Gazetari Erl Murati i ftuar në rubrikën ‘’Opinion’’ në News24 ka thënë se Reforma Zgjedhore e cila po miratohet brenda 31 majit nuk çon në zgjedhje të lira e të ndershme.

Murati thotë se Reforma ka disa zgjidhje teknike që nuk çojnë në ndëshkim të krimit zgjedhor apo në administratë apolitike.

Ai shton gjithashtu se sistemi zgjedhor nuk ndryshon për sa kohë palët PD-PS e pranojnë atë. Murati thekson se nuk ndryshon gjë rekomandimi i SHBA, pasi faktori ndërkombëtar do të dakordësohet me PD- PS sa kohë këto të fundit pranojnë sistemin me lista të mbyllura.

 

 

”Nëse ka një lajm të mirë është se Reforma Zgjedhore, ndryshimet do bëhen 1 vit para zgjedhjeve. Lajmi i keq është që nuk do garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Janë ndryshime teknike. Opozita e Bashës por edhe opozita e Ramës më parë kanë pasur problemin që këto janë arnime, përmirësojnë legjislacionin, por nuk garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pra nuk ndëshkojnë krimin zgjedhor.

Presioni ndërkombëtar i ka detyruar palët të ulen, por nuk garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kam pikëpyetje për rolin e opozitës, a do frenohet në këto arnime, apo do kërkojë garanci.

Nëse frenohet atëhere opozita mban qëndrim paradoksal. Do thoja që opozita ka bërë hapa pas në këtë rast.

Ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk ndryshohet brenda 4 ditësh dhe ambasadorja amerikane është e ndërgjegjshme për mungesën e vullnetit. Ky sistem demonizohet, por dy palët e pranojnë.  Janë ato që diktojnë sistemin. E kot që ne të hamendësojmë për sistemin, edhe nëse e propozon ambasadorja, sa kohë opozita dhe mazhoranca nuk kanë vullnet. E kotë për mua që kjo opozitë të harxhojë frymë për një Reformë që nuk ndëshkon krimin zgjedhor.  Po të isha lider opozite do miratoja të gjitha rekomandimet e ODIHR.

Qëndrimi i ambasadës amerikane ka qenë rekomandim apo një nga sistemet e hedhura në tryezë. Kjo i përgjigjet interest shqiptar. Në rastin konkret nuk besoj se ka një investim nga SHBA. Edhe faktori ndërkombëtar do dakordësohet me palët nëse pranojnë për sistemin aktual. Dy partitë e mëdha nuk e duan pasi do të trazonte ujërat e brendshëm të partive. Si Vjosa Osmani që gëzoi simpatinë në Kosovë se doli jashtë linjës së partisë së saj. Pluralizmi shqiptar nuk ka arritur pjekurinë dhe kryetarët duan të mbajnë pushtetin.”- tha Erl Murati.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb