Nga ARBEN KARAPICI

Pas 18 vitesh socializëm, Venezuela është e rrënuar ekonomikisht. Kequshqyerja e fëmijëve ka arritur nivelin më të lartë që prej viteve ‘80. Klima politike karakterizohet nga kërcënimet, spiunimet dhe dhuna ndaj atyre, që guxojnë të mendojnë ndryshe. Kjo është panorama e kahershme e jetës korrente në Venezuelë, mbi të cilën rritet dhe zhvillohet prodhimi, konsumi dhe trafiku i të gjitha drogave. Që nga vdekja e Çavezit, Partia Socialiste e Unitetit është përçarë dhe një nga arsyet është “lufta e karteleve të drogës” brenda partisë në pushtet. Në Venezuelë, regjimi famëkeq çavist e ndaloi një referendum kundër presidentit të vendit Hose Maduro. Dhe kjo do të thotë se shumica prej dy të tretat në parlamentin e Karakas është tani krejt pa vlerë.

Kjo do të thotë, ca më shumë, se askush në këtë vend latinoamerikan nuk mund të flasë për demokraci. Klika që sundon në Venezuelë e shkeli me këmbë demokracinë dhe bota e vështron të gjithën, më e shumta, veçse me interesim. Ndërsa pyetja më thjeshtë duhet të jetë se çfarë duhet të ndodhë më shumë në këtë vend, që bota më në fund të reagojë në mbështetje të opozitës demokratike? Prej gati një viti, opozita në parlamentin e Venezuelës ka një shumicë të konsiderueshme, e cila duhet pranuar, që është e arritur përmes zgjedhjeve demokratike. Ka një vit pra, që dy të tretat e zgjedhësve e kanë shprehur në mënyrën më të qartë, se ata nuk duan më qeverinë “çaviste” nën drejtimin e këtij presidenti, me emrin Nikolas Maduro.

Pse është kështu, prej një viti, kjo shumicë me dy të tretat demokratike po injorohet, po pengohet, derisa u minua nga nostalgjikët e presidentit të vdekur marksist Hugo Çaves. Në parlamentin e Karakas nuk është gjë e re të shohësh gjithnjë truke të reja kundër vullnetit të shumicës. Me marifete të palodhura, burokratët e zellshëm të Hose Maduros i kanë gjetur gjithmonë mënyrat për t’i minuar të drejtat kushtetuese të parlamentit. Fillimisht, përbërja e re dhe shumë e dyshimtë e Gjykatës Kushtetuese, që prej shumë vitesh po siguron kontrollin e kreut të shtetit mbi të gjitha vendimet e gjykatës më të lartë të vendit. Pastaj, vjen injorimi i shumicës, që ka dy të tretat e vendeve në parlamentin e Karakas. Pastaj, paditë e dyshimta kundër opozitarëve. Më pas taktikat zvarritëse deri në sabotim të komisionit qendror elektoral, dominuar krejtësisht nga “çavistët”, zvarritje kundër të gjitha hapave të deritashme dhe ligjore për kryerjen e referendumit. Në vazhdim, represioni kundër të gjithë mbështetësve të procesit për shkarkimin e presidentit Hoze Nikola Maduro. Dhe tani, veçse një javë përpara mbledhjes së nënshkrimeve të dyta, erdhi ndalimi i referendumit kundër presidentit.

Natyrisht, se ndalimi bëhet, siç po thuhet, “përkohësisht” dhe po të besosh propagandën zyrtare të qeverisë, nuk ka asnjë shkak për shqetësim. Edhe protestat ndërkombëtare nuk nevojiten. Të gjitha detajet e këtij “vendimi”, sa i çuditshëm aq edhe të diskutueshëm, as që duhet të verifikohen dhe veç një vështrim në zhvillimet e fundit do të mjaftonte. Fakti që njëkohësisht me ndalimin e referendumit kundër Maduros, u shpall edhe “ndalim-dalje” nga vendi kundër disa drejtuesve kryesorë të opozitës, e bën krejtësisht të qartë tashmë, se regjimi çavist është kapur me të gjitha mjetet në pushtetin e tij. Pikërisht, këtë realitet pushtetor në Venezuelë, demokracitë e kësaj bote nuk mundet ta pranojnë, ose kanë ndërmend ta pranojnë edhe për ca kohë, derisa ndaj kësi pushtetarësh të humbasë çdo lloj besimi i mundshëm ndërkombëtar. Dhe me sa duket, kështu po bëhet. Shtetet e Bashkuara ende nuk janë plotësisht të çliruara nga fushata elektorale. Presidenti i sapozgjedhur, Donald Tramp është në përgatitje të marrë mandatin në krye të Shtëpisë së Bardhë, më 21 janar 2017. Europa ka boll probleme të tjera dhe merret kryesisht me ato të vetat.

Kurse fqinjët e Amerikës Latine nuk janë të gjithë, në të njëjtin mendim. Dhe çfarë mund të bëhet, kur edhe sanksionet ekonomike kundër një vendi, si Venezuela, që socializmi i ka shkaktuar krizën më të rëndë të furnizimit në historinë e tij, nuk duket, se kanë vlerë dhe aspak efekt?! Mësimi më i hidhur, që merr opozita venezueliane, madje tashmë e ka marrë, është se loja demokratike dhe korrekte nuk ia vlen më në Karakas. Deri tani, “aleanca opozitare” është mbështetur vetëm tek besimi, shndërrimi paqësor në kutitë e votimit. Dhe ia ka arritur që t’i shmangë konfliktet e dhunshme. Por, me sa duket, janë vetëm konfliktet e dhunshme dhe të përgjakshme, ato që mundet dhe tërheqin vëmendjen e ndërkombëtarëve. Dhe në mos të përgjakshme, të jenë të tilla zhvillime, të cilat të shkaktojnë ikje masive në vende të tjera. Sidoqoftë, këto që po shihen dhe po numërohen janë zhvillimet në Karakas, që po thellojnë më tej krizën politike në Venezuelë. Demonstruesit kundër qeverisë vazhdojnë të tubohen në protestat masive. Në kongres u votua për hapjen e procesit politik kundër presidentit Nikolas Maduro, me shpresë për ta përmbysur këtë lider socialist dhe aspak popullor në shkallë vendi.

Shkolla e qendra tregtare në kryeqytetin Karakas janë mbyllur ose mbyllen dhe demonstruesit marshojnë në mbështetje të fushatës politike për shkarkimin e kreut të shtetit Nikolas Maduro në vendin latinoamerikan tradicionalisht majtist. Më parë, autoritetet zgjedhore kishin bllokuar shkarkimin e presidentit, ndërsa situata e nderë u tensionua ndjeshëm, kur shumica opozitare votoi për fillimin e procesit politik anti-Maduro dhe duke e akuzuar presidentin për shkelje nga më të rëndat të kushtetutës së vendit. Bosi i drogës-kryetar parlamenti? “Diosdado Kabelo duhet ta ketë vënë re në qershor 2014, se diçka nuk po shkon në rregull me shefin e sigurisë, Leamsi Salazar”. Kështu, së paku, i tha kryetari i Parlamentit të Venezuelës në janar 2016 stacionit radiofonik kolumbian “Blu Radio”. Kurse e përditshmja spanjolle “ABC” pati njoftuar atëherë se shefi i sigurisë së Kabelos, Lemsi Salazar “kishte shpifur” për të tek autoritetet amerikane, duke e quajtur “figurë udhëheqëse e tregtisë venezueliane të drogës”. Natyrisht, se këto akuza duhen quajtur, padyshim, të rreme.

Dhe kapiteni i forcës ajrore venezueliane, që dezertoi, nuk mund të ishte “truproja” e tij. Vetëm kështu mundi ta kundërshtonte dhe ta mohonte Diosdado Kabelo, i cili madje njoftoi dhe hapa ligjorë kundër shtypit të vendit. Presidenti i Venezuelës, Maduro, u hodh menjëherë në mbrojtje të zëvendëskryetarit të partisë së vet, duke e cilësuar raportimin e medias si “pjesë e fushatës e bashkërenduar” të opozitës, e mbështetur kjo nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kundër “Revolucionit Bolivarian”, siç e quan partia në pushtet sundimin e saj në Venezuelë. Duhet thënë dhe mbajtur parasysh që marrëdhëniet mes SHBA dhe Venezuelës janë prej vitesh të tendosura, edhe për shkakun se venezuelianët në mërgim, të cilët jetojnë në Florida, mbështesin financiarisht opozitën në vend. Me akuzën e shkeljes së të drejtave të njeriut, muajt e fundit qeveria e Shteteve të Bashkuara vendosi edhe sanksione ndaj disa anëtarëve të qeverisë së Venezuelës.

Që autoritetet amerikane kanë filluar të hetojnë ndaj kryetarit të parlamentit të Venezuelës, siç e njoftoi së fundi edhe gazeta “The Wall Street Journal”, ky fakt shkon dhe i përshtatet krejtësisht retorikës me drogën dhe për drogën në Karakas. I fajësuari Diosdado Kabelo akuzoi, ndërkohë, për “shpifje të rëndë” tri media venezuelane, që kishin transmetuar lajmin e ‘ABC’-së, spanjolle. Në fundjavën e kaluar, një gjykatëse lëshoi edhe urdhrin për “ndalim-udhëtimi jashtë vendit” ndaj 22 gazetarë dhe drejtues të gazetave, “El Nacional”, “Tal Kual” dhe “La Patilla”, për shkak të shpifjeve të rënda dhe të përsëritura”. Përveç kësaj, të paditurit duhet të paraqiten një herë në javë në gjykatë, shkruan “El Nacional”, ashtu siç e kishte kërkuar Kabelo. Por, kaq kollaj, akuzat nuk mund të fshihen nga opinioni dhe as nga ai venezuelian. Sepse dyshimi që kreu i parlamentit, Diosado Kabelo është përzier dhe i përfshirë në prodhimin dhe tregtinë e drogës nuk vjen papritur.

“Venezuela në vitet e fundit është bërë një qendër e tregtisë ndërkombëtare të drogës”, tha edhe këshilltari politik amerikan, Duglas Farah. Kjo supozohet edhe nga një rritje e konsumit në mënyrë masive të drogës në vend, “kartelet paguajnë tregtarët ndërmjetës të drogës. Ata e shesin pastaj në vend për të fituar para”, shpjegon Farah, i cili në vitet ‘90-të ka raportuar si gazetar për gazetën “The Washington Post”, nga kryeqyteti kolombian Bogota. Më së voni, nga viti 2008 e këtej, sidomos, dëshmitë janë të shumta, se qarqet nga më të lartat qeveritare në Venezuelë i kanë lejuar bizneset ilegale dhe kanë përfituar prej tyre, thotë Farah. “Shumë dëshmi të dëshmitarëve, që përputhen dhe mbështesin të gjitha njëra-tjetrën, po kështu edhe rezultatet e autoritetit amerikan të drogës DEA, si edhe transportet masive të kokainës, nga aeroportet zyrtare venezueliane për në vendet e Amerikës Latine i bëjnë këto akuza shumë të besueshme”. Kur vdiq Hugo Çavez në 5 mars 2013, me përjashtim të Kolumbisë dhe të Paraguajit, të 12 shtetet e Amerikës së Jugut drejtoheshin nga parti socialiste, ose socialdemokrate.

Mandati presidencial në Venezuelë shkoi, pas debatesh, tek pasardhësi i caktuar nga Çavezi, Nikolas Hoze Maduro, i cili që prej atëherë e drejton vendin siç e donte Hugo Çavez, por paaftësinë e “mentorit” të tij politik. Tri vite e gjysmë më vonë pas 18 vitesh socializëm, Venezuela është e rrënuar ekonomikisht. Kequshqyerja e fëmijëve ka arritur nivelin më të lartë, që prej viteve ‘80. Klima politike karakterizohet nga kërcënimet, spiunimet dhe dhuna ndaj atyre që guxojnë të mendojnë ndryshe. Kjo është panorama e kahershme e jetës korrente në Venezuelë, mbi të cilën rritet dhe zhvillohet edhe prodhimi, konsumi, si dhe trafiku i të gjitha drogave. Që nga vdekja e Hugo Çavezit, Partia Socialiste e Unitetit (PSUV) është e përçarë dhe një nga arsyet më bindëse është edhe “lufta e karteleve të drogës” brenda partisë në pushtet. Akuzat e Leamsi Salazar rreshtohen në këto dëshmi. Që pas deklaratës së tij qëndrojnë edhe fshihen interesa shumë të ngushta personale, kjo është shumë e qartë, por Salazar, ndërkaq, di shumë për burimet e financimit, që ushqejnë Partisë Socialiste të Unitetit.

Edhe pse ai nuk ka qenë truproja e Kabelos, ai ka qenë për shumë vite më i besuari i kryesisë së partisë. Këtë e thotë edhe vetë, që ky ishte “ndër pesë më të besuarit” e ish-numrit një në Venezuelë. Diosdado Kabelo ishte një ndër “të besuarit më të vjetër” të themeluesit të partisë, që ka vdekur tashmë nga kanceri, Hugo Çavez. Në vitin 1992, ata dështuan së bashku në tentativën e tyre për të realizuar një grusht shteti. Për një kohë të gjatë, Diosado Kabelo luante në Partinë Socialiste në pushtet, PSUV, një rol shumë më të madh se presidenti i sotëm, Maduro. Togeri i dikurshëm i Ushtrisë Popullore Venezueliane ka pasur shumë poste ministrore dhe fillimisht u diskutua të bëhej pasardhësi i Çavezit, kur u konstatua se ai mund të vdiste nga kanceri. Dhe si një pasardhës i preferuar i Çavez, presidenti i sotëm, Maduro përfiton nga imazhi i tij. Me urdhër të Çavez, Hoze Maduro u bë kryetar i PSUV dhe në fund president.

Së paku, që atëherë PSUV konsiderohet e përçarë në nacionalistë të afërt me ushtrinë dhe rreth Kabelos dhe çavistët e marksizmit ortodoksist, të bashkuar rreth Maduros. Gjithnjë e më shpesh, në Venezuelë qarkullojnë edhe zëra se ushtarakët mund ta rrëzojnë presidentin Hoze Maduro. Në shumicën e rasteve, këto zëra vijnë nga opozita, që do të thotë se tingëllojnë të besueshme, për shkakun se pushteti i qeverisë nuk ndikohet aq shumë nga personi i Maduros, si dikur nga ai i Çavez. Madje, sipas vëzhguesve, “brenda partisë Kabelo është më i fortë” se Maduro, edhe për arsyen se ai është më dinak. Por këtij i nevojitet shumë Maduro, sepse duke qenë pasuesi i preferuar i Çavez, presidenti Maduro gëzon “mbështetjen pa rezerva” të çavistëve, që janë të shumtë, edhe jashtë radhëve të partisë. Sikur autoritetet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dëshmojnë me të vërtetë se Kabelo është aq i përfshirë sa thuhet në tregtinë ndërkombëtare të drogës, kjo mund ta dobësonte në shumë drejtime aftësinë e tij vepruese.

“Në rang ndërkombëtar ai nuk do të ishte në gjendje të bënte më asgjë. Në Amerikën Latine prestigji i tij do të dëmtohej dhe opozita venezueliane do të kishte më shumë argumente kundër tij”, thotë këshilltari politik amerikan, Duglas Farah. Vetëm brenda partisë, kjo gjë nuk do të kishte gati asnjë ndikim. Sepse kreu i parlamentit, Diosado Kabelo dhe kreu i shtetit, Nikola Maduro i duhen njëritjetrit, pikërisht për të qëndruar sa më gjatë në pushtet. Zhvillimet politike në Venezuelë janë të tilla, të cilat në mos e kanë shtruar, tashmë Kabelo dhe Maduro po e shtrojnë rrugën për diktaturë. Prandaj dhe ky kapitull nuk duket se do i prishë lidhjen dhe pazaret e tyre. Ama, për aq kohë sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos e nxjerrin “Asin” nga mëngë.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: