TIRANE- Biblioteka Kombëtare në Tiranë është përfshirë nga zjarri. ‘BalkanWeb’ mëson se flakët kanë rënë në katin e tretë të nëndheshëm të bibliotekës. Raportohet se policia dhe 3 zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje për të bërë të mundur lokalizimin e flakëve.
ZJARR-NE-BIBLIOTEKE
Gazetarja Erjola Jata raportoi nga jashtë ambienteve të Bibliotekës se disa prej zjarrfikësve nuk janë ndjerë mirë, pasi janë parë në dritare duke u kollitur. Në ndihmë, personeli u ka dhënë bombola oksigjeni. Ndërkaq, i vetmi i lënduar nga zjarri ka qenë roja i Bibliotekës Kombëtare, Arjan Ceci, 55 vjec, i cili u dërgua në spital me autoambulancë pasi kishte pësuar asfiksi.

Ndërkohë, gazetari Mariglen Mërtiri raportoi për ‘News24’ se zjarri është konstatuar nga Policia Bashkiake gjatë një patrullimi, ndërsa dyshohet se shkak është bërë një shkëndije elektrike. Më tej Mërtiri pohoi se flakët kanë shkaktuar dëme materiale.

Pavarësisht tentativës për të depërtuar në katin e 3-të të nëndheshëm, zjarrfikësit thyen të gjitha xhamat e katit të parë, për të ajrosur dhe nxjerrë tymin nga zona ku ka rënë zjarri. ‘BalkanWeb’ mëson se disa punonjës të zjarrfikëses po hyjnë me bombola oksigjeni në katet e nëndheshme. Kjo situata ka shkaktuar panik tek qytetarët që frekuentojnë bibliotekën si dhe punonjësit e institucionit.

ASLLANI: NGA ZJARRI NUK JANE PREKUR VEPRAT E RALLA
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani deklaroi për mediat se fatmirësisht nga zjarri nuk është prekur fondi i rallë i librave.
PERSIDA ASLLANI
“Sot, më datë 15.03.2017, rreth orës 10 e 40, në njërën prej hapësirave të fondeve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, nëpërmjet sistemit elektronik të sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri u sinjalizua me sirena të brendshme e të jashtme ekzistenca e një vatre zjarri. Menjëherë u ndërmor zbatimi i protokollit zyrtar për të tilla raste, në bashkëpunim me Shërbimin e Zjarrfikëseve, Policinë e shteti, emergjencave civile dhe shëndetësore. Ky protokoll, nga ana e BKSH-së, parashikon evakuimin e menjëhershëm nga mjediset e Bibliotekës. Mbas këtij evakuimi, vetëm një prej punonjësve shfaqi shqetësime të lehta me frymëmarrjen dhe mori shërbimin e menjëhershëm shëndetësor dhe është jashtë rrezikut për jetën. Situata u morr menjëherë në kontroll nga Shërbimi Zjarrfikës, i cili jo vetëm u paraqit me shpejtësi në vendngjarje, por punoi me përkushtim dhe profesionalizëm për vënien nën kontroll sa më të shpejtë të situatës. Nga të dhënat paraprake nuk na rezulton të jetë prekur mjedisi ku ruhen vlerat e rralla dhe arkivi shqip i BKSH-së dhe as Baza Elektronike e të Dhënave Kombëtare të BKSH-s.

Në kushtet aktuale është ende herët të dalim në përfundime profesionale mbi dëmet e shkaktuara dhe sapo të na krijohet mundësia ne do të komunikojmë sërish së bashku për të shkëmbyer informacione. E rëndësishme është që sistemi ka funksionuar në të gjitha hallkat e veta dhe falë koordinimit të menjëhershëm të të gjitha strukturave dhe institucioneve, si Shërbimi i Zjarrfikëseve, Policia e shtetit, emergjencat civile dhe specialistët e BKSH-së, situata u vu për pak minuta në kontroll. nuk janë prekur mjediset ku qëndrojnë veprat e rralla, madje as infrastruktura e teknikës. Bëhet fjalë për libra të huaja dhe në gjuhën shqipe, por janë të rikuperueshme. Dixhitalizimi i jep prioritet veprave unike.”, tha ajo.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: