Emisioni “Pikat mbi i” kanë trajtuar sot temën e vrasjet e fundit që kanë tronditur vendin.

Analisti Artur Zheji u shpreh se së fundmi janë intensifikuar shumë vrasjet, por ata që janë ekzekutuar janë peshq të mesëm.

Ndërsa gazetarja e kronikës në News 24, Klodiana Lala hodhi dritë mbi disa prej pistave që po hetohet për ekzekutimet e Aleksandër Sadikajt dhe “Manecit” të Sukthit.

Përse krimi po vret kaq hapur?

Zheji: Mu krijua perceptimi sikur një tufë peshqish grabitqarë kërcejnë mbi ujë dhe disa peshkaqenë po i ndjekin ata. Çfarë janë këta që po vriten? Është larje hesapesh, është përshkallëzuar aksioni i policisë, apo po krijohen pole force të reja ku banditë të rinj po vrasin banditë të vjetër. Janë intensifikuar shumë vrasjet, janë peshq të mesëm.

Lala: Bie dakord që janë peshq të mesëm. Ajo që konsiderohet vrasje e rangut të lartë, janë Konomi apo Xhindi. Mua më shqetëson diçka tjetër, duke parë personazhet shoh që secili ka një specifikë të veçantë. Sadikaj pjesën më të madhe të jetës së tij ka jetuar jashtë vendit, ishte kthyer dhe kishte një pasuri miliona euro. Kishte një automjet luksoz, ai dhe bashkëjetuesja e tij. Qëndronte në vende të monitoruara prej tij. Papritmas bëhet viktimë e një atentati me eksploziv. Personat që bënë vrasjen e Sadikajt arritën edhe ta ekzekutonin, edhe të jepnin mesazhin edhe të krijonin panik te qytetarët. Për momentin që flasim është duke u hetuar pista e trafikut të lëndëve narkotike. Nëse shkojmë në vrasjen e Sukthit “Maneci” nuk ishte një personazh dosido, ishte një peshk i madh. Është ekzekutuar për larje hesapesh, por edhe për ti mbyllur gojën. Ishte një personazh që kishte informacion mbi vrasjen e gjyqtarit Konomi.

Pse nuk kishte folur deri sot?

Lala: Sepse ishte sa i përfshirë aq edhe i informuar për grupet kriminale. Ishte një personazh që kishte informacion edhe për vrasjen e Edison Arizajt, njeriu më i fuqishëm i botës së krimit në Vlorë në momentin që u ekzekutua. Dyshohej të ishte një ndër njerëzit që kishte gisht në plagosjen e Plarent Dervishajt. Përveç larjes së hesapeve iu mbyll goja. Maneci mund të pendohej në të ardhmen, mund të dërgonte prapa hekurave bosë të mëdhenj të botës së krimit. Ky rast është mirëfilli krim i organizuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb