Izraeli po mbyll ambasadat e tij në të gjithë botën dhe u ka kërkuar qytetarëve izraelitë të qëndrojnë vigjilentë dhe të mos shfaqin simbole hebraike ose izraelite në vende publike, njoftuan sot Ministria e Jashtme izraelite dhe ambasadat izraelite, pas nisjes së sulmeve në shkallë të gjerë nga Izraeli ndaj Iranit.

“Misionet izraelite në të gjithë botën do të mbyllen dhe shërbimet konsullore nuk do të ofrohen”, tha Ministria e Jashtme izraelite për Times of Israel. Ajo nuk specifikoi se për sa kohë do të qëndronin të mbyllura misionet diplomatike.

Izraelitëve u kërkohet të bashkëpunojnë me shërbimet lokale të sigurisë nëse hasin aktivitet armiqësor.

Në listën e vendeve ku do të mbyllen ambasadat është edhe Shqipëria.

Ambasada në Tiranë bëri me dije se shërbimet konsullore do të ndërpriten deri në një njoftim të dytë. Njëkohësisht, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve izraelitë që ndodhen jashtë vendit të plotësojnë një formular online, ku të raportojnë vendndodhjen dhe statusin e tyre aktual. Kjo do të ndihmojë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit të mbajë një evidencë të përditësuar për nevojat e mundshme.

“Një formular online është i disponueshëm për izraelitët jashtë vendit për të raportuar vendndodhjen dhe statusin e tyre aktual.

Ju lutemi plotësojeni atë për të ndihmuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të qëndrojë e përditësuar.

Në rast emergjence ose fatkeqësie, kontaktoni menjëherë Dhomën e Situatave të Ministrisë.
Kontrolloni rekomandimet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për vendin ku ndodheni aktualisht,

si dhe udhëzimet e përgjithshme të sigurisë për izraelitët jashtë vendit:

a. Shmangni shfaqjen e simboleve hebraike ose izraelite në hapësirat publike.

b. Përmbahuni nga postimi i detajeve të identifikueshme në lidhje me vendndodhjen tuaj ose planet e udhëtimit në mediat sociale.

c. Shmangni pjesëmarrjen në tubime ose ngjarje të mëdha që lidhen me Izraelin ose komunitetet hebraike.

d. Bashkëpunoni me forcat lokale të sigurisë dhe ndiqni udhëzimet e tyre menjëherë nëse ekspozoheni ndaj aktivitetit armiqësor.

e. Qëndroni shumë vigjilentë në vendet publike.

f. Në rast emergjence, kontaktoni misionin në vendin e rezidencës duke përdorur numrat e emergjencës që shfaqen në faqen “Na Kontaktoni””, thuhet në njoftim.

Capture
Capture

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: