Një orë e 40 minuta, kaq është koha që i duhet të përshkojë rrugën më këmbë nga shtëpia e tij drejt shkollës ku jep mësim, mësuesi Bejçe Ilias nga Erseka.

Prej 20 vitesh, Bejçe Ilias ka dhënë mësim në fshatra të ndryshme të Bashkisë Ersekë, duke kontribuar për edukimin e shumë brezave. Në fshatin Shtikë mësuesi jep lëndën e gjuhës italiane për vetëm dy nxënës, ndërsa e cilëson mësuesinë si misionin e tij të jetës.

Rruga që lidh fshatin Shtikë me pjesën tjetër të bashkisë është e vështirë, ndikuar edhe nga terreni malor. Ndonëse Erseka është ndër zonat më të ftohta në vend dhe ku dimri bën i ashpër, mesuesi rrëfen se nuk ka munguar asnjëherë për këto arsye, madje i është dashur të niset më herët për në shkollë, për të ngrohur klasat për nxënësit e tij.

Bejçe Ilias thotë se nuk i ka braktisur kurrë shkollat në zonat rurale, ndonëse ka pasur mundësi të shumta për t’u transferuar në shkollat pranë qendrës.

Kjo është historia e mësuesit nga Erseka, që pasionin për profesionin e arsimtarit e ka shndërruar në mision, ku falë punës dhe angazhimit të tij edhe ata pak nxënës që kanë mbetur në zonat e braktisura rurale të njohin dritën e diturisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: