Avokati Ndue Pjetra ka kallëzuar në SPAK anëtarin e KLGJ-së Alban Toro, në akuzën e falsifikimit të dokumenteve.
Sipas Pjetras, Toro ka gënjyer për punën e tij si avokat, pasi nuk ka deklaruar një ndërprerje nga puna.
Avokati tha se Toro është zgjedhur në kundërshtim me ligjin, pasi për këtë pozicion duhet të ketë të paktën 15 vite eksperiencë si jursit dhe 10 vite pune si avokat, pa ndërprerje. Po ashtu Ndue Pjetra tha se çuditërisht mes 11 mijë avokatëve që ka vendi, u zgjodh pikërisht bashkëshorti i gjyqëtares, Elona Toro.
“Unë doja të sqaroja më gjerë çështjen. Pranë Shoqatës së avokatëve antikurrupsion, janë paraqitur shumë shtetas që kanë probleme me drejtësinë, gjykatat. Duke pasur parasysh vendimet e dhëna nga gjyqtarë që janë larguare nga vettingu, kjo përbën një problem të rëndësishëm për drejtësinë shqiptare, që nuk duhen të anashkalohen. Rasti konkret, avokatët e antikorrupsionit janë vënë në lëvizje, se në sistemin e drejtësisë, në institucionet KLGJ dhe KLP, ILD, kemi disa persona që nuk e kanë merituar që të zgjidhen, ose janë zgjedhur në kundërshtim me ligjin, përmes dokumenteve të falsifikuara. Një nga ata raste është Alban Toro. Ai është zgjedhur nga radhët e avokatisë me ligjin 115/ 2016, i cili thotë se; Personat që duhet të zgjidhen si anëtarë të KLGJ, duhet të kenë minimumi 15 vite punë si jurist dhe 10 vite pune si avokat pa ndërprerje. Alban Toro në vitin 2010-2011 e ka pezulluar aktivitetin si avokat. Ky fakt nuk është vënë në dukje nga Avokati i Popullit, që ka për detyrë që të verifikojë. Në të vërtetë Avokati i Popullit është dhe pritësi i dokumentacionit, por dhe institucion i përzgjedhjes. Alban Toro ka paraqitur dokumentet në parlamentin shqiptar ku sipas nenit 35, sekretari i përgjithësim i thotë; “Të mungon një dokument. Duhet të marrësh tek Tatimet një dokument që nuk ke ndërprerje nga puna”. Përgjigja që është marrë nga Tatimet rezulton; “Alban Toro, subjekti, pa numër nipti, i ka paguar detyrimet”. Por detyrimet për kur?! Kërkesa është bërë shumë indirekte, dhe enkas për ta ndihmuar atë. Parlamenti e ka konstatuar atë gjë, por pse është anashkaluar nga komisioni dhe pastaj është votuar, është tjetër gjë. Këta persona që zgjidhen në këtë formë janë gjithmonë që do i japin votën atij personi që e ka zgjidhur. Nuk mund të thuash që nga 11 mijë avokatë që ka Shqipëria, është gjetur një që ka gruan gjyqtare. Ata bëjnë çfarë të duan me popullin. Deri tani sa e kemi depozituar kallëzimin. SPAK deri tani ka qenë korrekt me veprimet, qoftë me të zgjedhurit, me të gjitha veprimet. Por a do e vazhdojë apo jo, kjo është tjetër gjë. Ne nuk do ndalemi, deri sa drejtësia të vihet në vend”, tha ai.
(BalkanWeb)
