[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/01/365-ditet-e-qeverise-prezantim.ppt” viewer=”microsoft”]

Qeveria ka realizuar vetëm 9 premtime nga 25 që ka deklaruar publikisht në marrjen e pushtetit në shtator të vitit 2013. Sipas një raporti të Lëvizjes ‘Mjaft’, nga këto premtime, 6 rezultojnë të realizuara në përputhje me premtimin, 7 premtime vlerësohen si të realizuara pjesshëm, 2 konsiderohen si të pamatshme dhe 9 premtime konsiderohen të parealizuara. Pjesë e këtij raporti nuk janë premtimet e analizuara në 3 muajt e fundit të vitit 2013. “Gazeta Shqiptare” boton sot me shkurtime raportin e Lëvizjes “Mjaft”.

Raporti “Vërtetmatësi – 365 ditë qeverisje”

Raporti mbi performancën e qeverisë për 365 ditë qeverisje
1. Ulja me 6 për qind e taksës së faturës së energjisë elektrike për konsumatorët familjarë
Premtimi: Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit, përfaqësues të Partisë Socialiste, premtuan se do të ulin me 6% taksën e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.
Përshkrim i përgjithshëm: Në çdo prag zgjedhjeje të përgjithshme, një nga premtimet kryesore të çdo force politike ka qenë energjia elektrike, e fokusuar kryesisht në furnizimin e rregullt me energji, investime për përmirësimin e shërbimit, si dhe ulje e taksës për konsumatorët familjarë. Me gjithë fokusin kryesor të politikës dhe qeverive të njëpasnjëshme, sistemi elektro-energjetik në Shqipëri nuk ka qenë në asnjë moment eficent dhe i vetëmjaftueshëm. Abuzimet me blerjen e energjisë, mungesa e investimeve, abuzimet e abonentëve (vjedhja e energjisë) dhe mospagesa e energjisë se konsumuar, janë arsyet kryesore të prag-kolapsit të sistemit energjetik në Shqipëri.

Fakti: Pas disa muajsh diskutime dhe debate me grupet e interesit, qeveria shqiptare, nëpërmjet OSHEE-së, i kërkoi Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, rritje të çmimit të energjisë me 12 lekë për kWh dhe heqjen e fashës prej 300 kWh. ERE miratoi plotësisht njërën nga kërkesat, atë të heqjes së fashës 300 kWh, dhe miratoi një tarifë fikse për konsumatorët familjarë prej 9.5 lekësh për këh, nga sistemi aktual me dy tarifa, duke sjellë një rritje neto prej 500 deri në 650 lekësh për konsumatorin e varfër si dhe një rënie çmimi për familjet që konsumojnë mbi 600 këh në muaj. Për abonentët familjarë që konsumojnë mbi 800 këh, që përkojnë me familjet e shtresës mesatare të lartë dhe shtresave të pasura, detyrimi që do duhet të paguajnë pranë OSHEE-së do jetë më i vogël.

Konkluzion:
Megjithëse impakti financiar në buxhetin e familjeve shqiptare, mund të konsiderohet minimal, referuar fakteve të mësipërme, premtimi i Partisë Socialiste gjatë fushatës elektorale 2013 bie në kundërshtim me vendimin e ERE për ndryshimin e çmimit të energjisë për familjarët. Kësisoj, ky premtim konsiderohet i pavërtetë/i parealizuar.

2. Reforma territoriale
Në datën 23 janar 2014, Kuvendi miratoi kërkesën e ministrit për Çështjet Vendore, për ngritjen e komisionit të posaçëm për “REFORMËN ADMINISTRATIVO-TERRITORIALE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, me një afat kohor prej 3 muajsh. Në bazë të vendimit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, komisioni u drejtua nga dy bashkëkryetarë, pozitë dhe opozitë, ndërsa në përbërje kishte 16 anëtarë, nga të cilët 8 përfaqësues të pozitës (6 PS dhe 2 LSI) dhe 8 përfaqësues të opozitës (6 PD, 1 PR dhe 1 PDIU).
Përfaqësuesit e opozitës nuk pranuan dhe nuk u bënë pjesë e procesit të diskutimeve për reformën territoriale me argumentin se, ka mungesë besimi dhe nuk shihet vullnet nga mazhoranca për një konsensus real. Ndërsa, qëndrimi faktik i opozitës lidhej me mospranimin e opsionit të propozuar nga përfaqësuesit e saj, propozim ky i cili nuk u mor parasysh nga mazhoranca, “ky qëndrim sipas opozitës”.
Pavarësisht oponencës politike të opozitës dhe argumenteve për mungesë besimi dhe vullneti të mazhorancës për të dëgjuar pikëpamjet e opozitës, Komisioni për Reformën Administrative Territoriale, miratoi variantin me 61 njësi vendore, variant i cili u materializua në parlament me miratimin e ligjit nr. 8653/2000 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore të Republikës së Shqipërisë”. Në konkluzion, ky premtim vlerësohet: i vërtetë/ i realizuar.

3. Kthimi te publiku i TVSH dhe ATSH
Premtimi: Në fillim të muajit tetor 2013, në një konferencë të hapur për mediat, kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve rreth proceseve reformuese që pritet të ndërmarrë qeveria dhe zotimeve në kuadër të realizimit të premtimeve elektorale. Një nga angazhimet e kryeministrit Edi Rama, e artikuluar gjatë konferencës, ishte ai për “rikthimin” në shërbim të publikut, të Televizionit Publik Shqiptar dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare.
Fakti:
Në 14 muaj të qeverisjes së Aleancës për Shqipërinë Evropiane, ende nuk kemi asnjë veprim konkret për reformimin e TVSH-së dhe ATSH-së, çka e bën këtë premtim ende të pavërtetë/i parealizuar.
4. Problemi me emigrantët, fëmijët e lindur në Greqi (toponimet)
Premtimi: Në datën 10 qershor 2013, në një takim të organizuar nga emigrantët shqiptarë në Greqi/Igumenicë, Sekretari i Emigracionit në Partinë Socialiste, Erion Veliaj, sot ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, u premtoi emigrantëve shqiptarë zgjidhjen e problemit të toponimeve, nëse Partia Socialiste do të fitojë zgjedhjet e 23 qershorit.
Megjithëse ky premtim i ka të gjithë elementët faktikë dhe ligjorë për të qenë i vërtetë/i realizuar, mbetet për t’u verifikuar përmbushja e detyrimeve qe ka ndërmarrë shteti shqiptar, deri në datën 1 janar 2015.

5. Krijimi i Agjencisë Kombëtare për Bregdetin
Fakti: Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 22 janar 2014, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave mori vendimin për ngritjen e Agjencisë Kombëtare për Bregdetin, me drejtues Auron Taren. Megjithatë, nga ana institucionale dhe strukturore, kjo agjenci është krijuar dhe ky premtim rezulton i vërtetë/i realizuar.

6. Reforma e pensioneve
Fakti: Dy muaj pas ardhjes në pushtet, qeveria “Rama” deklaroi se do të hartonte reformën e re të pensioneve. Drafti u përgatit nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore. Drafti mori pamje në shkurt të 2014-ës dhe në prill të po këtij viti, nisi të diskutohej me grupet e interesit, me gjithë skepticizmin dhe kundërshtimin paraprak të tyre. Më 31 korrik 2014, reforma e pensioneve u miratua nga parlamenti, duke i hapur rrugë hyrjes në fuqi të saj nga 1 janari 2015.
Reforma e re e pensioneve parashikon disa ndryshime të rëndësishme krahasuar me skemën ekzistuese. Kështu, mosha e pensionit për meshkujt mbetet e pandryshuar në 65 vjeç deri në vitin 2032 dhe pas këtij viti do të rritet me nga një muaj për vit deri në arritjen e kufirit 67 vjet. Për gratë, mosha do të rritet në mënyrë graduale me nga dy muaj për çdo vit, duke arritur në vitin 2032 në 63 vjet.
Është ende e paqartë sesi do të zbatohet reforma nga 1 janari 2015 dhe se sa do të gjejnë zbatim real disa nga ndryshimet e sipërpërmendura. Duke pasur parasysh këto elemente, ky premtim konsiderohet i vërtetë/i realizuar/për t’u verifikuar në aspektin e ndryshimit ligjor (reforma), por do jetë në proces ndjekjeje dhe verifikimi për të parë ecurinë e zbatimit.

7. Mbështetje me pension për policët e rënë në krye të detyrës
Premtimi: Në datën 23 janar 2013, gjatë një vizite në një nga familjet e policëve të vrarë, në Rrashbull, rreth i Durrësit, kryetari i PS, Edi Rama, sot kryeministri i vendit, premtoi rishikimin e mbështetjes financiare për familjet e policëve të rënë në krye të detyrës, si dhe sigurim jete për policët që janë aktualisht pjesë e Policisë së Shtetit.
Fakti: Miratimi në datën 31 korrik 2014, i ligjit të ri për Policinë e Shtetit nr. 108/2014, nuk solli asnjë ndryshim sa u përket premtimeve për rishikim pensioni apo pension të veçantë për policët e rënë në krye të detyrës, si dhe sigurim jete për policët që punojnë ende në polici.
Si konkluzion ky premtim mbetet i pavërtetë/ i parealizuar.

8. Normalizimi i sistemit të energjisë është prioritet shumë i rëndësishëm
Fakti: Hapi i parë që qeveria ndërmori për të normalizuar situatën në sektorin energjetik ishte ngritja e Task-Forcës, së drejtuar nga zv.kryeministri Niko Peleshi. Kjo Task-Forcë nisi punën më 1 janar 2013 dhe do të funksiononte deri me 31 dhjetor 2013. Qeveria premtoi reformë të thellë në sektorin energjetik, kusht ky edhe i marrëveshjes trevjeçare të bashkëpunimit me FMN-në.
Masa e ndërmarrë së fundmi nga qeveria, është pushimi nga puna për punonjësit që nuk kanë paguar energjinë elektrike. Më 6 dhjetor, ministri i Drejtësisë vendosi shkarkimin e 131 policëve të burgjeve, pasi rezultonin debitorë të energjisë prej 13 vjetësh, ndërsa më 8 dhjetor, u pushuan nga puna 234 punonjës së OSHEE-së që kishin detyrime të papaguara të energjisë mbi 2 muaj. Masa e fundit e marrë nga qeveria për heqjen nga puna të punonjësve të administratës publike që rezultojnë debitorë, vlerësohet si masa më e rëndë ndëshkuese e ndërmarrë nga qeveria. Gjithashtu, kjo masë nuk ka asnjë referencë ligjore mbi të cilën të bazohet, përkundrazi, bie ndesh me disa ligje që mbrojnë dhe garantojnë të drejtat e punëmarrësit në administratën publike.

Gjithashtu, në këtë veprim të qeverisë për heqjen nga puna të punonjësve të administratës publike, ka një nonsens logjik në veprimet që vijuan, pasi pak ditë pas largimit nga puna të punonjësve të parë, qeveria bëri publik vendimin për pagesën e faturës së papaguar, duke falur 80% të kamatëvonesës, rregull ky që nuk vlen për ata që punojnë në administratë publike.
Duhet parë sesi do të vijojë reforma në sektorin energjetik. Në bazë të ndryshimeve të bëra deri më tani, ky premtim konsiderohet pjesërisht i realizuar.

9. Goditja e monopoleve
Premtimi: Qeveria ka premtuar luftë kundër monopoleve, çka do të garantonte konkurrencë të ndershme mes bizneseve në treg, por edhe përfitime për qytetarët.
Koncesioni i parë që qeveria anuloi ishte ai i skanimit të kontenierëve dhe më 14 gusht 2014, kompania “Rapiscan” e çoi çështjen në arbitrazh ndërkombëtar. Një tjetër koncesion i paralajmëruar nga qeveria për t’u anuluar është ai i kolaudimit të automjeteve. Më 24 janar 2014, kryeministri Edi Rama paralajmëroi liberalizim të tregut të kolaudimit të automjeteve. Duhet parë se çfarë masash konkrete do të merren në vijim. Në bazë të ndryshimeve të bëra deri më tani, ky premtim konsiderohet i pavërtetë/ i parealizuar.

10. Përmirësime radikale në sistemin e shëndetësisë
Pavarësisht ndërhyrjeve në çmimin e barnave, paketave shëndetësore, furnizimin e spitaleve publike me ilaçe si dhe nisjen e fushatës së “check up-it”, ndërhyrjet në sistem konsiderohen sipërfaqësore/arnuese dhe jothelbësore për ndryshimin apo reformimin radikal të sistemit.
Kësisoj, ky premtim konsiderohet i pavërtetë/i parealizuar.

11. Punësim në bazë të meritës e konkurrencës
Aplikimet për vende pune në Administratën Shtetërore për herë të parë, me ardhjen në pushtet të socialistëve, nisën të bëhen transparente nëpërmjet faqeve online të ministrive përkatëse, të cilat vijojnë të jenë po të tilla. Ndryshimet e bëra në ligjin e “nëpunësit civil” shënuan gjithashtu zhvillime pozitive për sa i përket transparencës. Por nëse marrja në punë, pas aplikimit dhe testimeve, pra pranimi i të punësuarve përmes meritës dhe konkurrencës është e tillë, kjo mbetet një çështje e pamatshme. Ky premtim konsiderohet i pamatshëm.

12. Goditja e të korruptuarve në institucionet publike
“Goditja” e korrupsionit të ish-zyrtarëve të lartë të qeverisë “Berisha”, ka mbetur në nivelin e kallëzimeve penale të cilat më pas pushohen nga Prokuroria, ndërsa për disa të tjera është zgjedhur heshtja. Ky premtim konsiderohet i pavërtetë/ i parealizuar.

13. Formalizimi i Ekonomisë
Premtimi: Qeveria është zotuar të formalizojë ekonominë, duke zgjeruar bazën e tatimpaguesve.
Duhet parë sesi do të vijojë miradministrimi fiskal dhe masat e tjera që do të merren në luftën kundër evazionit fiskal. Në bazë të ecurisë së deritanishme, ky premtim konsiderohet i pavërtetë/i parealizuar.

14. Paketë për Reformën në Drejtësi
Drejtësia në Shqipëri ka qenë dhe vazhdon të jetë sfida e humbur e çdo qeverie këto 25 vite demokraci. Çdo qeveri që ka drejtuar vendin këto 25 vite, si Partia Demokratike, edhe Partia Socialiste, kanë treguar mungesë vullneti për të zhbërë dhe rindërtuar një sistem drejtësie të aftë për të qenë i pavarur, i pakorruptuar dhe i barabartë për të gjithë.
Mbetet ende shumë punë për t’u bërë në reformimin tërësor të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, kësisoj ky premtim mbetet ende i pavërtetë/i parealizuar.

15. Marrja nën kontroll e pasurive kombëtare
Duke gjykuar veprimet e deritanishme të mazhorancës, premtimi për marrjen nën kontroll të pasurive kombëtare duket pjesërisht i realizuar. Megjithatë mbetet për t’u parë në vitet e tjera të mandatit qeverisës se çfarë do të ndodhë me kompaninë “Albpetrol”, për të cilën ministri Gjiknuri ka deklaruar se “qeveria shqiptare do ta rinxjerrë në shitje, por me kushte të reja privatizimi”. Ky premtim konsiderohet pjesërisht i realizuar.

16. Nisja e procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje
ALUIZNI ka lënë 31 dhjetorin si afat të fundit për vetëdeklarimin. Pas kësaj date, të gjithë objektet pa leje që nuk janë në proces legalizimi do të shemben.
Duhet parë sesi do të vijojë procesi i legalizimit dhe lëshimi i certifikatave të pronësisë. Në bazë të ecurisë së deritanishme, ky premtim konsiderohet pjesërisht i realizuar/për t’u verifikuar.

17. Ulja e moshës së daljes në pension të personave që punojnë në punë të vështirë, minatorët etj.
Më 3 shtator 2014, pra në harkun kohor të një viti mandat qeverisës, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin e hartuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për uljen e moshës së minatorëve.
Ky premtim konsiderohet i vërtetë/i realizuar.

18. Një sistem të së ardhmes ku të gjithë do të përfitojnë shërbim shëndetësor falas dhe ku do të jenë vetë bordet e spitaleve që do vendosin për aparaturat.
Megjithëse qeveria nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë prezantoi paketën për vizita falas në disa spitale private, kjo nuk përbën ndryshim rrënjësor të sistemit apo një politik të qëndrueshme, kjo mbetet në kuadrin e tentativës për të quajtur të ezauruar këtë proces. Kësisoj ky premtim konsiderohet i pavërtetë/i parealizuar.

19. Brenda 9-mujorit të parë do shlyhen të gjitha borxhet e punëve publike
Duhet parë sesi do të vijojë shlyerja e detyrimeve të prapambetura gjatë vitit 2015 dhe 2016. Duke pasur parasysh se mazhoranca aktuale kishte si premtim fillestar shlyerjen e këtyre detyrimeve brenda 9-mujorit të parë, ky premtim konsiderohet pjesërisht i realizuar.

20. Nuk do krijohet asnjë borxh i ri ndaj biznesit
Deri më tani, qeveria nuk ka krijuar borxhe të reja. Duhet parë sesi do të vijojë miratimi i ndryshimeve ligjore dhe shlyerja e detyrimeve për biznesin. Në bazë të ecurisë së deritanishme, ky premtim konsiderohet i vërtetë/i realizuar/për verifikim.

21. Rimbursimi i TVSH .
Premtimi ishte: “Është kërkesa juaj dhe reflektimi ynë është që, vetëm TVSH e parimbursuar, gjobat detyrimet publike të palikuiduara, vetëm këto e çojnë taksën e sheshtë në 22% të tatimfitimit dhe ne do rikonceptojmë të gjithë zinxhirin e TVSH-së dhe nuk do ketë më vonesa që administrata ka ndaj biznesit dhe do likuidohen në kohë”. Duhet parë sesi do të zbatohet në praktikë ky projektligj. Në bazë të ndryshimeve të bëra deri më tani, ky premtim konsiderohet i pamatshëm.

22. Produktet “Made in Albania”
Premtimi: Qeveria e ka shpallur një ndër prioritetet e saj krijimin e produkteve “Made in Albania”, si një mënyrë për të krijuar brendin shqiptar dhe nxitur konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
Duhet parë sesi do të vijojë zbatimi i masave për sektorin fason dhe masave për lehtësimin e tregtisë. Në bazë të ecurisë së deritanishme, ky premtim konsiderohet i pjesërisht i realizuar/për verifikim.

23. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike
Ndërhyrja e qeverisë në Lazarat është një premtim i mbajtur, duke i dhënë të drejtën asaj të deklarojë se riktheu Policinë e Shtetit në krye të detyrës. Por duhet theksuar gjithashtu se aksioni i suksesshëm, erdhi pas një periudhe të vështirë për situatën e rendit, pas shpërthimeve të shpeshta me tritol si dhe pas debatit fillimisht politik, për trafikimin e lëndëve narkotike nëpërmjet ajrit, debat i cili kulmoi në 10 maj 2014, me rënien në Divjakë të një avioni që transportonte drogë.
Ky premtim konsiderohet pjesërisht i realizuar/ për verifikim.

24. Reforma në Arsim
Politikat dhe ndryshimet ligjore në kuadër të përmirësimit të sistemit arsimor në Shqipëri, që ndërmori qeveria këtë 1 vit e gjysmë qeverisje, mund të konsiderohen pozitive por jo të mjaftueshme, për të zgjidhur problemin cilësor dhe strukturor që mbart prej vitesh sistemi i arsimit. Në muajin janar 2015 pritet që të rihapen diskutimi për ligjin e ri për arsimin. Kjo do të ishte një mundësi e mirë për grupet e interesit që të advokojnë dhe lobojnë për hartimin e një ligji të qëndrueshëm dhe cilësor. Nga ballafaqimi i fakteve të mësipërme, rezulton se disa nga politikat janë në proces implementimi dhe disa të tjera pritet që të implementohen, kësisoj ky premtim konsiderohet pjesërisht i realizuar/për verifikim.

25. Do hapim 300 mijë vende të reja pune
Bazuar në premtimin e qeverisë për krijimin e 300 mijë vendeve të reja të punës brenda mandatit të parë, përllogaritjet tregojnë se duhet të krijohen mesatarisht 75 mijë vende të reja pune në një vit. Shifër që edhe pse pretendohet nga qeveria, nuk është reflektuar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe as te kontributet që vilen në buxhet nga tatimi mbi pagën. Duhet parë sesi do të vijojë hapja e vendeve të reja të punës gjatë periudhës në vijim. Në bazë të ecurisë së deritanishme, ky premtim konsiderohet i pavërtetë/i parealizuar.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: