Nga: MONIKA SHOSHORI STAFA*
Mbretëria e Bashkuar braktisi Bashkimin Europian, duke tronditur botën mbarë dhe ndarë në mes projektet e përbashkëta të një vendi. Po cilat janë arsyet? Përse britanikët refuzuan të qëndrojnë brenda unionit? Çfarë ishte gjithë ai pezm i përkthyer në votë revolte? Dhe cila do të jetë e ardhmja europiane pas kësaj? Historianët kanë nxituar të deklarojnë se kjo që ndodhi është një nga krizat më të rënda që kontinenti provoi që pas Luftës së Dytë Botërore.
Bashkimi Europian duket të jetë në prag të kolapsit, ndërsa dy nga shtyllat e tij kryesore po shkatërrohen pavarësisht nga miliardat e eurove të shpenzuara deri tani për të mbajtur strukturën të mos shkërmoqet. Kjo ishte deklarata e lideres së ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen një muaj më parë në mediat perëndimore që u duk se shumëkush e dyshoi. Por askush nuk besoi se ndër rreshtat e kësaj deklarate Le Pen kish qartësuar kolapsin që kishte përfshirë sistemin prej kohësh e që tashmë nuk do të ishte një çështje “nëse ndodh..” por “kur do të..”. Ajo kishte shkuar më larg me deklaratat prej Kasandre. Sipas zonjës së ekstremit të djathtë, nëse Franca do të jetonte një Frexit, ëndrra europiane e një Europe të bashkuar do të merrte fund shumë shpejt.
Të tjerë ndjekës e vijuan mbështetjen e deklaratës së saj, duke shtuar se BE është një organizëm që “po mëton të ndriçojë prej dritës së një ylli të vdekur”. Çfarë do të thoshte kjo? Drita që la pas doktrina e europianëve të ditur, si Garibaldi, Hygo, Bethoven, etj? Ajo doktrinë për ta parë gjithë kontinentin të bashkuar? Ecim më poshtë dhe bëjmë vetë krahasimet. Liderët aktualë teknicienë burokratë që po e qeverisin kontinentin prej Brukselit mbeten po të njëjtët në betejat për të siguruar miliardat që të mund të mbajnë këtë sistem të lidhur.
Arsyet janë nga më të shumtat, por një nga ato, të cilat i ka neveritur shtetet europiane janë masat e fundit ndëshkuese mbi pritjen e qindra mijëra emigrantëve. Sepse të kërcënosh vendet më të industrializuara të botës me një gjobë të lartë vetëm se nuk duan të pranojnë të huaj kjo me sa duket nuk mund t’i jepte një zgjidhje problemit. 250.000 euro është penalizimi për çdo emigrant të palejuar të qëndrojë në secilin prej shteteve, por për hulumtuesit e çështjes së rezultatit të këtij referendumi ky nuk është veçse një presion që administrata e Brukselit duhet ta shihte më me kujdes. Polonia, një vend europian e cila kishte kundërshtuar me të gjithë forcën të pranonte refugjatët sirianë mund të merrte një gjobë prej 1 bilion eurosh për çdo emigrant të refuzuar. Shtojmë këtu edhe numrin e kuotës së vendosur nga BE për ta, rreth 6.500 të tillë. Por kjo me sa duket sipas ekspertëve nuk ka qenë zgjidhja e duhur. Kërcënimet dhe shantazhet e përdorura sistematikisht nga teknokratët e Bashkimit Evropian mbi vendet europiane duket se mbetet një problem gjigand i dobësisë së këtij sistemi, i cili ka filluar të na trembë të gjithëve. Dhe kur Londra sëmuret popujt e vegjël kolliten i thonë një shprehje.
Po çfarë kanë treguar shifrat?
Sipas një sondazhi të Ipsos bërë në rreth 6.000 evropianë vetëm disa javë më parë është arritur në përfundimin se gati gjysma e tyre e kishin parashikuar se Britania e Madhe do të largohej nga BE-ja dhe pas kësaj gjysma tjetër thoshin se pas fenomenit të Brexit do të pasojë “efekti domino” në vendin e tyre. Ndërsa në një sondazh online të njerëzve nga mosha 16 deri 64 që u krye në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Francë, Itali, Spanjë, Suedi, Belgjikë, Poloni dhe Hungari shifrat treguan se popujt e kanë ndjekur me shumë interes procesin e referendumit. Ata kryesisht ishin të fokusuar në rezultatet e tij për të parë se çfarë mund të ndodhë mes tyre dhe Bashkimit Europian. Pra, nëse mund ta linin edhe ata Europën apo jo? Sot mediat njoftonin se nëntë vende europiane në të cilat është bërë ky anketim përfaqësojnë rreth ¾ e popullsisë së Europës duke përbërë afërsisht rreth 80 për qind të GDP-së së saj.
Por ndërsa ndjek fjalimet gjithë dëshpërim të liderëve europianë me daljen e rezultatit të këtij referendumi në to kuptohet qartë se dalja e Britanisë nga BE mund t’i bëjë më shumë dëm unionit se Mbretërisë. Prej këtej sigurisht priten kohëra të vështira për një anëtarësim më të hapur të rajonit në union së paku deri në vitin 2020.
Por çfarë kishte ndodhur deri tani gjatë këtyre shekujve histori? Cila është kjo ëndërr europiane pas së cilës dhe ne jemi kapur kaq fort? Kishte afro dy shekuj që kontinenti i vjetër e ëndërronte në mënyrë romantike pastaj dhe politike federimin apo konfederimin nën të njëjtën çati. Lenini ndërkaq kishte paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Europës ose nuk do të krijoheshin kurrë ose edhe po të krijoheshin do të përfaqësonin një zhvillim reaksionar. Rendi i ri botëror që u krijua pas luftës e inkurajoi bashkimin, por edhe në vitet kur studentët shqiptarë brohorisnin shesheve “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa” jo të gjithë në Perëndim besonin se bashkimi kishte ardhur. Aristide Briand ka ndjekur idenë federaliste për Europën, që në atë kohë ishte vërtet një pikëpamje idealiste si koncept. Por tani 70 vjet më vonë konteksti në të cilin po flasim ka ndryshuar tërësisht. Kjo që po jetojmë është Europa më e madhe që është prezantuar ndonjëherë, por ende e paplotësuar. Sepse ka akoma vende që presin në hartë të hyjnë brenda gjirit të saj e mes tyre edhe Shqipëria. Por koncepti i tanishëm i Europës me konceptin e Briand-it ka një diferencë të madhe sepse ai mbronte pikëpamjen e realizimit të bashkimit të shteteve të pavarura, d.m.th. të ruajtjes së funksioneve të tyre të vjetra. Ndërsa koncepti i ri i Europës është i lidhur me transferimin e sovranitetit të tyre drejt familjes europiane, çfarë do të thotë që gjithçka duhet të jetë në shërbim të një globalizimi dhe që prezanton në mënyrë të hapur dhe pa specifika çdo shtet europian, i cili duhet të jetë një anëtar i denjë dhe i barabartë mes të barabartëve në familjen e re europiane.
Dyshimet kishin qenë të përligjura. Dy luftëra botërore kishin shpërthyer gjatë shekullit të 20-të në zemër të Europës për shkak të antagonizmit me fqinjin. Europa e sotme, ishte e ndarë fizikisht me mure mesjetarë, që ndiqnin vijën kufitare franko-gjermane, siç ishte “via Magino” (via Mazhino). Por ajo që mbetet është se sa e bukur dhe e frikshme, madhështore si vetë himni i saj, dramatike po aq sa historitë e përgjakshme të së shkuarës; kështu mund të cilësohet sot historia e bashkimit të Europës, kësaj Europe që do të na shtyjë sërish larg gjirit të saj.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: