Për herë të parë, falë valëve gravitacionale, u vërtetua një nga teoremat më të famshme të Stephen Hawking, sipas së cilës zona e të ashtuquajturit horizont i ngjarjeve, kufiri përtej të cilit asgjë, përfshirë dritën, nuk arrin t’i shpëtojë përqafimit gravitacional të një vrime të zezë, mund të bëhet vetëm më e madhe.

Kjo tregohet nga një studim i botuar në revistën Physical Review Letters (Prl) nga grupi i Institutit Kavli për Astrofizikën dhe Kërkimet Hapësinore të Institutit të Teknologjisë të Massachusetts (MIT).

Duke analizuar sinjalin e valës gravitacionale të marrë në Tokë më 14 shtator 2015 dhe të lëshuar nga dy vrima të zeza, që u bashkuan duke gjeneruar një të tretë, studiuesit e MIT llogaritën zonën e horizontit të ngjarjes së vrimës së zezë përfundimtare.

Në këtë mënyrë, ata treguan se kjo zonë është më e madh se shuma e zonave të horizonteve të dy vrimave të zeza fillestare: 367 000 kilometra katrorë përkundrejt 235 000 për secilën, ashtu siç parashikohej nga teoria e kozmologut të famshëm britanik, i cili vdiq në mars 2018.

Hawking e propozoi teorinë e tij 50 vjet më parë, në 1971, duke argumentuar se zona e horizontit të ngjarjes së një vrime të zezë ishte proporcionale me masën e saj dhe se, meqenëse vrimat e zeza sipas teorisë së relativitetit të përgjithshëm mund të fitojnë vetëm masë, horizonti i ngjarjes së tyre ishte i destinuar të rritej.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb