Nuk ka asnjë “efekt” kura Vanoli, “nëndetësja” e ka të pamundur të dal nga “zona e kuqe”. Tirana nuk fal askënd, nuk njohin rivalë duke vijuar marshimin drejt titullit kampion. Derbi i kryeqytetit, i zhvilluar në “Elbasan Arena”, mbetet bardheblu. Tirana siguroi fitoren e tretë sezonale përballë bluve, duke vijuar të qetë mbretërimin në krye. Në aktin e tretë ata që bënë diferencën ishin sulmuesi Devid dhe portieri Bekaj, i pari realizoi golin e vetëm të sfidës, ndërsa i dyti i priti penalltinë kapitenit Ibrahimi.

Të shtyrë nga “ethet” e mbijetesës, Dinamo zbriti në fushë më e karikuar, pas vetëm 13 minutash lojë, Ibrahimi flirtoi me golin teksa goditja e tij u përplas në shtyllën pingule. Dhjetë minuta më pas, dinamovitët gjetën golin e avantazhit me Samake, por VAR i prishi festën duke anuluar gjithçka për prekje të topit me dorë.

Situata u përmbys në pjesën e dytë me Tiranën që mori kontrollin e lojës, në minutën e 69-të tifozët bardheblu shpërthyen në festë teksa Devid i shërbyer në zonë dërgoi topin në rrjetë. Për ti bërë një mbyllje dramatike këtij takimi mendoja dyshja Ibrahimi-Bekaj. Dinamo fitoi një 11-metërsh në minutën e 85-të por nuk ishte e thënë që blutë të dilnin qoftë dhe me një pikë pasi Bekaj bën heroin duke i pritur penalltinë kapitenit Ibrahimi. Në këtë sezon mund të ndryshojnë trajnerët, mund të ndryshojnë aktorët, por në fund gjithnjë feston Tirana.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: