Një ditë pas ngjarjes tragjike në Burgun e Fierit, ku u vetëvar 51-vjeçari Bilbil Zekaj, familjarët e tij kërkojnë drejtësi. Bashkëshortja e viktimës tregon bisedat telefonike me të, teksa shprehet se ai nuk i kishte thënë kurrë asgjë apo që t’i kishte shprehur ndonjë brengë.

Ai thekson se bashkë me tre fëmijët mezi prisnin datën 26, kur 51-vjeçari do të dilte në gjyq, ndërsa shton se flisnin në telefon 2-3 herë në ditë dhe i thoshte gjithmonë të mos mërzitet, se do të dilte nga burgu dhe do t’i bënin punët bashkë.

Nga ana e tij, babai i viktimës akuzon policinë dhe burgun, se nuk i kanë njoftuar për ngjarjen e rëndë, por ata e kanë marrë vesh nga televizori.

Intervista e bashkëshortes:
Çfarë dinin lidhur me ngjarjen?
Çfarë të them unë, unë s’pata asnjë pikë dyshimi, foli në telefon, siç fliste për ditë. Kërkoi vetëm fishat e insulinave dhe i thashë që do ja jap, në orën 16:00 do ta merrja në telefon.

Të dha ndonjë shenjë?
Jo, asnjë lloj veprimi. E prisnim me padurim datën 26 se kishte gjyqin. S’kishte asnjë ditë që të mos fliste, flisnim 2-3 herë në ditë.

Kishte ndonjë brengë?
Deri në atë moment nuk thoshte gjë, vetëm më thoshte që ‘mos u mërzit se do vij unë, do t’i bëjmë punët bashkë, vetëm mbaj afër fëmijët’.

Ju tani jeni e vetme me tre fëmijë, çfarë kërkoni?
Dua të drejtën e tij, dua pronat.

Si e morët vesh lajmin?
Nga televizori, e kishin marrë njerëzit e mi që më thanë, se unë nuk i kisha parë lajmet, do ikja në punë.

Si ishte gjendja e tij?
Nuk më kishte thënë gjë. I çoja ushqime, i hidhja lekë. Tani në kohën e pandemisë nuk shkonim fare.

Ju thoni se është vetëvrasje?
Nuk e di, nuk më linte pikë dyshimi, edhe kur e takoja më thoshte ‘prit se do vij, asnjëherë s’me thoshte gjë’.

Babai i viktimës: Djalin e dua. Djalin ma kishin bërë copa-copa. Pse nuk më lajmëruan mua? Nuk më lajmëruan fare, më lajmëroi miku, i tha nusesh. Unë jam babai dhe nuk dija gjë fare. Dëgjova nusen që po qante dhe e pyeta çfarë kishte. Djali vuante nga diabeti. As policia, as nga burgu, nuk na lajmëruan për ngjarjen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb