Nga: Aurenc BEBJA

“Ce soir” ka botuar, të hënën e 24 prillit 1939, në ballinë, një shkrim në lidhje me ofertën marramëndëse që Hollywood-i i ka bërë asokohe Mbretëreshës Geraldinë për të luajtur një film, të cilën ajo e ka refuzuar në mënyrë kategorike.
image-275x335
Ja shkrimi në fjalë:

Një milion dollarë Mbretëreshës Geraldinë për të luajtur një film

Por, ish-sovrania e Shqipërisë, të cilës ky propozim iu bë nga një kompani kinematografike amerikane, nuk dëshiron të bëhet “një objekt kurioziteti publik”.

(Nga ana e të dërguarit tonë special)

Londër, 23 prill (nëpërmjet telefonit)

– A do të vihet një ditë në skenë romani tragjik i mbretëreshës Geraldinë të Shqipërisë, vajzës së dukës hungarez Apponyi dhe Zonjës Giraud?

Në fakt, një kompani e madhe kinematografike amerikane, i ka ofruar gruas së mbretit Zog, një kontratë prej një milion dollarësh (ose rreth 77 milionë franga) për të luajtur në Hollyëood.

Por, sot avokati anglez i Mbretëreshës Geraldinë – pasi telefonoi rezidencën, në Greqi, ku ajo po shërohet nga lindja e saj tragjike – u lejua të komunikojë zyrtarisht:

“Duhet të kuptojmë se Madhëria e Saj nuk dëshiron të bëhet objekt kurioziteti publik. Pasuria personale e mbretit është gjithashtu e mjaftueshme për gruan dhe familjen e tij dhe u mjafton atyre që të bëjnë një jetë të rehatshme dhe të qetë.

Oborri mbretëror i Tiranës është detyruar të shpërbëhet dhe natyrisht, nëse Mbreti mban vetëm një sekretar dhe një shërbëtor në shërbim të tij, Mbretëresha do të ketë po ashtu në shërbimin e saj vetëm një shërbëtore dhe një dado për djalin e tyre të vogël, i lindur para njëzet ditësh.

Madhëritë e tyre synojnë të shkojnë më pas në Angli, ku gjenden në depozitë të gjitha pasuritë e tyre. Sapo shëndeti i mbretëreshës Geraldinë të përmirësohet, familja mbretërore e Shqipërisë, do të largohet nga Greqia për të shkuar disa javë në Egjipt.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: