NGA FATMIRA NIKOLLI*

Vija të lakuara në vizatime që rrinë tashmë të ruajtura në dosjet që la pas. Portrete dhe skica të njerëzve që qëllonin të ishin në krah të tij, në metro, trena ose në plazh. Vizatime godinash kryelarta që përcjellin stilin italian të arkitekturës, kisha, katedrale, harqe, kolonada.
Ai mbante gjithnjë me vete fletë vizatimi dhe bojë kine, dhe fletët ku ravijëzoheshin mendimet e tij, a pamjet që e shoqëronin, do të shfaqen për një publik të gjerë.

Për të përkujtuar arkitektin dhe piktorin Agron Jano (1954-2013), në vitin e tretë të ndarjes nga jeta, Galeria Kombëtare e Arteve (Tiranë) dhe familja kanë organizuar një ekspozitë retrospektive vizatimi.
Kjo është ekspozita e parë me vizatime e Agron Janos që realizohet në Shqipëri, pas dy të tillash të çelura në Itali (1993, 2012). Ceremonia e hapjes së ekspozitës është sot në orën 18:30. Ekspozita tregon talentin e tij, përtej arkitekturës që e bëri të njohur. Kryesisht vizatime dhe pak piktura janë pjesë e 50 veprave që mund të shihen, të realizuara në dy periudha: 1991-1994 dhe 2011-2012. Shumë syresh janë realizuar në Itali, rajoni i Lombardisë (në Brianza, Como, Milano, Cantu, Canzo, Cuçiago, Inverigo).

Në to, shihen sheshe dhe ndërtesa të arkitekturës tipike e vendit fqinj përcjellë me përpikëri me bardhezinë e vizatimeve të Janos. Në 35 vizatime, është pothuaj i njëjti çift që endet nga një fletë në tjetrën, nga një shesh në tjetrin, i kudogjendur si lapsi që i formëson. Ekspozita është ideuar si një lloj bisede a dialogu mes kohës dhe hapësirës. Ajo ndahet në tri cikle, që përbëjnë edhe tri boshte: vizatimet e arkitekturës italiane me bojë kine/penë dhe flamaster; figurat femërore në plazh dhe portretet.

FIGURAT
Janë njerëz të panjohur ata që shfaqen në vizatimet e tij. Ata që e kanë njohur, thonë se Agron Jano vizatonte njerëz që shihte ndërsa udhëtonte. Shumica e vizatimeve janë realizuar jashtë vendit, kryesisht në Itali, ku ai ka kaluar një kohë të gjatë, ndërsa një pjesë fare e vogël janë realizuar në Shqipëri. Mes tyre, janë vënë në ekspozitë edhe rreth 5-6 piktura, të cilat tregojnë një anë tjetër të arkitektit dhe piktorit. Ndryshimi mes viteve 1990 dhe viteve 2010 nuk është i madh. Më së shumti, vizatimet e fundme, janë shpesh përsëritje të të parave, të të njëjtave vende, sheshe e panorama, por që dy dekada më vonë, rihidhen në letër me një stil më të shkathët, më dinamik, më të rrjedhshëm. Njësoj janë edhe portretet; ato i ngjajnë një figure të krijuar me një vijë të pandalshme që endet mbi fletë të bardha për të krijuar një njeri, një figurë, një imazh.

Përtej ekspozitës, është realizuar edhe një katalog që përmbledh gjithë punët e tij, punë që janë më të shumta në numër se ato që ekspozohen. Në album, janë të përfshira edhe vizatimet që autori i ka shitur.
Kjo, nuk është ekspozita e parë me punët e tij. Në vitin 2012, Agron Jano pati çelur në Itali ekspozitën e tij të fundit (pas disa të tjerash në Shqipëri, Itali dhe Francë).

Ekspozita tregonte 50 punë të realizuara në 20 vite. Liqeni i Komos ka qenë për të një prej ndalesave më të dashura, si edhe katedralet e kishat, shtëpitë e qendrat historike më shumë se 500-vjeçare në zonën e Lombardisë. “Atmosfera magjike si në një teatër të natyrës me gjendje të ndryshme, ditë, natë, arkitekturë, materiale, gurë, harqe, afreske, drita, ngjyra, kontraste, kanë qenë në 20 vitet e fundit në mendjen dhe zemrën e autorit, i cili i ka derdhur ato me pasion në këto vepra unike”, shkruhej katër vite më parë me rastin e hapjes së ekspozitës së tij në Itali, në ftesën për eventin.

“Autenticiteti artistik, finesa dhe ritmi harmonik i linjave në vizatimet e Agron Janos të sjellin në mendje punimet virtuoze të qëndisjeve me azhur; ndërsa raportet e të bardhës dhe të zezës në vizatim krijojnë atmosferën e një uniteti stilistik të veçantë si dhe transmetojnë ngrohtësi e kënaqësi gjatë soditjes artistike të tij. Në punët e tij unike dallohet arkitekti dhe piktori, teksa shpalos me shumë ndjenjë, dashuri dhe profesionalizëm bukuritë e rralla të arkitekturës dhe të natyrës në këtë pjesë të planetit”, shpreheshin organizatorët e ekspozitës në Spazio Broletto, Como, Itali.

Jano, ka qenë kryetar i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë (2001-2008, 2012-2013) ndërsa ka marrë pjesë në këto ekspozita:
1997 – Ekspozitë pikture në grup në Galerinë T&G; 2010 – Ekspozitë personale pikture në Muzeun Historik Kombëtar; 2010 – Ekspozitë personale pikture në Galerinë Kledio; 2011 – Ekspozitë personale pikture në Galerinë e Arteve Fier; 2012 – Ekspozitë personale vizatimesh dhe pikture në Spazzio Broletto, Como, Itali; 2012 – Ekspozitë në grup “PranverArt3” në Muzeun Historik Kombëtar, dhe 2013 – Ekspozitë personale pikture në Qendrën Kulturore, Lushnjë.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: