Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

“Demokraci reale” apo “Diktaturë Demokratike”?!

xhevat-mustafa

NGA: Xhevat Mustafa
…Jo pak njerëz mund të shtyhen të pyesin vetveten dhe të tjerë: “Jemi në “Demokraci reale”, apo në “Diktaturë Demokratike”? Çfarë duhet të bëjnë në këto kushte, që as të kemi frikë dhe as të rrezikojmë?

Siç po shprehet, kuptohet dhe përjetohet gjithnjë e më qartë, ka ardhur një kohë kur edhe në demokracinë e reklamuar si kampione për liri e të drejta, duhet të kesh frikë për shumëçka. Natyrisht, është e pritshme, e kuptueshme dhe e mbështetshme masivisht që qytetarët të kenë frikë nga ligji e shteti dhe ndëshkimi prej tyre, kur “i harron” dhe nëpërkëmb fort me vetëdije e qëllimshëm. Por, në jetën e përditshme ka me bollëk ngjarje e fakte, që përcjellin mesazhin se qytetarët duhet të kenë frikë edhe nga shumë drejtime apo subjekte të tjera.

Së pari, ne shqiptarët kemi bollëk arsyesh, përjetimesh, përvoje, që na shtyjnë të kemi frikë, jo rrallë deri në limitet e paranojës, nga armiqtë e jashtëm. Na duhet të kemi frikë prej tyre edhe sot e kësaj dite, kur janë shtuar e zgjeruar së tepërmi hapësirat e komunikimit, bashkëpunimit, bashkëjetesës paqësore fqinjësore, rajonale, kontinentale e botërore, të mbrojtjes kolektive… Edhe pse me ndonjërin prej tyre kemi traktate paqeje, miqësie, bashkëpunimi politik, ekonomik, ushtarak, jemi të integruar në të njëjtat organizata ndërkombëtare, kontinentale e botërore. Edhe pse, në mënyrë të njëanshme, nga ne, njeri prej tyre quhet dhe pranohet “aleat strategjik”…

Edhe pse kryeministrat dhe presidentët tanë janë bërë miq me ata të tyre dhe para kamerave afrojnë trupat, faqet, buzët, vizionet, deklarimet, qëndrimet, veprimet e tyre… Megjithatë, “për hir të harrimit të së shkuarës, të normalizimit të marrëdhënieve me fqinjët dhe të stabilitetit në Ballkan”, ne shqiptarët nuk duhet t’u kujtojmë as fqinjëve dhe as miqve ndërkombëtarë se kemi “kontribuar” tmerrësisht shumë e përtej dëshirave tona për hartat që kanë sot shtetet e Serbisë, Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi. Sipas kësaj “këshille” apo sipas këtij “urdhri” e “kushti” nga miqtë dhe aleatët ndërkombëtarë, ne nuk duhet të flasim publikisht për “Shqipëri Etnike”, për “Bashkim Kombëtar”, për Çamëri, çamë e arvanitas, për rolin historik të shqiptarëve në pavarësimin e Greqisë dhe krijimin e shtetit të saj… Edhe më shumë e më keq, përsëri “për hir të një Ballkani në paqe, mirëkuptim, bashkëpunim të shumanshëm, të integruar në vetvete e në BE”, për hir të integrimit tonë në BE, po ne duhet t’u bëjmë “dhurata” të reja, t’u “falim” copa tokash, deti, integriteti; të sakrifikojmë në identitet, dinjitet, siguri, perspektivë… !

Në të kundërt me ne, fqinjët tanë nuk kanë fare frikë ta shprehin në vendet e tyre dhe nëpër botë shovinizmin dhe antishqiptarizmin e tyre historik dhe histerik; të përrallisin për Vorio-Epirin, për “Himarën greke”; për Kosovën si “zemra e Serbisë”, se “Serbia duhet të marrë diçka si shpërblim për njohjen e Kosovës”; për mosnjohjen e Kosovës si shtet i pavarur; për bllokimin e njohjeve të saj nga shtete të tjera; për mosanëtarësimin e saj në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare…

Përvoja negative dhe zhgënjyese disashekullore, ne shqiptarëve na ka futur frikën deri në palcë edhe nga “armiqtë e brendshëm” apo “vetvetja”. Në këtë nocion apo “ushtri” mund të përfshijmë jo pak ish-politikanë dhe ish-qeveritarë të së shkuarës së largët e të afërt si dhe të ditëve tona. Por, edhe një pjesë të madhe të popullit, të nënshtruar me dhunë apo me dëshirë, për t’u trajtuar dhe përdorur si turmë, tufë, kukulla, që kanë kënaqësi të mashtrohen, fyhen, dhunohen, vetëskllavërohen, shiten…
Më konkretisht, ne kemi arsye të bollshme që të kemi frikë se mos politikanët dhe qeveritarët e sotëm vazhdojnë traditën afro shekullore që të “falin”, në emër “të stabilitetit në rajon” dhe “integrimit në BE”, në të vërtetë, për përfitime të tyre të ngushta e të pista pasurore e politike, sikur t’i kishin prona të gjyshërve dhe etërve, copa toke, detesh, liqenesh, lumenjsh, pavarësie, sovraniteti, integriteti nga kjo Shqipëri e vogël që na ka mbetur. Po nga vetvetja, sot na duhet të kemi frikë se mos u bëhen gjëma të reja familjeve, prindërve, vëllezërve, motrave, kushërinjve, komshinjve, shokëve, miqve, njerëzve përreth apo kalimtarëve të rastit në çaste sherresh të dhunshëm, deri me thika e armë, për një metër tokë, për një avlli, gardh e degë peme, për një vend parkimi e një gërvishtje veture, për një koshere bletësh, për një dyshim të kotë, për një grindje fëmijësh e grash…

Gjithashtu, duke kujtuar nga koha e diktaturës se “edhe muret kanë veshë” dhe se “spiunët janë kudo”, në këtë kohë moderne edhe tek celularët dhe interneti, ne duhet të kemi frikë edhe të ankohemi në adresë të qeverisë për shumëçka bën keq e për dreq; për gabimet, abuzimet, skandalet e korrupsionit e të keqpërdorimit të kolltukut dhe postit, të pushtetit e të shtetit, të taksave të qytetarëve apo buxhetit të shtetit, të interesave të vendit e të kombit…

Kanë ardhur ditë që po ta kritikosh kryeministrin në “Facebook”, në media, në takime me atë, “gju më gju” e sy më sy, që “t’i kujtosh” se në “ekipet” e tij janë me bollëk militantët, diletantët, njerëzit me të kaluar apo me lidhje kriminale; që t’i numërosh fakte se qeverisja e tij ka dështuar në shumicën e drejtimeve, ai vetë apo ndonjë “kukull” e tij të sulet me lloj-lloj epitetesh. Ndër më të përdorshmet, “berishjan, lulbashian, babale, falsifikues, antikombëtar, anti-integrim, parazit, isoxhi apo papagall i “kazanit mediatik” apo i “SHQUP-it”, i blerë nga rusët, serbët, grekët, nga djalli dhe i biri”… Të thuash apo ankohesh se jemi në krizë, se nuk ka rritje ekonomike, të punësimit, pagave, pensioneve, as sa gjysma e shifrave, që reklamon ministri Arben Ahmetaj, se po na e nxijnë dhe shkurtojnë jetën rritja e papunësisë, çmimeve, taksave, varfërisë, korrupsionit, kriminalitetit, informalitetit, ushqimet dhe barnat e skaduara, nga vetë ky ministër, por edhe nga kryeministri dhe “zëdhënës” të tyre, cilësohesh “tendencioz, keqdashës, ekstremist i djathtë, miop, sylesh, blozaxhi, nihilist, i rrjedhur, i matufepsur, legen apo legene…”.

Nga ana tjetër, nuk është pa rrjedhoja edhe të kritikosh PD-në, Sali Berishën dhe Lulëzim Bashën, sidomos për “varrosjen për së gjalli” të PD-së e të opozitës së vërtetë; që të thuash se Berisha, me veprimet, mosveprimet dhe përzgjedhjet e tij është përgjegjësi kryesor, natyrisht jo i vetmi, që ato dhe vendi janë në këtë gjendje… T’i “kujtosh” Berishës se më 1992–1997, nën hundën e tij apo para syve të tij, filloi zbatimi i skenarit të Katovicës dhe i shtrirjes në Shqipëri të “rrjetës” së Sorosit, se gjatë 13 viteve në pushtet, më së shumti jo nga përvoja e pakët në politikë e qeverisje, krahas meritave historike, ka të paktën edhe 13 gabime me rrjedhoja të rënda për vendin e kombin, duhet të llogarisësh dhe presësh kundërpërgjigje të fortë nga disa “berishjanë të përjetshëm”.
Kuptohet, nisur nga dëshira për objektivitet, për të mos ia ngrënë hakën për gjithçka, të thuash ndonjë fjalë të mirë për Erjon Veliajn, për ato që ka bërë vërtetë mirë, edhe pse ke bindjen se sukseset e tij janë “gjethe fiku”, që nuk e mbulojnë dot lakuriqësinë e dështimeve të panumërta të qeverisjes qendrore, ke bërë “herezi” të rëndë e të ndëshkueshme. Më e pakta, nga selia e PD-së dhe fanatikë të kryetarëve mund të quhesh “mosmirënjohës, renegat, mercenar, spiun, i blerë nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj”…

Por, në jetën e përditshme, nga “vdekja klinike”, agonia apo brishtësia e shtetit, ne na duhet të kemi frikë të shkojmë në një zyrë apo spital shteti e privat. Apo t’i kujtosh një djali e vajze në veturë, me njërën dorë në timon e tjetrën në celular e në vesh apo në kofshët e njeri-tjetrit, që të shikojë e respektojë sinjalistikën dhe se po të rrezikon. Po e bëre këtë, mund të ta kthejnë me një të sharë shqiptarshe, me një shuk pështyme, largqoftë edhe me një grusht, shkelm, thikë, plumb… Po kështu, duhet të kesh frikë kur shikon një shitës drogërash afër shkollave; një bandë hajdutësh në një shtëpi, në një autobus, në një supermarket, në një bankë, sepse mund të biesh viktimë e plumbave dhe thikave të tyre apo të të hapen telashe të shumta si dëshmitar…

Ne shqiptarët duhet të kemi frikë të shprehemi me rezerva e kritika edhe ndaj disa ambasadorëve të vendeve të mëdha aleate apo mike, individualisht, të themi edhe me gjysmë zëri se jo rrallëherë kanë “harruar” se janë ambasadorë e jo guvernatorë, se Shqipëria është vend i pavarur e sovran… Kur i kundërvihesh për një deklaratë, që lë hapësirë për mospajtim e mospëlqim ambasadorit të SHBA-ve, nga një zyrë e tij, apo nga Taulant Balla, duhet të presësh etiketimet si filoserb, filorus, i blerë nga Putini, antitrump, antiamerikan… Edhe, më keq, mund të futesh në listën e personave “non grata” për në SHBA apo edhe në listën e vetingut.

Duke vijuar të guxosh të shprehesh publikisht se disa veprime të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, sidomos lidhur me mospajtimet e thella me BE-në për NATO-n, për Iranin, Lindjen e Mesme, për Izraelin, për “luftën tregtare” SHBA-BE… japin arsye të mendosh se çojnë ujë më shumë në mullirin e Rusisë e të Putinit, sulmohesh jo butësisht. Po kështu, të mendosh jo krejt pa baza e arsye se fitorja e BREXIT-it në Britaninë e Madhe; forcimi dhe faktorizimi i disa partive të ekstremit të djathtë apo populiste në Francë, Gjermani, Austri, Itali, Hungari, Slloveni…, krahas zhgënjimeve të brendshme nga establishmentet e moçme politike dhe qeverisëse në këto vende, nuk përjashton edhe financimin apo përkrahjen ruse e të Putinit, përsëri keqkuptohesh dhe sulmohesh me lloj-lloj epitetesh dhe akuzash, deri tek “përkrahës i fundamentalizmit dhe terrorizmit islamik”…

Duke vazhduar në linjën e politikës ndërkombëtare, të kritikosh Putinin se ka “harruar” që është ligjërisht president e jo car; për kufizim të ndjeshëm e të dhunshëm të demokracisë në Rusi, duhet të paramendosh, jo krejt pa frikë, se do të vihet nga zyra në Moskë e Tiranë damkat e antirusit, antiputinit, antisllavistit, filoamerikanit… Duke kapërcyer në Perëndim të Evropës, të shprehësh ndonjë vërejtje apo kritikë ndaj Merkelit, Macronit, drejtuesve kryesorë të BE-së, Tusk, Junker, Mogherini, edhe për shtyrjen për në “Kalendat greke” të hapjes së negociatave me Shqipërinë apo liberalizimin e vizave për Kosovën, të quajnë antievropianist, antiintegrim, filorus, nacionalist radikal, populist…
Po kështu, të shprehësh rezerva dhe kritika për Erdoganin, pa e vënë në dyshim miqësinë me popullin dhe shtetin turk, apo se ai vetë ka dhënë shumë arsye të mendohet se ka “harruar” se ligjërisht është “President” dhe jo “Sulltan”, se “bumi ekonomik i takon të shkuarës dhe tani ekonomia, lira dhe mirëqenia turke janë në rënie të lirë”, se “ndërton më shumë xhami se fabrika”, nga ambasada turke në Tiranë e Prishtinë, nënkuptohet edhe nga Ankaraja, futesh në listën kilometrike të gylenistëve apo antierdoganistëve, të “armiqve të Turqisë”, çka nënkupton edhe arrestim e burg, sapo të zbresësh në Stamboll apo Antalia. Nga gjitha sa parashtrova, kuptohet se jo pak njerëz mund të shtyhen të pyesin vetveten dhe të tjerë: “Jemi në ‘Demokraci reale’ apo në ‘Diktaturë Demokratike’? Çfarë duhet të bëjnë në këto kushte, që as të kemi frikë dhe as të rrezikojmë”?

Me dëshirën për pak humor dhe optimizëm e aspak për t’u mbajtur iso ca enveristëve që mendojnë akoma se “ishim më mirë në kohën e tyre”, sipas meje, përgjigjet mund të ishin këto. E para, heshtja e plotë, nxitur edhe nga fjala e urtë se “heshtja është flori”. Por, nëse heshtim të gjithë si popull do të na e nxinin dhe shkurtonin jetën edhe më shumë ata që dinë të “flasin” e veprojnë pa frikë vetëm për të mirën e tyre individuale, familjare, ortakërore… Na mbetet që të flasim edhe me… veten. Ose t’i shfryjmë të gjitha zhgënjimet, mllefet, frikërat… tek gruaja, në krevat, duke të dhënë më parë “besën e shqiptarit” apo “besën e burrit” se nuk do të të padisë për “dhunë psikologjike, fizike apo seksuale”, sipas përvojës së re të Hollivudit… Por, mund të shprehemi pa frikë edhe me foshnjat e porsalindura apo me fëmijët nën 10 vjeç; me shurdhmemecët e të verbrit… Ah, për pak desh harrova: na mbetet që të flasim edhe me të vdekurit e për të vdekurit, në varreza e kudo që të ndodhemi.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/06/13/demokraci-reale-apo-diktature-demokratike/


Komente ( 1 )