NGA HALIL RAMA

Shkrimtari, dramaturgu, skenaristi dhe politikani Teodor Laço sot, më 29 shtator, ka 80-vjetorin e lindjes. Në këtë përvjetor të tetëdhjetë, ai sjell ndërmend kujtime, kohë të shkuara, nostalgji rinie, punë dhe përpjekje mes njerëzve të dashur, miqve dhe shokëve, prej të cilëve, siç shprehet ai me modesti, “një pjesë të mbeten bashkudhëtarë dhe plot të tjerë, kanë kohë që kanë shkuar nga kjo botë, duke lënë pas kujtimet”. Por për një shkrimtar tetëdhjetë vjeçar, jeta dhe bota, fare mirë mund të vijnë edhe përmes letërsisë së shkruar dhe botuar ndër vite, si një dritare e së shkuarës dhe të tashmes. Ai lindi dhe u rrit në Dardhë të Korçës. Në atë fshat që sipas tij, nuk ka të dytë, “në fshatin tim malor, do shkruaj në një tregim, netëve të verës, qielli është një magji që mund të mrekullojë edhe shpirtrat e thatë. Gjithësia e hap gjirin në një tejdukshmëri të ndritshme dhe atëherë, etja të duket më pranë së kurrë me hënën e madhe që lëviz si mbi një lundër në detin e errët të kreshtës mbi korijen e Shën Pjetrit, me yjet e mëdhenj që vezullojnë dritë shkëlqyese, me yjet e vegjël që regëtijnë në të venitur, me yjet që bien e digjen, duke ndjellë trishtim për jetët që shuhen”.

“THËRRIME” NGA “THESI POETIK” I LAÇOS
Teodor Laço, me korpusin e tij letrar, që përfshin më se 50 tituj romanësh, vëllimesh me tregime, dramash, komedish e kujtimesh, zë vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe. Si romancier, tregimtar, dramaturg, komedian, eseist, komentator, opinionist e politolog, ai, padyshim, njihet nga lexuesi shqiptar, por dhe ai i huaj ku është përkthyer, si një nga kolosët e letrave shqipe. Por, nëse në këto gjini, Laço radhitet me elitën krijuese të kombit, ai si poet njihet pak. Jo se nuk ka shkruar poezi, por ato i ka ruajtur si “thesare” të laboratorit të tij krijues. Por pikërisht, në pragun e 80-vjetorit të lindjes së tij, nga labirintet e këtij laboratori arritëm të zhbirojmë talentin e tij të rrallë edhe në harkun kohor të pesë dekadave, përmbajtja e të cilave rrok hapësira të gjera dhe përfshin gjithçka që ka të bëjë me jetën tonë. Mjafton qoftë edhe kjo përzgjedhje për t’u mrekulluar me poezinë e Laços që është poezi përqendrimesh dhe me karakteristika shumë të sakta, për sa i përket formës dhe kompozicionit. Gjen në këtë cikël tituj shumë intrigues që të bëjnë për vete që në krye të herës.

Mendimin e thellë filozofik të këtij gjeniu krijues e dallon qoftë dhe në vargjet: “O, si hesht, si nuk pëlcet zemërimi/I lidhur në prangat e durimit!” Në tërësinë e tij, ky cikël (si edhe qindra vjershat e pabotuara të Laços), shpalos profilin poetik të një poeti me ndjeshmëri të lartë, me teknika vjershërimi midis tradicionales dhe modernes e postmodernes, me një pasuri të begatë mjetesh dhe teknikash poetike, me struktura vargjesh e strofash të zhdërvjellëta, që e kthejnë formën në një procedim të mesazhit estetik. Qoftë dhe nga këto “thërrime të thesit të tij poetik”(siç shprehet ai vetë) mund të konkludojmë jo vetëm për larminë tematike të botimeve, por edhe për cilësinë e produktivitetin e tyre.

NË LETËRSINË E LAÇOS LËVRIJNË PERSONAZHE INTERESANTE
Në letërsinë e Laços lëvrijnë pafundësisht vajza dhe gra, studente dhe gjeologe, agronome dhe fshatare, mjeke dhe artiste. Të dashuruara dhe fatkeqe. Me dramë të jashtëzakonshme si partizania e plagosur që përdhunohet prej Demos, deri edhe e vdekur, apo me fund të lumtur si Ana, tek tregimi me një antagonizëm dashuror të jashtëzakonshëm kur njeriu provon ta zgjojë atë tek vetvetja e harruar dhe e fjetur, apo “Ngrohtësia e të tjerëve”. Në veprat poetike e prozaike, dramaturgjike apo studimore të Laços ndërthuret një lëndë letrare shumëngjyrëshe me dramacitet drithërues, plot shpirtëzime estetike që bulojnë nga brendia e përmbajtjes. Siç është shprehur shkrimtari Andon Andoni “vepra letrare e këtij shkrimtari ka vend për analiza të thella dhe që, duke iu qasur asaj në tri dimensione: të kohës së shkrimeve, gjedheve dhe llojeve të gjinive letrare që lëvroi, si dhe tematikës së gjerë që trajtoi në to, do të përmbushej një boshllëk i madh që kritika letrare në veçanti, por dhe studiuesit e fushës së letërsisë në përgjithësi, u kanë borxh letrave shqipe të më se një treçerek shekulli”.

Teodor Laço ka filluar të botojë që prej viteve ’60. Është autor i shumë romaneve, novelave, përmbledhjeve me tregime, dramave, komedive, skenarëve të filmave artistikë dhe dokumentarë. Disa prej librave të tij janë vlerësuar me çmimet më të larta që jepen në Shqipëri, ndërsa pjesë të rëndësishme të veprës së tij janë përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja. Romanet e tij “Përballimi”, “Të gjithë lumenjtë rrjedhin”, “Lëndina e lotëve”, “Gropas 67”, etj. zënë vend të veçantë në fondin e artë të letërsisë shqipe. Pas viteve ’90 është angazhuar edhe në jetën politike të vendit, për dymbëdhjetë vjet ka qenë deputet në parlamentin shqiptar, ministër i Kulturës në vitet ’94 -’97 dhe ka përfaqësuar shtetin shqiptar si ambasador në Federatën Ruse. Në politikë, Teodor Laçon e gjejmë që me fillimet e demokracisë. Ai është një nga themeluesit e Partisë Socialdemokrate, duke qenë dhe nënkryetar i saj deri në vitin 1994.

Do të hynte si pjesë e legjislativit nga zgjedhjet e lira pluraliste më 1992, duke vijuar si deputet edhe për tre legjislatura me radhë. Në vitin 1995 krijoi partinë e re Bashkimi Socialdemokrat (Sot Bashkimi Liberal), parti të cilën e drejtoi për një dekadë, duke e bërë deri dhe me grup parlamentar. Ndërsa për veprat e tij letrare, Laço është nderuar me tri Çmime të Republikës, si dhe me Çmimin “Migjeni”. Dimensioni njerëzor i Teodor Laço dhe proza e tij janë të admiruara për këdo, në kohën tonë dhe do t’u mbijetojnë kohërave të ardhshme. Pikërisht për këto merita, Ministria e Kulturës, Shoqata Informacion-Kulturë- Art (IKA) dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë, i kanë propozuar Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani, që t’i akordojë Laços, si fitues i disa çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, dekoratën “Nderi i Kombit”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: