Pse Izraeli i vuri emrin “Luani që po Ngrihet” sulmit ushtarak kundër Iranit? Shënimi që la dje Netanyahu te “Muri i Lotëve” dhe paragrafi biblik që frymëzoi Tel Avivin
13 Qershor, 2025 11:19
Madhësia e tekstit:
Izraeli nisi mëngjesin e sotëm një sulm ushtarak ajror kundër objektivave bërthamore të Iranit. Për analistët ushtarakë situata në Lindjen e Mesme mund të përshkallëzohet drejt një lufte me përfshirjen e disa aktorëve. Operacionit të IDF iu vu emri “Luani që po Ngrihet”. Për këtë emërtim, mediat shkruajnë se Izraeli u frymëzua nga një varg biblik.
Një ditë më parë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u fotografua duke vendosur një shënim të shkruar me dorë në një çarje në Murin e Lotëve në Jeruzalem, i cili është vendi më i shenjtë i lutjes së judaizmit. Në retrospektivë, veprimi i tij lidhej me sulmet ndaj Iranit. Zyra e Netanyahut publikoi sot një foto të shënimit, ku shkruhej në hebraisht, “populli do të ngrihet si luan”.
Thënia vjen nga vargu 23:24 i librit të katërt të Dhiatës së Vjetër, i quajtur “Numrat”: “Ja, populli do të ngrihet si një luan dhe do të ngrihet si një luan i ri; nuk do të shtrihen derisa të hanë prenë dhe të pinë gjakun e të vrarëve”.
Vargu është pjesë e orakullit të parë të Balaamit, një profet jo-izraelit i cili parashikon forcën dhe pushtetin e Izraelit, duke e krahasuar atë me një luan që nuk do të pushojë derisa të ketë shuar urinë e tij.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i quajti sulmet e Izraelit “satanike”./ Reuters