Partia Demokratike, ka reaguar pas marrjes si të pandehur nga SPAK, të tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

Ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, përmes një postimi në “Facebook”, ka deklaruar se abuzimi i Ministrisë së Mbrojtjes me tenderin e ushqimeve për familjet në nevojë gjatë pandemisë tashmë është provuar.

Alibeaj nënvizon se PD tha të vërtetën dhe sipas tij, SPAK e ka bërë në mënyrë të pjesshme detyrën, pasi hetimet duhet të shtrihen më gjerë.

Postimi i plotë i Alibeaj:

Abuzimi i Ministrisë së Mbrojtjes me tenderin e ushqimeve për familjet në nevojë gjatë pandemisë prej sot është i provuar. PD tha të vertetën, siç ka bërë keto 8 vjet në opozitë për çdo aferë të qeverisë së Edi Ramës. Nën drejtimin e Olta Xhaçkës, Ministria e Mbrojtjes bleu ushqimet me dyfishin e çmimit dhe
tenderi iu dha pa garë një kompanie kompjuterash në Maqedoni, e lidhur me bashkëshortin e Ministres Xhaçka.

Dokumentimi i vjedhjes me tenderin e ushqimeve gjatë pandemisë vjen pas dokumentimit nga SPAK të një tjetër denoncimi të PD për vjedhjen me tenderat e pajisjeve mjekësore. Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Ogerta Manastirliu, i bleu ato me 2, 3 dhe 4fishn e çmimit dhe temderat u shpallën sekretë.

Për fat të keq, SPAK nuk i shkoi deri në fund këtyre çështjeve, duke ngritur akuza vetëm për nëpunës të nivelit të ulët drejtues. SPAK dështoi të ndeshkojë hajdutët e vërtetë, Edi Rama, Olta Xhaçka dhe Ogerta Manastirliu, që dolën garant për vjedhjen, u perpoqën të mashtrojnë shqiptaret, si dhe sulmuan dhe shpifën ndaj opozitës që denoncoi skandalin.

Vjedhja me prova në kohën me të veshtirë për shëiptarët provon edhe njëherë se Edi Rama i ka braktisur qytetarët. Koha kur qeveria vjedh njerëzit do të marrë fund në 25 Prill! Është koha për ndryshim!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb