Nga: Antonella BORALEVI

Sigurisht që skandali Weinstein, revolucioni i ri në raportet ‘burrë me pushtet-grua që varet nga ai’, duhet me të vërtetë të frikësojë shumë njerëz pasi si mund të shpjegohet ndryshe debati që pasoi mbi “lirinë për të ngacmuar”, shkruan e përditshmja italiane ‘La Stampa’.

Tani diskutohet se pse një gazetë politike si ‘Le Monde’ ka publikuar një Letër të Hapur mbi këtë temë. Pesë Pariziane të kulturuara dhe të shkëlqyera, mes të cilave Catherine Millet, e njohur për publikimin e autobiografive të saj të mbushura me eksperiencat seksuale, kanë mbrojtur “lirinë për të ngacmuar”, duke thënë se është në veprim një puritanizëm i ri.

Një qind gra të tjera e kanë firmosur. Dhe aktorja e famshme Catherine Deneuve (që në fakt është “Franca” për pjesën më të madhe të francezëve) është bërë profetja.

Për çfarë po flasim? Ne na pëlqen të na ngacmojnë. Na pëlqen që një burrë të na shikojë. Me admirim. Me respekt. Na pëlqen të jemi të dëshiruara. Por kemi të drejtën të zgjedhim. Liria për të ngacmuar përfundon pikërisht në momentin kur gruaja thotë “Jo”. Bëhet “detyra për të ndaluar”. Është sjellja e dashurisë nga një burrë drejt një gruaje: që do të thotë formulimi i një komplimenti të sjellshëm, ose të një ftese të sjellshme.

Siç e dinë mirë të gjitha gratë, përjashtuar këto njëqind gra, nuk është ‘sjellje dashurie’ të detyrosh dikë të të bëjë masazh apo të përplasësh dikë për mur që ta bësh të të dëgjojë. Nuk është sjellje dashurie kur i thua dikujt ‘nëse do të bësh karrierë, duhet të pranosh kërkesat e mia’. Ky është një abuzim, një poshtërim. Femrat, deri tani, nuk kishin zërin për ta shprehur këtë. Jo të gjitha kishin kurajo të thonin ‘Jo’, të humbisnin gjithçka, të fillonin nga e para në një vend tjetër. Shpesh pranonin. Nënshtroheshin. Nganjëherë në mënyrë cinike kërkonin hakmarrje. Shpesh ishin të manipuluara. Por tani ekziston formati. Tani shoqëria pranon abuzimin seksual në vendin e punës (çdo vend pune) si një krim të shëmtuar dhe të papranueshëm. Ndoshta njëqind gratë pariziane po flasin kot. (Përshtati nga La Stampa/BalkanWeb)

(a.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: