Nga: Andi BUSHATI

Alarmi i ngritur nga opozita se Edi Rama po merr në dorë edhe timonin e SHISH nuk është detyrimisht një lajm i keq për kundërshtarët e kryeministrit. Thirrjet që e shohin lëvizjen e kësaj fillim jave si një manovër për të penguar hetimet e zbardhjes së dosjes Tahiri, për të varrosur aferat e familjarëve të shefit të qeverisë dhe ministrave të tij të besuar, mund të jenë të vërteta. Në afat të shkurtër ato mund të kenë efektin e një bombe. Mund të demoralizojnë ata që shpresonin në një drejtësi më të shpejtë edhe në institucione më të ekulibruara.

Në kushte laboratorike ato janë të gjitha shqetësime që qëndrojnë.

Por, në realitet është krejt ndryshe.

Sepse socialistët po bashkëjetojnë prej më shumë se katër vitesh me shërbimin sekret të Visho Ajazit, pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë dhe pa u trazuar realisht prej tij. Ndonjë merak i vogël për denoncimet e “qytetarit dixhital”, apo ndonjë thashethem i dërguar në veshët e opozitës, vetëm sa e kanë gërvishtur tangent tablonë rozë të rilindjes.

Edhe me mënyrën si “dha dorëheqjen”, Visho Ajazi, tregoi se ai nuk kishte synim t’a dëmtonte sadopak Ramën. Ai dëshmoi se bëri një largim tipik prej spiuni race, pa thënë asnjë fjalë dhe pa zbardhur asnjë arsye. Fakti se ai e shpërfilli edhe mbështetjen që i dha presidenti për t’a mbajtur në detyrë, fakti se ai ia kishte ofruar largimin si një dhuratë që mund ta përdorte kur të donte kryeministri, tregojnë se “dorëheqja” ka qenë me mirkuptim të plotë, të aprovuar nga të dyja palët. Edhe sikur pandehmat që kanë shpërthyer këto ditë, se ish kryespiunit do t’i ofrohet një vend tjetër pëllumbash, të mos jenë të vërteta, ato nuk e fshehin dot “deal-in” e arritur në kulisa.

Po nëse besojmë në këtë version të gjërave lind një pyetje tjetër: Po pse duhej ta largonte atëherë, Edi Rama Visho Ajazin?

Kjo pyetje legjitime ka një shpjegim të thjeshtë. Kryeministri, që pas bombës italiane kundër Tahirit është destabilizuar politikisht dhe po kalon momentin më të vështirë që kur ka marrë këtë post. Në ankth për detajet që nuk i di akoma dhe i tmerruar për plasjen e çdo fakti të ri që baltos edhe më qeverisjen, ai nuk duron dot as edhe një shkëndijë që mban ndezur flakën e këtij skandali.

Nga ana tjetër ai e dinte se kryespiuni kishte disa detyrime dhe ndaj padronëve të tij të vjetër. Ai e dinte se makina tollovitëse e “qytetarit dixhital” vazhdonte të kërkonte lëndë të parë. Prandaj Edi Rama vendosi ta përdorë letrën e dorëheqjes që Visho Ajazi i kish lënë në tryezë disa muaj më parë. Por ai nuk e bëri këtë për të mposhtur një kundër pushtet. SHISH nuk ka qenë për asnjë ditë i tillë. Ai e bëri këtë se nuk kishte më aftësinë të dëgjonte as grimcat e padëmshme të skemës kriminale që ka ngritur vetë.

Fatkeqësisht nga i njëjti hall po vuan edhe opozita e PD-së. Edhe ata po bërtasin skandal, se humbën aksesin në informacionin e cunguar që i përçonte SHISH-i. Edhe ata po klithin të shqetësuar duke harruar një fakt të thjeshtë: se SHISH-in e Visho Ajazit nuk e kishin më një aleat në betejën e tyre ndaj Edi Ramës.

Prandaj në këtë pikë, britmat e PD-së nuk duhen marë edhe aq seriozisht. Ndonëse me ikjen e kryespiunit disa dokumenta mund të “digjen”, ndonëse disa fakte mund të groposen, kjo nuk ndryshojnë asgjë në perspektivën e ngarjeve. Më shumë se disa “scoop-e” të vogla nga tribuna e selisë blu, shkarkimi i shefit të shërbimit sekret ka rëndësi për një gjë tjetër. Ai tregoi në sy të gjithëve se Rama e mori dhe timonin e SHISH. Për pak muaj ai do të heqë qafe edhe kryeprokurorin. Pra, pasi arriti të qeverisë pa aleatë, ai tani po mbledh në duar, i vetëm, të tëra levat e shtetit.

Në një vend kur regjimet bien jo nga meritat e kundërshtarëve, por nga paaftësia për të mbajtur peshën që marrin mbi supe, ky nuk është një ogur i mirë për të. Pikërisht për këtë, kundërshtarët e Ramës nuk kanë pse vajtojnë për humbjen e një SHISH-i që nuk e kishin prej kohësh./Lapsi.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: