Analisti Fatos Lubonja në rubrikën “Opinion” në News24, është shprehur se Serbia forcohet edhe më shumë nga Ballkani i Hapur, ndërsa kritikoi qeverinë shqiptare se nuk po bën sa duhet në lidhje me forcimin e ekonomisë.

Mbi ndihmën prej 30 mijë lekësh që është premtuar për fermerët që mbjellin grurë, Lubonja tha se do të paguhen me paratë e trafikantëve.

Sa mund ta ndihmojë Ballkani i Hapur situatën në Kosovë?

Jam mëdyshës, kam qenë kritik ndaj Ballkanit të Hapur, gjykoj që Vuçiç punon me dy shina siç punojmë edhe ne. Një shinë nacionaliste, nuk është se mendon që duhet njohur Kosova por e njeh ende si pjesë të Serbisë, në këto kushte Open Balkan ndihmon planet e Vuçiçit. Rama duhet të ishte mbështetur më shumë tek procesi i Berlinit. Jo tek një Ballkan i Hapur kështu.

Nga ana tjetër, rezerva ime është që siç është dizenjuar i jep fuqi më të madhe Serbisë, dhe kur konflikti është aty i ngrirë, mund të lindë kjo fuqi e madhe ekonomike që kontrollon Ballkanin mund të kthehet bumerang kundër Kosovës dhe aspiratave të saj.

Serbia luan me dy porta, është më e favorizuar ajo apo ne që luajmë me një. Mendo të shpërbëhet Europa dhe të tërhiqet perëndimi? Do ishim të dobët ne. Aleancë si Serbi-Rusi ne e kemi me Turqinë, por Ankaraja ka marrëdhënie të mirë edhe me Serbinë, është situatë komplekse. Serbia është shtet më i fortë se ne, edhe në lobingje. Ballkani i Hapur e forcon edhe më shumë. Është shtet më i madh me ekonomi më të mirë. Ne duhet të vijojmë punën jo me shpresën e NATO-s, sepse ekonomia jonë është krejtësisht e varur. Serbia eksporton grurë, ndërsa ne s’kemi as për vete. Sa të mban Perëndimi? Ne jemi shumë të pambrojtur sepse kemi politikanë aventurienë. E nisën politikën me: ne qeverisim Europa na ndihmon. Ne vjedhim, prishin tokën e bukës, u bë beton e çimento.

Po në lidhje me nismën e 30 mijë lekshit për ata që mbjellin tokat me grurë?

Me grurë apo hashash? Është për të qeshur. Ti mbro tokën një herë, s’ke vënë ende mbrojtje ku ndërtohet apo jo, të tëra tokat e bukës u bënë sheshe ndërtimi e vijohen të bëhen. 30 mijë lekët do të jepen nga ato të trafikantëve që do të vijojnë të ndërtojnë në tokët e bukës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb