ATHINE- Qeveria greke ka shpallur zi kombëtare tre-ditore pas përmbytjeve masive që prekën vendin, duke shkaktuar 15 të vdekur. Mediat greke raportojnë se autoritetet kanë urdhëruar që të kryhen hetime për situatën e krijuar.

Moti i keq dhe përmbytjet gati apokaliptike përveç 15 viktimave, shkaktoi plagosjen e 21 të tjerëve, ndërsa qindra shtëpi dhe dyqane u dëmtuan. Situata paraqitet problematike në Athinë dhe Mandra, një zonë e populluar vetëm 27 kilometra larg kryeqytetit helen.

Mësohet se në Mandra jetojnë 600 familje shqiptare, ku 100 prej tyre janë prekur nga përmbytjet. Ndërkohë, në Perama janë 430 familje shqiptare.

Greqia dje shpalli gjendje të jashtëzakonshme në ishullin Simi, i cili u përfshi nga stuhia për shkak të së cilës ishte ndërprerë energjia elektrike dhe uji, shumë shtëpi janë vërshuar dhe një numër i madh i automjeteve kanë përfunduar në det.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb