BLLACE- Në pikën e kalimit kufitar Bllacë mbahen prej disa ditësh katër kamionë të ngarkuar me mbi 54 ton domate, 8 ton tranguj, 900 kg lakër, 2 ton rrepë të kuqe, 9 ton shalqi dhe 1,5 ton pjepër. Prodhimet bujqësore janë nga Shqipëria me destinacion tregun e Maqedonisë, por po prishen në dogane. Kjo, sepse autoritetet maqedonase e kane bllokuar te gjithe mallin, jo vetëm një kampion te tij, siç parashikojnë rregullat ndërkombëtare dhe siç garanton marrëveshja e tregtisë së lirë mes dy vendeve. Ky fakt le shijen e hidhur të një vendimi politik.

Drejtori i inspektoratit fito- sanitar Rumen Stamenov thotë se kontrollet nuk bëhen për t’u mbrojtur prodhimi vendor që është në jehonë të plotë, por që të mbrohet shëndeti i njerëzve.

“Kjo nuk është masë ekonomike. Inspektorati shtetëror i bujqësisë nuk ka kompetencë të zbatojë masa ekonomike. Ne për momentin zbatojmë masa për mbrojtje të shëndetit të njerëzve. Ashtu që, kjo bëhet me të vetmin qëllim dhe ajo është që të dihet çfarë prodhimesh konsumon populli në Maqedoni. Dhe nuk mund të lejojmë që të dilet jashtë rregullave të dispozitave të rregulloreve. Atje gjithçka është sipas standardeve ndërkombëtare dhe ne nuk kërkojmë asgjë të posaçme dhe me këtë tendencë t’i mbajmë kamionët”, deklaroi Rumen Stamenov, Drejtor i inspektoratit fito- sanitar.

Kamionët që me ditë presin të hyjnë në vendin tonë dhe me këtë rritet rreziku i prishjes së mallit do të marrin leje menjëherë pasi laboratorët ta konstatojnë rregullshmërinë e prodhimeve nga laboratorët e akredituar.

“Kemi zbatuar standarde të forta te prodhuesit vendor, kemi një betejë tanimë dy vite e gjysmë mbi respektimin e standardeve dhe kur tani ata i respektojnë nuk kemi asnjë të drejtë të lejojmë mos- respektim të rregullave ndaj atyre që prodhojnë jashtë vendit, e të cilat shiten te ne”, tha Rumen Stamenov, Drejtor i inspektoratit fito- sanitar.

Sipas Stamenov, inspektorët më shpesh gjejnë më tepër pesticide nga ajo e lejuara në prodhimet bujqësore si dhe analizohet nëse prodhimet janë të pastra nga dëmtues karantinë, të cilët lehtë mund të barten edhe tek prodhimtaria vendore. Stamenov shton se prodhimet e mbajtura në pikën kufitare e kanë dokumentacionin e duhur të institucioneve të Shqipërisë, por megjithatë analizat duhet ta vërtetojnë besueshmërinë e dokumentacionit të atjeshëm.
(ed.me/NEWS24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: