para, jo hamendje.
Degradimi i hapësirave të përbashkëta është rutinë dhe fenomen epidemik. Përtej vullnetit dhe mirëkuptimit qytetar, ekziston një lloj pritshmërie dhe sigurie te shteti, duke qenë se ka struktura të veçanta që mbulojnë riparimet dhe mirëmbajtjen e mjediseve të përbashkëta. Por një lloj “pasiviteti”, i bartur nga e kaluara, duket se i kanë vënë “kapakun” degradimit të bashkëjetesës, ngaqë pushteti e ka të pamundur të administrojë vetë ambientet e përbashkëta nëpër pallate apo komplekse banimi. Pastërtia, gjelbërimi dhe rregulli janë disa nga kriteret pse qytetarët zgjedhin të jetojnë aty, prandaj “topi” i përgjegjësisë i ka kaluar vetë qytetarëve. Por kur bëhet fjalë për mirëmbajtjen, e konkretisht për pagesat mujore, për shkallët, ashensorin apo pastrimin, zor se banorët bëhen të gjithë në një mendje.
Qytetarët ankohen se jo të gjithë paguajnë dhe kjo vjen për shkak të gjendjes ekonomike dhe kulturës së munguar të detyrimeve të jetesës në komunitet. Edhe pse ligji parashikon penalitete për banorët që nuk paguajnë, si shume të tjerë, zor se zbatohet. Shteti i ka larë duart me to dhe me 40 faqe(!!!) ligj Nr. 10 111, ia ka kaluar këtë detyrim banorëve përmes “ansambleve”, të cilat duket se nuk kanë potencialin e duhur për të marrë vendime unanime dhe ligjzbatuese. Qytetarët nuk i bën “zap” asambleja, por pushteti. Ligji nuk stimulon, por përkundrazi cenon bashkëjetesën urbane teksa vë banorët përballë njëri-tjetrit, duke provokuar tensione, deri dominimin e të “fortëve”. E po shkoi puna deri në gjyq ndaj komshiut që e sheh çdo ditë në ashensor, më mirë shite shtëpinë e bli gjetiu!
Administrimi i hapësirave të përbashkëta është sipërmarrje e madhe dhe mjaft e vështirë. Dikush duhet t’i dalë për zot. Banori jo e jo. Por ka zgjidhje. Ose ata që ndërtojnë të marrin përsipër menaxhimin dhe jo t’ia mbathin dhe t’i lenë banorët me ansamble që të zgjidhin hallet, ose shteti të licencojë privatë që të mbulojnë jo një pallat apo kompleks, por zona të caktuara të qytetit, duke iu siguruar arkëtimet e tarifave të administrimit përmes faturave publike (të ujit ose dritave). Në dorë të ansambleve apo përfaqësive të pallateve duhet të lihet kryerja e analizës së përhershme të performancës, duke kontrolluar individët e licencuar apo kompanitë e mirëmbajtjes për efekt besueshmërie dhe sigurie në arkëtime dhe investime. Nëse kjo nuk ndodh, do të bëhet më keq.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: