Me dy golat e shënuar ndaj Mallorca, Benzema arriti në 200 rrjeta me Real Madridin. Një shifër të cilën klubi e festoi, duke i dhënë një fanellë përkujtimore. Ishte vetë Florentino Perez që i dha në fushën e Bernabeut bluzën me numrin 200.

“Ky klub është gjithë jeta ime”, tha sulmuesi francez. Benzema duket sikur ka rilindur me ardhjen e Ancelottit. Në gjashtë ndeshjet e para të La Ligas, ai ka shënuar tetë gola dhe shtatë asistime. Kjo do të thotë, se ai është përfshirë drejtpërdrejt në një mesatare prej 2.5 golash për ndeshje.

Këto numra e vendosin atë për momentin si sulmuesin më të fortë në botë. Për të treguar rendimentin, bomberi francez i ka nisur të shtata ndeshjet zyrtare si titullar dhe i ka përfunduar të plota.

Trajneri Ancelotti e deklaroi edhe pas ndeshjes së fundit se nuk ka ndërmend ta lë të pushojë, pasi e sheh shumë të motivuar dhe me rendiment të madh. Benzema aktualisht është shënuesi më i mirë në 5 ligat kryesore evropiane, duke kaluar edhe Haaland dhe Lewandowskin, të cilët kanë nga shtatë gola.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb