TIRANE – Ishte një rome që dinte të parathoshte fatin si të frymonte me Zotin apo me qoftëlargun, e internuar edhe ajo, ngaqë i kish hedhur fall gruas së Enver Hoxhës dhe ngaqë e dinte se ajo grua që i shkoi një ditë në kasollen e saj ndanë lumit të Tiranës për të hedhur fall qenkësh gruaja e Enver Hoxhës. Te kjo fallxhore e famshme u çua ëndrra e Pasardhësit për t’u shkoqitur, në fshatin Ibrikas i Ri, ku ishte e internuar.
Fallxhorja e shkoqiti ëndrrën pa vështirësi, duke thënë se ishte një kumt nga bota e përtejme, veçse, për ta shkoqitur kumtin, i duheshin letra nga ato të lojës me letra, domethënë letra bixhozi. Sjellësit e ëndrrës së Pasardhësit çuan diku një makinë dhe kjo solli një takëm letrash kineze, të papërdorura. Nuk ia kishin thënë kush ishte ëndërrshikuesi, por nga shkoqitja e kumtit me ndihmën e letrave të bixhozit ajo e kuptoi, dhe ata e kuptuan, nga sa dëgjuan prej saj, se ajo e kish kuptuar kush ia kishte dërguar këtë ëndërr (dhe me sa duket ky ishte shkaku që paskëtaj fallxhorja u zhduk pa nam e pa nishan, s’dihet se si, sikurse nuk dihet si u rifshaq po në atë fshat mbas ndonjë viti, ose ndoshta dy vjetësh, ndërsa në rastin e zhdukjes tjetër të saj, pasi kipci i Enver Hoxhës iu zbulua asaj me pamjen e tij të vërtetë, dhe për më tepër ajo i parashikoi të ardhmen duke i thënë se do t’i vinte dita që të bëhej Enver, ajo nuk është rishfaqur më, ose ende nuk është rishfaqur). Nga shkoqitja e kumtit të ëndrrës me anë të letrave të bixhozit, çka ishte parashikim dhe njëherësh përudhje e ëndërrshikuesit për veprimet që duhej të bënte, pra njëfarë urdhri i fatit, dhe, si të tilla, këto veprime qenë të pashmangshme, doli si ai do të rilexonte ose duhej të rilexonte testamentin e Enver Hoxhës (fallxhorja nuk e shqiptoi këtë emër, në vend të tij përdori fjalën Paraardhësi), por duhej ta rilexonte pasi t’i kalonte përsipër një lëndë nga trupi i Enver Hoxhës (i Paraardhësit), veçse një lëndë që të ishte e tejdukshme. Kaq tha fallxhorja. Dhe pastaj askush nuk e pa më (së paku gjer në rishfaqjen e saj mbas ndonjë viti, ose ndoshta dy vjetësh).
Ajo ishte një mesogrua gjithashtu e internuar, një rome që shtinte fall dhe me sa dukej mu për këtë e paskëshin internuar. Ai, kipci, e lakmonte këtë femër. Ndaj dhe e gjurmonte shpesh e më shpesh, tinëzisht e me druajtje, rrugëve të përbaltura të fshatit. Mirëpo ajo s’ia varte. Gjersa, një natë me hënë të plotë, ia zuri pusinë prapa murit të asaj barrange shkatarraqe prej eterniti ku gruaja banonte, duke e pritur të kthehej, dhe i doli s’andejmi në çastin që ajo erdhi e po merrte të hynte në banesën e saj, dhe i hoqi, ai, nga koka e vet, krejt leckat që i fshihnin fytyrën, për t’iu shfaqur kësisoj si ai që ishte (dhe këtu gazetari thotë se aktori i panjohur luajti njëherësh rolin e gomarit dhe të Oberonit, mbretit të shtojzovalleve në komedinë e lartpërmendur). Enver, tha fallxhorja e ngratë, me një fill zëri. Dhe iu lëshua në krahë. Ai e pushtoi dhe gishtërinjtë e tij zunë t’ia nduknin mishrat. Gruaja a thua e kishte pritur takimin me një jaran të tillë. E tërhoqi ngutthi brenda, brenda në barrangën e saj dhe aty menjëherë drejt e në brendësirën e baqthit. Bënë qejf si të zijosur. E pastaj, teksa ai dergjej përbri gruas ashtu i mrekulluar, madje disi i trembur nga vetja, ngase ishte hera e parë, mbas kaq vitesh, që binte në grua dhe jetonte një përvojë të tillë, aq sa i bëhej si ta kishte për herë të parë në jetë, ajo, e mbështetur sa në njërin bërryl në tjetrin, e pyeste dhe e pyeste ngulmueshëm. Kush je ti, e pyeste. Enveri, ngulmonte ai. Po asaj s’i mbushej mendja. E mori për të cokatur e të lajthitur.
Megjithatë, vazhdoi të kuvendonte me këtë kukudh të ardhur prej territ të natës dhe, fjala nxjerr fjalën, i rrëfeu dikur historinë e vet, se si e kishin sjellë këtu në të s’ëmës, prapa diellit. Dhe doli që shkaku i kësaj na qenkësh i përafërt me shkakun e ndëshkimit të tij.
Sepse ajo, fallxhorja, një ditë prej ditësh i paskësh hedhur fall një gruaje tjetër duke i parathënë shumë e shumë të liga, por pa e ditur kush ishte ajo gruaja tjetër, gjë që e kishte nuhatur e kuptuar vetëm në të mbaruar të fallit, duke ia thënë këtë tjetrës, që e kishte fshehur kush qe, për të mos e penguar fallxhoren që kjo t’ia shkoqiste të vërtetat që duhej t’i thoshte e të mos i fshihte, dhe që na qenkësh pikërisht gruaja e të madhit, e atij të madhit fare, e Enver Hoxhës, pra! Të gjitha këto do t’ia sillnin kobin fallxhores, romes së shkretë me një tufë kalamajsh, që i kishin mbetur jetimë, atje në një paralagje të Tiranës, ngase këtu, mos o Zot [ ], ishte edhe më keq për ta, ndaj dhe s’mund t’i merrte. Kurse për ty gjysma e së keqes, i tha jaranit, se je njeri pa njeri në këtë botë. Ku e di ti, tha burri. E shoh, tha gruaja.
Më së fundi, ajo i kërkoi t’ia vështronte pëllëmbën e dorës e t’i shtinte fall. Dhe i paratha se, edhe nëse ende nuk ishte bërë Enver, dikur po do të bëhej Enver, do t’i vinte ora, veç të tregohej i duruar, siç edhe ishte treguar.
Pastaj të nesërmen, gruaja u zhduk, u zhduk pa nam e pa nishan. S’e pa më askush, të nesërmen. Dhe s’dihej se si qe zhdukur.
*Pjesë nga romani.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb