Shkrimtari dhe gazetari i njohur investigativ Roberto Saviano, një nga njerëzit që ka folur shumë për mafien italiane, e veçanërisht atë të plehrave të cilën ai e cilëson edhe më të madhe dhe të rrezikshme se të tjerat, në një intervistë të viti 2011 për gazetaren Rudina Xhunga, ndër të tjera preku edhe temën e importit të mbeturinave, që qeveritë shqiptare e kanë tentuar me radhë, që prej marrëveshjes Nano-Bechetti.

Ai që atëherë ka paralajmëruar se mafia ndërkombëtare e plehrave, veçanërisht ajo italiane, e ka Shqipërinë në planet e saj për ta kthyer vendin në një destinacion të mbetjeve të rrezikshme;

Deklarata e Savianos
“Këshilla që do t’i jepja publikut shqiptar, është: Kujdes! Çdo minierë do t’ju shndërrohet në një vendshkarkim mbeturinash, çdo fabrikë e braktisur do t’ju shndërrohet në një magazinë plehrash.
Italia po sheh (dhe jo vetëm Italia mafioze) në hapësirën shqiptare një biznes për mbeturinat. Sa më shumë dëshirë ka për të bërë biznes nga ana e shqiptarëve, aq më i lartë është rreziku gjeografik, biologjik, natyror për Shqipërinë.

Kështu që ky operacion, nëse nuk kontrollohet, pas pesë vjetësh ne do të takohemi përsëri dhe do të themi se si vallë periferitë e qyteteve shqiptare, fshatrat shqiptare janë plot me mbeturina toksike, mbeturina italiane, mbeturina ballkanike. Pra, bëni shumë kujdes!

Cikli i mbeturinave, nëse është i qartë, i kontrolluar në çdo kalim të tijin, mund të shndërrohet në një biznes për kombin shqiptar. Por nëse nuk është i kontrolluar, rrezikon të bëhet një gropë që duhet mbushur me mbeturina legale. Kështu që bëni kujdes me këtë që po ndodh!

Ky është hapi i parë për të bërë që të ndodhë në Shqipëri, jo thjesht ajo që po ndodh në Napoli, por për ta mbushur pjesën që nuk shihet, fshatrat, guroret, minierat e braktisura, për t’i mbushur të gjitha këto me plehra dhe për t’i sjellë fitime atij që ndërmjetëson në këto transporte”./topnews.al/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb