Në Stamboll, Aston Villa triumfoi në finalen e madhe, me ekipin e Unai Emery që fitoi trofeun e Europa League duke “thyer” 3-0 Freiburg, një finale pa shumë histori e dominuar totalisht nga ekipi anglez. Për herë të dytë në histori, pas 44 vitesh, Aston Villa rikthehet të fitojë një tjetër trofe evropian. Unai Emery vërtetoi edhe një herë se është ekspert i këtij turneu, kjo ishte hera e pestë në karrierë që fiton Europa League, duke kapur legjenda si Trapattoni, Mourinho apo Ancelotti. Interesant është fakti që 3 nga 5 ekipet që ka udhëhequr drejt suksesit në Europa League kanë pasur një Villa, pjesë të emrit.

Pas një fillimi të luftuar, fundi i pjesës së parë ishte spektakolar, ku fillimisht Tielemans kaloi Aston Villa në avantazh, ndërsa në shtesë, ishte Buendia që me një super gol dyfishoi shifrat duke e bërë një formalitet pjesën e mbetur të këtij takimi. Historia nuk ndryshoi as në fraksionin e dytë, ku Rogers në minutën e 58-të dërgoi shifrat në 3-0. Freiburg ishte i pafuqishëm të rikthehej në lojë, ndërsa Aston Villa menaxhoi me kujdes pjesën e mbetur duke bërë që në fund festa të ishte e gjitha për ekipin e Aston Villa-s, me ekipin e Emery që i bën një mbyllje fantastike këtij sezoni ku pasi siguruan prezencën në Champions League fitojnë edhe Europa League.

Pas ndeshjes, arkitekti i këtij suksesi, Unai Emery nuk i fshehu emocionet për këtë arritje të madhe: “Jam shumë i lumtur. Skuadra tregoi impenjim dhe dëshirë për të fituar këtë finale. Ky klub është mes më të mirëve në Angli dhe tani siguroi edhe vendin e tij është në Evropë. Jam i lumtur pasi tifozët tanë po përjetojnë emocione që jo të gjithë i përjetojnë”, u shpreh Emery.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb