Nga ARJAN KORPA
Infrastruktura rrugore përbën një ndër asetet më të rëndësishme publike të një vendi. Ajo së bashku me transportin kanë një kontribut thelbësor për rritjen dhe zhvillimin ekonomik. Faktet kanë provuar se vendet me infrastrukturë moderne, të sigurt dhe efiçente janë më produktive dhe më konkurruese në tregjet ndërkombëtare. Për pasojë qytetarët e këtyre vendeve gëzojnë cilësi më të mirë jetese, e cila buron prej rritjes ekonomike. Për t’u përballur me kërkesat gjithmonë në rritje që shkaktohen prej rritjes së popullsisë, urbanizimit dhe rritjes së përdorimit të automjeteve, infrastruktura rrugore duhet të zgjerohet dhe zhvillohet. Zgjerimi dhe zhvillimi i saj kërkon investime të konsiderueshme dhe të vazhdueshme të fondeve publike. Në Shqipëri, kostoja mesatare për ndërtimin e një km rrugë interurbane kryesore (me dy korsi për çdo kah lëvizjeje, secila korsi me gjerësi 3,5m), rezulton në vlerën rreth 1 000 000 €, ndërkohë që në vendet me ekonomi të përparuar ndërtimi i saj kap vlerën mesatare prej 3 300 000 €. Për autostradat, kostoja, e cila rritet progresivisht në varësi të parametrave të tyre por dhe vendndodhjes gjeografike të terrenit rrugor, mund të kapë shifrën deri në 6 000 000 €/km. Ndërtimi i rrugëve të reja është i kushtueshëm, ndërkohë që në mungesë të mirëmbajtjes së rregullt dhe në mënyrën e duhur të tyre, ato shkatërrohen shpejt. Efektet e kombinuara të ngarkesës së trafikut dhe agjentëve atmosferikë dhe mjedisorë bëjnë të mundur shkatërrimin e shtresave asfaltike me kalimin e kohës, pavarësisht se sa cilësor është bërë projektimi dhe ndërtimi i tyre. Degradimi i infrastrukturës rrugore fillon sapo ajo vihet në përdorim. Për të mbajtur një nivel optimal operimi rrugët duhen mirëmbajtur vazhdimisht. Vonesat ose mungesat e mirëmbajtjes rezultojnë në kosto të mëdha direkte dhe indirekte. Kur defektet e rrugëve riparohen në kohë, kostot zakonisht janë modeste, ndërsa kur ato vonohen ose neglizhohen, i gjithë segmenti rrugor mund të shkatërrohet, duke kërkuar rindërtimin e tij me kosto mesatare që e kalon disa herë koston e mirëmbajtjes.

Mirëmbajtja organizohet kryesisht në dy kategori; mirëmbajtje parandaluese dhe mirëmbajtje kapitale ose rehabilitim. Në mirëmbajtjen parandaluese bëjnë pjesë mirëmbajtja rutinë, ajo dimërore dhe e emergjencës. Mirëmbajtja rutinë nënkupton punimet e vogla të bëra rregullisht që kanë për qëllim ruajtjen e integritetit strukturor të rrugës, sigurinë dhe parandalimin e shkatërrimit të tyre. Ajo konsiston kryesisht në mbylljen e plasaritjeve dhe të çarave, mbushjen e poroziteteve dhe kaviteteve, arnimeve të pjesshme etj. Nëse nuk bëhet mirëmbajtje parandaluese, mbajtja e infrastrukturës në shërbim të mirë dhe kushte të sigurta, në një stad më të vonë bëhet më e kushtueshme. Mirëmbajtja e emergjencës përmbledh ndërhyrjet dhe riparimet që nuk mund të parashikohen por që kërkojnë masa të menjëhershme. Mirëmbajtja kapitale ose rehabilitimi nënkupton proceset e riparimit të segmenteve ekzistuese të shtresave asfaltike, zëvendësimet e elementeve të rrugës, sinjalistikës, sistemimet e shpatullave të rrugës dhe kanalizimeve etj. Operacionet rehabilituese janë të një shkalle më të gjerë dhe kërkojnë pajisje dhe personel të specializuar. Ato kushtojnë më shumë se punimet e mirëmbajtjes parandaluese dhe kërkojnë identifikim specifik dhe planifikim për implementim dhe shpesh edhe projektim. Rehabilitimi i shtresave asfaltike mund të bëhet pas një periudhe prej 4-5 vjetësh pas fillimit të përdorimit të rrugës. Kur rrugët janë ndërtuar me standarde dhe cilësi, rehabilitimet kryhen në afate kohore më të gjata se 5 vjet (në vendet e BE-së arrin deri në 10 vjet), duke rritur efektivitetin e shpenzimit të fondeve. Kostoja mesatare e mirëmbajtjes rutinë llogaritet në rreth 5000 € për kilometër në vit. Kostoja e riveshjes shkon në 25-30% e kostos së investimit për km, që llogaritet në shumën 250 000 – 300 000 € (në vendin tonë).

Situata në Shqipëri për sa i përket gjendjes së rrugëve nuk është thjesht urgjente por është kritike. Duke njohur gjendjen e infrastrukturës rrugore në Shqipëri dhe kuptuar rëndësinë e jashtëzakonshme të të pasurit të një strategjie efikase për të, ka pasur dhe një përqasje të re për këtë çështje nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Standarteve dhe Monitorimit në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës. Përqasja konsiston në dy drejtime; në pasjen e një Rregulli Teknik për projektimin dhe ndërtimin e rrugëve bazuar në praktikat dhe standardet europiane si dhe të një standardi bashkëkohor për mirëmbajtjen e tyre. Për këtë, në korrik të vitit 2015 u miratua Rregulli Teknik i ri i projektimit dhe ndërtimit të rrugëve. Mungesa e një standardi të unifikuar për projektimin dhe ndërtimin e rrugëve bënte që ndërtimi i shtresave asfaltike të ishte i copëzuar dhe me mangësi të mëdha në cilësi. Rregulli i ri i Projektimit të rrugëve përmban projektimin gjeometrik, projektimin e shtresave, drenazhimin, urat, tunelet, sinjalistikën rrugore dhe projektimin për mjedisin, kurse Rregulli i Ndërtimit të rrugëve përmban punimet e dherave, ndërtimet rrugore, drenazhimet, strukturat, pajisjet rrugore, listën e punimeve dhe kërkesat për materialet dhe produktet. Rëndësi e veçantë po i kushtohet fillimit të implementimit të këtij rregulli, i cili do të mundësojë që rrugët të projektohen dhe ndërtohen me cilësi të krahasueshme me vendet e BE-së. Me një nivel të tillë cilësie të rrugëve të reja edhe kërkesat e mirëmbajtjes do të jenë më të larta, ndërkohë që do të rritet edhe koha e fillimit të rehabilitimit të tyre përtej 10 vjetëve. Nevojat për mirëmbajtje parandaluese të planifikuara nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës (dokumenti i Strategjisë Sektoriale të Transportit) kapin vlerën prej rreth 329 mln € për periudhën 2017-2020. Ndërkohë që, sipas programit afatmesëm 2017-2020 të buxhetit të shtetit të së njëjtës periudhë, mund të shpenzohen fonde në masën vetëm 25-30% të kësaj shifre. Për të zvogëluar këtë diferencë, Banka Botërore me një vlerë investimi prej 125 mln € po asiston në kryerjen e mirëmbajtjes së 1400 km, nga 3800 km të totalit të rrugëve kombëtare. Ky projekt do të synojë mirëmbajtjen e akseve kryesore kombëtare si dhe ato rrugë, që lidhin këto akse me pikat kufitare apo zonat turistike të vendit.

Gjithsesi edhe një buxhet i vogël për mirëmbajtje mund të bëjë një diferencë të madhe kur bëhet menaxhim efektiv, planifikohet dhe përzgjidhen prioritetet e duhura për ndërhyrje. Menaxhimi efektiv dhe ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore kërkojnë njohje të mirë të jetëgjatësisë së pritshme të aseteve të saj. Tipa të ndryshme asetesh, si shtresat asfaltike, urat, sinjalistika etj. kanë jetëgjatësi të ndryshme. Jetëgjatësia e tyre varet edhe prej materialeve të përdorura, kërkesave ndaj përdorimit të tyre, kushteve të mjedisit, mirëmbajtjes dhe rehabilitimit. Jetëgjatësia e pritshme e aseteve është kohëzgjatja deri në momentin e nxjerrjes nga shërbimi ose zëvendësimit të tyre. Është e rëndësishme të njihen kostot e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve si dhe kostot e mosmirëmbajtjes së tyre. Paratë që kursehen prej buxhetit të mirëmbajtjes duke mos i shpenzuar për mirëmbajtje, paguhen detyrimisht prej përdoruesve të rrugëve dhe prej shoqërisë. Në fakt kjo është një taksë e padukshme dhe kostoja e saj totale për ekonominë është shumë e madhe.

Strategjia e re e mirëmbajtjes parandaluese parashtron nevojën e fillimit të implementimit të rregullit të ri të mirëmbajtjes bazuar në performancë. Më herët, mirëmbajtja parandaluese konsistonte kryesisht në pastrimin e kanaleve anësore të drenazhimit, riparimeve në skarpatet, riparimeve të vogla në karrexhatë, kontrollit të bimësisë në anë të rrugës, lyerjes dhe zëvendësimeve të shenjave në anë të rrugës etj., dhe realizohej përmes marrëdhënieve kontraktuale me sektorin privat. Këto kontrata parashikonin pagesën e një shume të caktuar kompanive sipas volumeve të punës së kryer me çmime njësi për çdo zë pune. Por monitorimit të këtij partneriteti të asaj kohe (në vitet 2003-2006) me sektorin privat i mungonte supervizionimi dhe duke shtuar mungesat sistematike të të dhënave mbi volumin e trafikut dhe peshës për aks, kjo gjë bënte që të mos mundësohej një qasje profesionale në menaxhimin e aseteve të sektorit. Për herë të parë kontratat e mirëmbajtjes parandaluese me bazë performance kanë si kriter pagese plotësimin e kushteve për indikatorë të caktuar të mirëmbajtjes, mosplotësimi i të cilave shoqërohet me penalitete kundrejt kompanive kontraktore. Për këtë qëllim do të ketë edhe një kompani supervizore e cila do të kontrollojë të gjithë indikatorët e përfshirë në kontratat e mirëmbajtjes. Si indikatorë për mirëmbajtjen do të përdoren kryesisht:

·mbulimi i plotë me arnime i shtresë asfaltike, kur zona e dëmtuar kalon 5% për km/rrugë;
·mbyllja e plotë e plasaritjeve, kurdoherë që numri i çarjeve termale (për shkak të ndryshimit të temperaturave) i kalon 15 për km;
·mbyllja e çarjeve të gjera strukturore që kanë depërtuar në një thellësi prej 50 mm të shtresës së asfaltit;
·pastrimi i plotë i sistemit të drenazhimit të ujërave;
·lyerja me bojë e shenjave rrugore dhe zëvendësimet e tabelave të sinjalistikës.
Për herë të parë, si pjesë e mirëmbajtjes parandaluese, në kontrata do të përfshihen mirëmbajtja dimërore dhe mirëmbajtja e emergjencave (në rastet e fenomeneve natyrore, siç janë reshjet e jashtëzakonshme të shiut apo dëborës, raste të paparashikuara të rrëshqitjeve të skarpateve me volume të mëdha etj.). Përmbushja e indikatorëve të mësipërm do të jetë kusht për disbursimin e fondeve dhe kryerjen e pagesave të kontraktorëve nga njësia e zbatimit të projektit të Bankës Botërore. Rreth 1400 km të rrugëve kryesore do të mbulohen nga katër kontrata mirëmbajtjeje parandaluese me segmente rrugore mesatarisht 350 km dhe do të përfshijnë:
-Mirëmbajtjen rutinë, me ristrukturime dhe rehabilitime të pjesshme të segmenteve mjaft problematike rrugore dhe punime ndihmëse që do të adresojnë problemet e sigurisë rrugore. Indikatorë do të jenë:
•ruajtja e trashësisë së shtresës së asfaltit siç ka qenë në projektin e rrugës;
•përmirësimet në sistemin e drenazhimit;
•stabilizimi i skarpateve të rrugës dhe vendosja e tabelave rrugore dhe pajisje të tjera të sigurisë;
•eliminimi i pikave të zeza nga një listë e identifikimit fillestar të tyre.
– Mirëmbajtjen dimërore.
– Punimet e emergjencës për ta kthyer rrugën në gjendjen e mëparshme pas ndodhjes së një fenomeni natyror apo aksidenteve.

Pas ndërtimit, rrugët duhet të inventarizohen prej Autoritetit Rrugor Shqiptar. Inventari i rrjetit rrugor shtetëror do të përmbajë volumet e trafikut, karakteristikat e rrugës, sasinë dhe vendndodhjen e veprave të artit, sistemeve të kullimit, të sinjalistikës, aseteve të tjera rrugore si dhe dëmtimet e tyre. Të gjitha të dhënat e mbledhura mund të analizohen duke identifikuar nevojat dhe më pas mund të bëhet planifikimi i buxhetit për ndërtim, rehabilitim dhe mirëmbajtje. Më tej mund të bëhet analizimi i këtyre mesazheve, si dhe ndërhyrja në punimet e projektit dhe verifikimi përgjatë ecurisë së projektit, nëse janë marrë parasysh komentet e bëra nga publiku, ose nëse nuk janë marrë parasysh duhet të tregohen arsyet përkatëse. Një risi e strategjisë së mirëmbajtjes dhe sigurisë rrugore do të jetë krijimi i një Programi të Transparencës Sociale. Ky program, kryesisht përmes aplikimeve web do t’i mundësojë publikut të dërgojë komente dhe ankesa për gjendjen e rrjetit rrugor. Si pjesë e strategjisë, për herë të parë do të bëhet edhe auditimi dhe inspektimi i sigurisë rrugore. Auditimi është një proces vlerësimi i sigurisë rrugore që u bëhet rrugëve të cilat janë në projektim apo në fazat e ndërtimit, kurse inspektimi është procesi i ngjashëm, por që bëhet në rrugët ekzistuese. Këto dy procese janë të rëndësishme, pasi propozojnë ndërhyrje në fazat fillestare të projekteve dhe kostot janë më të vogla sesa në etapat e tjera të ndërtim-shfrytëzimit të rrugës.

Inspektimi i sigurisë rrugore është një proces i përcaktimit të nevojave të sinjalistikës dhe elementëve të tjerë të sigurisë rrugore. Procesi i auditimit dhe inspektimit së bashku me programet e eliminimit të pikave të zeza dhe financimi i tyre përbëjnë bazën e nevojshme për ndërhyrje efikase në funksion të përmirësimit të sigurisë rrugore. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka finalizuar ndërkohë një marrëveshje me Universitetin Politeknik të Tiranës, për organizimin e kurseve të certifikimit të audituesve/inspektuesve të sigurisë rrugore, brenda vitit 2017. Kurset do të zhvillohen pranë Institutit të Transportit ku kandidatët do të ndjekin programe trajnimi rreth auditimit dhe inspektimit të sigurisë rrugore. Më pas do të bëhet testimi dhe pajisja me certifikata. Strategjia e re në tërësinë e saj do të krijojë bazat për një proces të qëndrueshëm dhe afatgjatë mirëmbajtjeje në funksion të rritjes së jetëgjatësisë së aseteve të infrastrukturës dhe sigurisë rrugore.
* Drejtor i Përgjithshëm i Standarteve dhe Monitorimit, Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: