Krizat prodhojnë gjithmonë të tjera fenomene. Prostitucioni është më i riu që ka përfshirë kampet greke të emigrantëve. Për të mbijetuar, dhjetëra emigrantë nga Siria dhe Afganistani janë detyruar të shesin trupin e tyre vetëm për 2 euro për të mbijetuar në rrethinat e Athinës. Sipas një raporti të “Global Post”, burrat, mes tyre edhe të rinj adoleshentë, nisin të prostituojnë menjëherë sapo arrijnë në kryeqytetin grek për të fituar para në mënyrë të shpejtë. Pjesa më e madhe e këtij aktiviteti është i përqendruar në lagjen “Fylis” të Athinës. Teksa një pjesë kërkon 30 euro, shumë prej tyre pranojnë edhe më pak se dy euro pasi kanë turp të kërkojnë më shumë.

Prostituimi i femrave në kampet e klandestinëve në Evropë është problematikë e njohur, por sa i përket prostituimit të meshkujve deri tani është folur pak. Prostitucioni në Greqi është i ligjshëm vetëm nëse ushtrohet në shtëpi publike, por tashmë ai është shtrirë në rrugë dhe parqe publike. Një emigrant i ri afgan, Abdullah, thotë se ka shitur veten e tij i kushtëzuar nga rrethanat. “Nuk kisha as 20 cent në xhep, isha i dëshpëruar, nuk dija ç’të beja, ndaj dhe u detyrova të ndërmarr këtë zgjidhje”, thotë ai, duke shtuar se e “vetmja shpresë është hapja e kufirit, pasi ai nuk ka para për të shkuar askund”. Sipas statistikave të agjencisë së refugjatëve në OKB, UNHCR, që nga janari i 2011, pothuajse 10 mijë azilkërkues pakistanezë dhe rreth 6 mijë sirianë kanë kërkuar strehim në Greqi.

Sipas shifrave të publikuara nga Komisioni Evropian, më pak se 2 për qind e emigrantëve në Greqi kanë lëvizur deri tani për në vendet e tjera evropiane. Ndërkohë, sipas agjencisë turke të lajmeve “Anadolu Agency (AA)”, refugjatët të cilët prej muajsh presin në kampet në afërsi të kufirit të Greqisë me Maqedoninë u ka mbaruar durimi e paratë dhe janë në kërkim të rrugëve për t’u kthyer në Turqi. Pas kalimit nga Turqia në Greqi refugjatët ankohen për procedurat që zgjasin shumë dhe për kushtet e jetesës. Refugjatja 38- vjeçare nga Siria Huda Abdullah ka mbërritur në zonën kufitare para 4 muajsh. Ajo qëndron në kamp përreth një pike karburanti ndërsa tregon se bashkëshorti i saj ka arritur në Gjermani. Abdullah qëndron në kamp bashkë me tre fëmijët e saj.

“Nuk kemi më fuqi të rezistojmë këtu. Tani po të gjej ndonjë rrugë do të kthehem menjëherë. Askush nuk ka ardhur të na flasë ndonjë gjë. Jam e detyruar të kujdesem edhe për fëmijët. Edhe bashkëshorti nuk ndodhet pranë meje”, tha ajo. Ajo tregon se në qytetin Kahramanmaras të Turqisë kanë qëndruar për tre vite dhe se bashkëshorti i saj siguronte të ardhura pasi punonte si lustrues këpucësh. “Edhe këtu përpiqemi të kalojmë me ato pak para që na ka dërguar bashkëshorti, por edhe ato që kemi do të mbarojnë. Çfarë do të bëjmë më pas? Të paktën në Turqi kishim një jetë. Edhe ajo na iku nga duart. Kur unë të kthehem në Turqi edhe bashkëshorti im mendon të vijë në Turqi”, thotë Huda Abdullah.

Ndërsa Omer Xhemil ka ardhur nga qyteti Halep i Sirisë dhe qëndron në kamp me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Ai tha se më parë kishte punuar për shtatë muaj në një fabrikë në qytetin Kajseri të Turqisë, ndërsa këtu i kanë konsumuar të gjitha ato që kanë pasur dhe se nuk i kanë mbetur më para. Në Greqi ndodhen në total 57 mijë refugjatë, pasi në muajin shkurt vendet e Ballkanit mbyllën kufijtë dhe një pjesë e refugjatëve qëndrojnë në rajonet në afërsi të kufirit grek me Maqedoninë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb