Afërsisht 1 miliard euro u shpenzuan nga 20 klubet e Serie A, për të vendosur një rekord të ri në tregun e transferimeve të futbollit italian. Mes blerjes së kartonëve, formulave të huazimeve dhe kontratave të futbollistëve, kampionati italian ka qenë një nga më “dorëlëshuarit”, ndërsa “froni” në sesionin që sapo u mbyll i takon Interit.
Beppe Marotta dirigjoi një stradegji të shkëlqyer, duke afruar në skuadër të gjithë futbollistët e kërkuar nga Antonio Conte. Diego Godin për mbrojtjen, Sensi e Barella në mesfushë dhe Lukaku me Sanchez për sulmin. Spektakolare edhe mënyra se si drejtuesit zikaltër zgjidhën edhe problemet me “rebelët” Perisic, Naingolan dhe në fund Mauro Icardi. Të gjitha këto lëvizje, sipas specialistëve të merkatos në Itali, bëjnë që Inter të mundë të paktën në tregun e transferimeve, rivalët e përjetshëm të Juventusit.
“Zonja e Vjetër” triumfoi në garën me të mëdhenjtë e Eurpës, duke marrë shërbimet e De Ligt, ndërsa në dispozicion të Sarrit u vendosën edhe Rabiot, Demiral, Ramsey dhe Danilo. Por ndryshe nga blerjet, Juventus dështoi thuajse plotësisht në merkaton në dalje.
Në të njëjtin nivel Napoli, që ka meritën e madhe që nuk largoi asnjë prej yjeve të skuadrës, teksa i plotësoi dëshirën e madhe trajnerit Carlo Ancelotti, duke blerë Hirving Lozano.
Një stradegji krejt ndryshe përdori Milan. Kuqezinjtë zgjidhën në mënyrën më të mirë merkaton në dalje, teksa te transferimet u mbështetën vetëm tek lojtarët e rinj, I fundit Ante Rebic i shkëmbyer me Andre Silva.
(balkanweb)