“Janë qëllimi dhe arsyeja pse zgjohem çdo mëngjes”, tha Aurela Gaçe për dy vajzat e saj në programin “Dola te Ola”, duke shtuar se vajza e madhe Grejsi në karakter i ngjan Skerdit, ndërsa e vogla Abigel është energjike si ajo.

Dhe sikurse ndodh me pjesën më të madhe të grave, edhe Aurelën mëmësia e ka ndryshuar 100 për qind dhe e ka bërë edhe më të ndjeshme. “Tani mendoj vetëm për ato, nuk mendoj më për vete. Mundohem të kaloj kohë me to dhe mundohem t’u sqaroj pse unë punoj”, tha ajo, duke shtuar se do që të jetë një model i mirë për vajzat e saj.

Ndërkohë e pyetur nëse do të dëshironte që vajzat e saj të ndiqnin rrugën e artit, ajo tha se vetëm nëse do ta duan vërtet dhe nëse do të jenë unike në atë që bëjnë, pasi ndryshe do të vuajnë sikurse ndodh me shumë artistë sot.

Pas rrëfimit të rrallë, të shoqëruar me nota humori e të qeshura pafund, studioja e programit ishte vetëm për Aurelën dhe vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi, të cilët u shoqëruan edhe nga orkestra e artistes që prej 10 vitesh janë kudo me të. Ata kishin zgjedhur për të interpretuar një kolazh shumë të bukur më këngë shqiptare, “Rrjedh në këngë e ligjërime” dhe “Këngë moj”, me të cilat i dhuruan programit “Dola të Ola” një moment magjik dhe të paharrueshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb