Vijon sot dita e pestë e luftës së Rusisë mbi Ukrainë, ku deri më tani raportohet për qindra viktima e mijëra të plagosur nga të dyja palët.

Ministria e Brendshme e Ukrainës njofton se në betejën për mbrojtjen e qytetit Kharkiv janë vrarë me dhjetëra ushtarë ukrainas dhe janë plagosur me qindra të tjerë nga sulmet me raketa të Rusisë.

Këshilltari i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Anton Herashchenko, tha në një postim në Facebook se “Kharkiv sapo është qëlluar masivisht nga raketat. Dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur”.

Dita e 5-të e luftës/ Viktima e shpërthime, Ukraina “zgjohet” mes sirenave, Zelensky paralajmëron 24 orë kritike. Sot takimi me palën ruse

Mëngjesi i pestë në luftë Ukrainën e gjeti me sirenat, që bien gjithandej dhe gjendjen e jashtëzakonshme. Gjatë natës u raportuan disa shpërthime në kryeqytetin Kiev dhe në qytetet tjera përreth. Ushtria ukrainase tha se trupat e saj arritën të zmbrapsin disa sulme të ushtarëve rusë, që përpiqeshin të sulmonin periferitë e Kievit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur gatishmërinë që një delegacion i vendit të tij të takohet në kufirin Ukrainë-Bjellorusi me një delegacion rus.

Ndonëse takimi është paralajmëruar për mëngjesin e sotëm, ende nuk ka asnjë informacion në lidhje me të. Ndërkohë, në një deklaratë në orët e para të këtij mëngjesi, Presidenti Zelensky ka deklaruar se “Ukrainën e presin 24 orë kritike”, pasi sipas tij, luftimet vazhdojnë në të gjithë vendin.

Nga ana e tyre, SHBA, BE dhe shumë vende të tjera kanë ndërmarrë sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke bllokuar hapësirën ajrore, duke ngrirë asetet e Putinit, Lavrov e krerëve të tjerë të Moskës, si dhe duke dërguar në Ukrainë ndihma të shumta ushtarake.

Në vijim gjeni një udhërrëfyes të shkurtër për të kuptuar të gjitha zhvillimet e ditës së katërt të luftimeve:

Luftime të ashpra u zhvilluan në lokacione të ndryshme në Ukrainë gjatë vikendit.
Forcat ukrainase thanë gjatë së shtunës se po shënonin progres në parandalimin e pushtimit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky shprehi gatishmëri që një delegacion ukrainas të takohet në kufirin Ukrainë-Bjellorusi me delegacionin rus. Takimi pritet të zhvillohet gjatë së hënës së 28 shkurtit.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin vendosi forcat bërthamore ruse në gatishmëri të lartë. Veprimi u cilësua si taktikë e Putinit nga Ukraina.
Bashkimi Evropian dhe shtete të tjera, duke përfshirë Shqipërinë vazhduan vendosjen e sanksioneve për Rusinë, mes tjerash duke ndaluar qarkullimin e operatorëve ajror rus dhe aeroplanëve të regjistruar në rusi në hapësirat e tyre.
Në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, po vazhdon ora policore.
Rusia raportohet se po shkon drejt një kaosi financiar. Mijëra qytetarë në vikend krijuan radhë të gjata para automateve bankare për të nxjerrë para në kesh.
Bashkimi Evropian u pajtua që të pranojë refugjatë nga Ukraina duke ua mundësuar atyre të qëndrojnë në BE deri në tre vjet pa pasur nevojë të aplikojnë për azil.
Ikja e ukrainaseve nga luftimet vazhdoi gjatë vikendit. Deri më tani llogaritet se Ukrainën e kanë lëshuar rreth 368 mijë qytetarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb