TIRANË
Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar këtë të martë Klement Balilin me 10 vite burg. Gjykata shpalli fajtor Klement Balilin për katër akuza të ngritura nga Prokuroria, ndërsa ai u dënua me 15 vite burg, për shkak të gjykimit shkurtuar, Balili do të vuajë dhjetë vite heqje lirie.
Seanca gjyqësore ndaj tij zgjati rreth dy orë. Avokati i tij, Theodhori Sollaku kërkoi rrëzimin e akuzave të Prokurorisë duke i cilësuar si të pambështetura në prova. I pranishëm në seancën gjyqësore, Klement Balili nuk tha asnjë fjalë, ndërsa të pranishëm në Gjykatë ishin edhe familjarë si dhe përfaqësi nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi shpalljen e fajshëm të tij për trafik droge dhe një dënimin me 10 vite burg; deklarimin fajtor për pastrim parash dhe dënimin me 5 vite burg; deklarimin fajtor për fshehje të pasurisë dhe dënimin me 6 muaj dhe deklarimin fajtor për grup kriminal dhe dënimin me 5 vite burg. Në total Prokuroria kërkoi 18 vite burg, por gjykata sot vendosi përfundimisht dënimin e tij me 15 vite burg, dënim ky që i ulet në 10 vite pasi Klement Balili kërkoi gjykim të shkurtuar.
(n.m/BalkanWeb)