Pas reshjeve të shiut që ndihmuan në fikjen e disa vatrave zjarri në Qarkun e Dibrës, sot rreth orës 13:00 është aktivizuar një vatër e re zjarri mbi qytetin e ri të Bulqizës. Zjarri po përhapet me shpejtësi për shkak të erës dhe mungesës së ndërhyrjes nga autoritetet, duke rrezikuar të marrë përmasa të mëdha në orët në vijim.
Dibra mbetet një nga qarqet më të goditura nga zjarret këtë sezon. Sipas burimeve lokale, nga zona e Shkopetit deri në Dibër janë djegur rreth 1,200 hektarë pyje dhe dushqe. Për vatrën e fundit të zjarrit në malin e Bulqizës, e cila është aktivizuar vetëm një orë më parë, ende nuk janë marrë masa konkrete për izolimin apo shuarjen e saj.
Banorët e zonës shprehen të shqetësuar për mungesën e reagimit dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente për të shmangur një tjetër katastrofë mjedisore në një qark që tashmë është rëndë i dëmtuar nga flakët.
(Balkanweb)
