Kryeministri Edi Rama, pa mbledhjes së kryesisë në selinë rozë, u ndal në një prononcim për gazetarët e pranishëm.

Ai tha se për Reformën në Drejtësi nuk do të ketë diskutime me opozitën, pasi ajo është një çështje madhore dhe e vendosur nga partnerët strategjikë si SHBA dhe BE.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike dhe shtoi ftesa e tij për bashkëqeverisje, mbetet ende.

A ka marrëveshje për zgjatjen e organeve të vetingut?

Rama: Kjo është një domosdoshmëri që vjen si rezultat i një procesi që ka treguar se sa i vyer është për pastrimin e llumit të sistemit të drejtësisë dhe ky proces s’mund të ndërpritet. Reforma në drejtësi është një reformë e bazuar te një partneritet i ngushtë dhe i padiskutueshëm me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE.

Kërkesa për bashkëqeverisje?

Rama: PS është në një proces reflektimi se proceset e reflektimit ne na kanë garantuar që të qëndrojmë në lartësinë e pritshmërive të publikut, na kanë ndihmuar edhe të kuptojmë se vetëpërmirësimi është domosdoshmëri për një forcë politike që merr përsipër të drejtojë vendin.

Ne jemi sot përsëri në qeveri si një forcë e vetme por ne nuk do e harrojmë për asnjë moment se në qeveri ne nuk na kanë sjellë thjesht votat e anëtarësisë sonë por të shumicës dërrmuese të shqiptarëve e atyre duhet t’u japim shansin të përfshihen në familjen tonë politike, duke thyer barriera që koha i vendos dhe inercia i mban aty, e ti japim mundësi shqiptarëve të ndihen mirë për sa na takon jo se ne i bëjmë mirë të gjitha gjërat as se ne nuk bëjmë gabimet tona, por se bëjmë gjithmonë më të mirën tonë që më e mira të bëhet dhe për të tjerët.

Reforma në Drejtësi?

Rama: Reforma në Drejtësi s’është për t’u negociuar, por për t’u kryer. Është shumë e qartë të gjithë që kthim mbrapa nuk ka dhe kush i bie ndesh Reformës në Drejtësi i bie ndesh të ardhmes së vendit. Reforma në Drejtësi s’është kërkesë partiake, por historike, kombëtare, për të gjithë fëmijët e këtij vendi, ndërsa të tjerat janë çështje që do diskutohet. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë çdo gjë me PD.

A do të ketë aksion konkret për të ndaluar këtë lloj punësimet, sepse në rastin e Shkodrës janë anëkuar që Tom Doshi ka marrë vendet më të mëdha të punës?

Rama: Unë nuk futem në thashetheme që dalin rrugës, nga mbledhje që dalin nga konteksti. Deputetët janë aty për të dëgjuar njerëzit dhe për të sjellë në grupin parlamentar, në veshët e të gjithë anëtarëve të qeverisë shqetësimet e njerëzve. Deputetët nuk janë as punëdhënës, as zyra pune. Proceset se si organizohet puna e shtetit dhe si rekrutohen njerëzit për administratë, janë procese që rregullohen dhe i takojnë strukturave të shtetit

Sakaq, i pyetur për opinionin e Komisionit të Venecias për zgjedhjet vendore, Rama tha se nuk vendos qeveria për këtë çështje.

“Për këtë nuk duhet të më pyesni mua, por kë i ka në dorë këto punë. Unë nuk i kam në dorë këtë punë. Qeveria nuk vendos si bëhen këto procese. Proceset normalisht duhet të ishin me kohë”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: