SERBI– Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka reaguar pas vendimit të gjykatës në Colmar të Francës për lirimit e kreut të AAK, Ramush Haradinaj.

Pas këtij vendimi qeveria në Serbi ka zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme, ndërsa Vucic është shprehur se vendimi është i ndikuar politikisht, skandaloz dhe i turpshëm.

“Vendimi i Gjykatës së Colmarit është skandaloz, i ndikuar politikisht dhe i turpshëm. Nuk e kemi kërkuar ekstradimin për çokollata dhe ëmbëlsira, por e kemi kërkuar për krime lufte”-ka thënë Vucic, shkruan B92.

Vucic ka thënë se do të thirret nga Parisi ambasadori i Serbisë për informacione të mëtejshme, ndërsa po shqyrtohet mundësia e dërgimit të një note proteste Francës.

Ai ka paralajmëruar se ekipi i juristëve serbë do ta shqyrtojë vendimin e gjykatës franceze dhe shteti serb do të marrë vendimet e veta të ardhshme lidhur me këtë lirim, të cilin ai e ka quajtur të paprecedent.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb