Ndeshja sot me Armeninë është bileta e kombëtares shqiptare të futbollit për në ‘Euro 2016’. Por edhe pse kanë kaluar 3 ditë nga ndeshja me Serbinë, ende nuk është fashitur shija që u la tifozëve ajo lojë në ‘Elbasan Arena’. Pa e ditur se ishin në transmetim direkt ne News24, pas ndeshjes këta tifoza kuqezi nuk shprehin zhgënjimin për humbjen e kombëtares por për politikanët dhe masat që u morën për ndeshjen. “U la të shpalosej flamuri serb në mes të stadiumit’, shprehet dikush duke ofenduar politikanët pa i vënë censurë fjalorit të përdorur. Zhgënjim shpreh dhe dikush tjetër që nuk u lejua të marrë pjesë në ndeshje, edhe pse thekson se priti me orë të tëra për të hyrë në ‘Elbasan Arena’ dhe si perfundim e ndoqi lojen jashte stadiumit. “Lejuan serbet te hyne, e ne jo”.

Frika se ndeshja mund të degjeneronte në dhunë bëri që Policia e Shtetit të merrte masa për ndalimin e sendeve të huaja në stadium. Nuk munguan për ditë me radhë thirrjet që, tifozat të tregojnë qytetari.

Para dy ditësh, kryeministri Edi Rama u shpreh i kenaqur dhe theksoi se pavaresisht dy golave qe pesuam, 3 pikeshin e fitoi qytetaria. Kurse rreth dhunës, sharjeve dhe thirrjeve në stadium, kreu i qeverise theksoi; “Dihet botërisht se futbolli nuk tërheq vetëm të mençurit e të arsyeshmit, po i tërheq që të gjithë. Ashtu siç dihet globalisht, se armiqtë e pandarë të futbollit janë
budallenjtë që e shohin fushën e blertë, si një hapësirë për të shfryrë urrejtjen raciste, etnike, fetare dhe lloj­lloj mllefesh e pasigurish provinciale. Të cilat, jo rrallë, i kthejnë në arena dhune edhe ndeshjet e kategorisë së fundit këtu në vendin tonë”.

Per cilin konkretisht ishte ky mesazh, cilet jane budallenjte…?

Dje në një shkrim ironizues mbi deklaratën e Ramës, deputeti Ben Blushi thekson se kryeministri mburret me humbjen.
“Me fjalimin e papërshtatshëm që mbajti, tregoi se beson se shqiptarët e kanë zgjedhur si një njeri të cilin historia i ka caktuar një mision: të përmbajë instiktet e kombit të vet të marrë. Dhe meqë dje e bëri, doli ta shpallë botërisht. Natyrisht ky sukses që politika e quan policim etik dhe shkenca mund ta konsiderojë një mutacion estetik, nuk mund të lihej në heshtje.
Dhe Edi Rama nuk heshti.
Ai mori përsipër suksesin mbi harbimin nacional dhe na la ne të tjerëve tentacionin nacional të gabimit. Ai tha se, nëse nuk do ishte për meritën e tij ne do kishim dalë nga kafazi dhe do i kishim shqyer serbët duke ua hedhur kockat në Shkumbin”, shkruan Blushi.

Sot luhet në Armeni ndeshja ku Shqipëria nëse fiton siguron pjesëmarrjen në ‘Euro 2016”. Në stadiumin e Armenisë nuk do të marrin pjesë tifozat e zjarrtë. Sigurisht do të jenë aty në mbështetje të kombëtares ata pak tifoza që mund të përballojnë shpenzimet, nuk do të mungojnë tifozat ‘VIP’, por jo ata që qajnë dhe u rreh zemra për kombëtaren.

Humb apo fiton, e sigurt është që kombëtarja do të vijojë të luajë. Ekipe të tjera do të vijnë në ‘Elbasan Arena’, por a do të fashitet vallë ky mllef i tifozëve që si rrallëherë në futboll nuk shpërtheu ndaj kundërshtarit në lojë, por ndaj politikbërësve në Parlamentin shqiptar.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: