Makthin për të shkelur të gjallë në tokë, e përjetoi mes 411 pasagjerëve edhe sopranoja greke, Dimitra Theodossiou. Ajo arriti të shpëtonte falë guximit, por 24 orët e ankthit të përjetuara në anijen italiane “Norman Atlantik” do të mbeten gjatë në kujtesën e saj. Pas evakuimit është transportuar për mjekim në Itali, ku u dërgua në spitalin e Leçes për shkak të hipotermisë dhe më pas është nxjerrë nga spitali. Theodossiou u shpëtua falë një helikopteri të ushtrisë italiane ndërkohë që, siç njofton Express, ajo është shprehur për median italiane “Repubblica”: “Dy orë më parë na kishin thënë se kishte shumë tym dhe se nuk do të vinin më të na merrnin, kështu që ne qëndruam në të ftohtë, të lagur, me makth në errësirë. Por gjatë natës dëgjova zhurmën e helikopterit dhe aty mblodha të gjithë fuqitë e mia”. Ajo ishte nisur drejt Italisë për një turne me ndalesa në Emilia dhe Toskana.

U vendosët në helikopter?

Por po ishte një ferr i vërtetë pasi kam parë disa skena të tmerrshme. Kishte burra që nuk donin t’ia dinin për përparësinë ndaj femrave dhe fëmijëve, por rrihnin, shtynin dhe bënin gjithçka ishte e mundur për të shpëtuar vetë. Edhe mua më rrahën por munda të reagoj për të arritur tek helikopteri pasi pata një inat të madh, kam menduar ose tani ose kurrë. Ishte e tmerrshme, nuk do ta harroj kurrë.

Si u vutë në dijeni për zjarrin? Pati ndonjë alarm?

Jo asnjë alarm, asnjë prej gjëje. Unë kisha një shtrat në klasin e parë, isha duke fjetur dhe jam zgjuar prej erës së djegur që kishte pushtuar kabinën time. U çova menjëherë vesha një pulover, mora paratë dhe kartën e identitetit dhe vrapova jashtë. Kam trokitur në të gjitha kabinat që munda duke u thërritur që të dilnin.

U ngjitët sipër?

Jo kemi zbritur poshtë sepse na patën thënë që ndodheshin jelek shpëtimi dhe varka shpëtimi. Por disa varka shpëtimi u vunë në funksion e disa jo.

Çfarë patë më vonë?

Nga të gjitha llojet nga solidariteti tek zemërimi. Përpara frikës reagon në mënyra të ndryshme. Kam parë burrë që rrihnin dhe tërhiqnin ata që qëndronin përpara tyre vetëm për të shpëtuar, por edhe skena të ndryshme solidariteti, duke u dhënë dorën njëri-tjetrit dhe duke i dhënë kurajo. Ishte shumë ftohtë, një i ftohtë i paparë.

Ju jeni plagosur?

Jo, unë vetëm isha e rraskapitur si të gjithë. Ishte dikush i cili më godiste për të mos më lënë të më zinte gjumi. “Më thoshte nuk duhet të flesh, se po fjete do të vdesësh”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: