Kalimi i Messit te PSG nuk dha rezultatet e pritura, as për ekipin dhe as për ambiciet e lojtarit. Kohët e fundit është folur shumë për një rikthim të tijin te Barcelona, por kjo mundësi është hedhur poshtë nga numri një i klubit blaugrana. Për këtë është i sigurt presidenti Joan Laporta, i cili mbyll dyert për rikthimin e Messit.

“Nuk kam marrë asnjë mesazh nga Leo apo rrethi i tij në këtë drejtim. Për momentin nuk po mendojmë për rikthimin e tij. Ne po ndërtojmë një ekip të ri. Leo është lojtari më i mirë në botë, por ne nuk po mendojmë për kthimin e tij. Nuk do të donim të bënim një hap prapa. Barça është shtëpia e Leos.

Do të doja që ai të ishte i pranishëm në hapjen e Camp Nou-së të ri. Marrëdhënia jonë është ndryshe tani, ai është në Paris. Nuk ishte e lehtë për mua, do të kisha preferuar që gjërat të ishin ndryshe. Vuri klubin në rrezik. Mendoj se bëmë atë që duhej të bënim. Nuk flas me të si më parë” – u shpreh ndër të tjera Laporta, i cili konfirmoi se ka arritur akordin me një mbrojtës dhe një mesfushor, por pa përmendur emra.

Sipas mediave spanjolle bëhet fjalë për Christensen dhe Kessie. Ndërsa hodhi poshtë zërat për Mbappe dhe Haaland, sepse Barça nuk mund të kënaqë tekat ekonomike të agjentëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb