TIRANE– Është mbyllur seanca gjyqësore në Gjykatën Administrative për padinë e prokurores Rovena Gashi ndaj kryeprokurores Arta Marku, pasi kjo e fundit e largoi nga posti i Drejtoreshës së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. Rovena Gashi u përfaqësua nga avokati Çlirim Gjata, ndërsa Arta Marku nga Pranvera Gruda. Avokatja e kryeprokurores ka kërkuar rrëzimin e padisë, pasi sipas saj është e pabazuar në prova dhe nuk është shkelur ligji.
“Nuk është shkelur asnjë ligj. Informacioni që Rovena Gashi çoi në KQZ për dy deputetet Aqif Rakipin dhe Gledion Rahovica pa u konsultuar me prokuroren Arta Marku solli edhe lirimin nga detyra te Rovena Gashit. Kjo i është komunikuar verbalisht Gashit”- ka thënë avokatja e kryeprokurores.
Por avokati i Rovena Gashit, Çlirim Gjata tha se nuk është zbatuar procedura për lirimin nga detyra dhe është kërkuar të dëshmojë në gjyq vetë kryeprokurorja Arta Marku.
“Problemi qëndron se cilat janë kompetencat e kësaj kryeprokuroreje. Çështja e procedurës rezulton se nuk është zbatuar. U tha se është njoftuar verbalisht për shkarkimin dhe kjo është e paqartë. Pra për herë të parë u tha sot motivacioni se pse u lirua nga detyra Rovena Gashi, pra për shkak se dërgoi emrat në KQZ për dy deputetë për t’u hequr mandati se preken nga dekiminalizimi. Ne kemi bërë një kërkesë që duhet të vijë vetë kryeprokurorja që të sqarojë dhe të përballet vetë se çfarë ka bërë. Lirimi nga detyra i Rovena Gashit është i paligjshëm”- tha avokati Gjata.
Seanca e radhës gjyqësore do të mbahet në 13 shkurt.

Lirimi nga detyra:
Rovena Gashi, e cila njihet si krahu i djathtë i Adriatik Llallës, ka paditur prokuroren Arta Marku ndërsa kërkon pezullim të vendimit të marrë. Padia është depozituar në Gjykatën Administrative. Rovena Gashi pretendon se Marku e ka hequr nga detyra pa motivacion, fill pasi ajo depozitoi kërkesën në KQZ për t’ju hequr mandati i deputetit, Aqif Rakipi dhe Gledion Rehociva pa u konsultuar me kryeprokuroren.
(d.d/BalkanWeb)
